Politika

Detyrat për 24 administratorët, Veliaj: Më 4 shtator, aksion i madh pastrimi

Të gjitha zyrat që ofrojnë shërbime për qyetarët në njësitë administrative të Tiranës, do të jenë në katet e para. Pasi ka ngjitur disa kate për në zyrat e njësisë administrative numër shtatë, Erion Veliaj deklaron se do zhvendosë zyrat që lëshojnë certifikata apo shërbime të tjera në mënyrë që të lehtësojë aksesin për pensionistët, personat me aftësi të kufizuara e të tjerë.

“Gjëja e parë që ju kërkoj të gjithëve është që të bëni një vlerësim të aseteve tuaja dhe ambienteve të punës. Shërbimet ndaj publikut do të jenë të gjitha në kat të parë. Së pari, të ofrohemi për të shërbyer, duhet të jemi të arritshëm nga qytetarët dhe në katet e katërta, ku Bashkia e Tiranës ka operuar deri më sot, nuk mund të vazhdojmë”, deklaroi Veliaj.

24 administratorët janë trajnuar nga Ministria e Shtetit për Çështjet Vendore për mënyrën sesi do të funksionojnë, ndërkohë që Veliaj u ka kërkuar që brenda javës të raportojnë për hapësirat e zëna në njësitë e tyre me qëllim që policia bashkiake dhe INUV të nisin punën për lirimin e tyre.

“Brenda javës do të na duhet të kemi një inventar të rrugëve, trotuareve dhe shesheve të zëna. Do të jetë programi ynë i punës për Policinë Bashkiake, Policinë e Shtetit dhe INUV-in për të siguruar që qytetin ua kthejmë mbrapsht qytetarëve dhe jo të fortëve”, u shpreh Veliaj.

Më 4 shtator, sipas kryetarit të bashkisë, do të zhvillohet një aksion i madh vullnetar për pastrimin e qytetit ku do të ftohen të marrin pjesë qytetarët.

“Të ftoni të gjithë qytetarët dhe në datën 4 shtator do të kemi një aksion për pastrimin e Tiranës ku do të ftojmë të gjithë qytetarët të bëhen pjesë. Secili prej jush do të drejtojë shtabin e pastrimit në njësinë tuaj. Të sigurohemi që të paktën në muajin e parë fituam betejën me zhulin në Tiranë përpara se të shkojmë në një betejë tjetër edhe më të rëndësishme”, tha kreu i bashkisë së kryeqytetit.

Nisur nga situata emergjente në Tetovë, Veliaj ka shprehur gadishmërinë e Bashkisë së Tiranës për të kontribuar e për t’iu gjendur pranë shqiptarëve atje.

“Nëse do të ketë ndonjë ndihmë që Bashkia e Tiranës do të mund të ofrojë, përveç një kontributi financiar që do të jetë në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Bashkiak, ne do të jemi të gatshëm për të ofruar çfarëdolloj lehtësimi të kësaj situate të rëndë”, deklaroi Veliaj.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button