Home / Rajoni / Maqedonia / Normalizohet jeta në Tetovë, nis regjistrimi i familjeve të prekura
Hysen Xhemaili, kryetar i Keshillit te Komunes se Tetoves

Normalizohet jeta në Tetovë, nis regjistrimi i familjeve të prekura

Pas përmbytjeve të mëdha, me të cilat u përball Tetova dhe fshatrat përreth, jeta tashmë ka filluar të normalizohet. Makineri të shumta kanë pastruar thuajse të gjitha rrugët, që lidhin qytetin me malësinë e Tetovës, që ishte edhe pjesa më e goditur nga përmbytjet.

“Në malësinë e Tetovës janë hapur akset rrugore dhe tani të gjitha rrugët e fshatrave atje janë të qarkullueshme. Sot po punohet në hapjen e aksit rrugor Tetovë-Jazhincë”, ka pohuar për mediat Hysen Xhemaili, kryetari i Këshillit të Komunës së Tetovës.

Xhemaili ka bërë të ditur se, ekipet e specializuara të ushtrisë vazhdojnë kërkimin e vogëlushes së zhdukur nga fshati Shipkovicë i Tetovës.

Komuna e Tetovës falënderon dhe u shpreh mirënjohje të gjithë qytetarëve, organizatave dhe biznesmenëve, të cilët u ofruan ndihmë banorëve të kësaj zone.

“Ka shumë gatishmëri dhe oferta për të ndihmuar me dhurime. Ne jemi të koordinuar edhe me Kryqin e Kuq, pasi kanë infrastrukturë më të konsoliduar për aksione të përbashkëta për pranimin dhe shpërndarjen e ndihmave”, ka pohuar më tej Hysen Xhemaili.

Sipas tij, që nga e mërkura ka filluar regjistrimi i familjeve që kanë pësuar dëme nga përmbytja, hap me të cilin do të fillojë edhe ndarja e ndihmës fillestare prej 500 eurosh.

Leave a Reply

Your email address will not be published.