Kryeartikull

Z.Kryeministër, na thoni një fjalë për ekonominë!

Nga Mustafa Nano

Ka ca përpjekje për ta vizatuar Edi Ramën si diktator të rrezikshëm. Janë të moçme këto përpjekje. Datojnë qysh në kohët kur Partia Socialiste ishte në opozitë. Ndoshta edhe më përpara. E kanë burimin te studioja e Opinionit të TV Klanit, dhe te kolegët e mi, që e kanë frekuentuar shumë shpesh atë studio, mes të cilëve kanë rënë në sy Lubonja, Shkullaku, Çani (në mënyrën e tij), Bejtja, vetë Fevziu, deri diku Bushati. Dëgjohej shpesh ato kohë të lëshohej alarmi se “Rama është si Berisha, madje më keq se Berisha”.

Ok, atëmot edhe mund të gëlltitej ky opinion, pasi Ramën nuk e kishim provuar si kryeministër. Për më tepër, kish dhënë shenja se pushtetin e gjakonte dhe se sundimin, e jo drejtimin, e kish për zemër. Këto shenja vijon t’i japë në mënyrë konstante edhe pasi ka hyrë si qiraxhi në zyrën kryeministrore. Por – më lejoni ta them qartazi këtë gjë – të vazhdosh t’u biesh borive të alarmit mbi Ramën diktator është një mufkë e madhe. Lëreni Saliun e Jozefinën t’u bien këtyre borive! Të tjerët nuk i nderon kjo betejë donkishoteske.

Unë e kuptoj që ka njerëz që këtë punë kështu e shohin, me fjalë të tjera që e besojnë se Rama është diktator, por do t’u këshilloja që para se ta thonë sërish këtë gjë, t’i hedhin një kovë me ujë të ftohtë kokës a fytyrës së tyre, se ndoshta mund të kthjellohen e mund ta kuptojnë se kjo që thonë nuk qëndron as në qiell, as në tokë. Në mos, le të na tregojnë se çfarë kanë si pikë referimi në arsyetimet që bëjnë, të na thonë se si e përkufizojnë diktaturën.

T’i mëshosh kësaj teze është mënyra më e keqe e më budallaqe për t’i bërë oponencën kësaj mazhorance. Nuk është ky problemi i Ramës. Po, është e vërtetë se partinë e ka mbledhur në grusht, është e vërtetë që s’do t’ia dijë më për zërat kritikë brenda partisë, që në fakt po bëhen gjithnjë e më të rrallë e gjithnjë e më të dobët, është e vërtetë se drejtimin e vendit e ka të natyrës autoritariste e korruptive, është e vërtetë që në poste drejtuese në administratë e në qeveri ka vënë, mes të tjerësh, edhe ca çapaçulë e teveqelë që s’e kanë shokun (ndonjërit syresh i ka vënë mbi shpatulla gjysmën e përgjegjësive të gjithë ekzekutivit, keni parë ju kështu? Tovbe estagfurullah!), është e vërtetë se rregullave staturore që kërkojnë rinovimin e mandatit të tij në krye të PS-së u ka futur shkelmin, është e vërtetë që të shumtat e gjërave që bëhen në këtë vend kanë vulën e amen-in e tij, që nga tenda mbi portën e hyrjes së godinës së kryeministrisë, te palmat në autostradë e deri te ndërtimet që ka në mendje të bëjë medemek për të garantuar një kalim të butë nga zona urbane te parku i gjelbër i liqenit, por të gjitha këto e të tjera, edhe pse ta bëjnë të pangjërueshëm Ramën vetë (unë nuk di si do bëja po të isha anëtar i qeverisë, apo anëtar i forumeve të PS-së; Rama nuk drejton, Rama të merr frymën), por të gjitha këto pra nuk kanë lidhje me ndonjë diktaturë. Kjo punë e diktaturës është një shajní, dhe aq. Madje, po qe se e mbajmë diskutimin në këtë plan, duhet thënë se data 23 qershor 2013 është një datë shumë e rëndësishme në historinë postkomuniste shqiptare. Sikur dikush t’më garantonte se paraardhësi i Ramës, e zhgani i tij, nuk do të rimerrnin më vendin nën kontroll, këtë datë do ta quaja si më të rëndësishmen në historinë postkomuniste të Shqipërisë, pas asaj të shpalljes së pluralizmit në dhjetorin e vitit 1990. Do t’i mbahem këtij mendimi për sa kohë që Rama nuk është bërë njimend diktator (Kjo që them, afërmendsh, nuk ka të bëjë me merita të Ramës).

E të kuptohemi, nuk është se nuk ka një “problem Rama”. Ka, si jo? Por “problemi Rama” në këtë moment e ka emrin “krizë ekonomike” e “administratë e korruptuar”. It’s the economy, stupid! “Është ekonomia, o më hëngshi munë”, do ta shqipëronte Shpëtim Nazarko. I jemi referuar gjithë kohën kësaj shprehjeje të shpikur nga strategët e fushatës së Bill Clintonit në vitin 1992, dhe ky është momenti që duhet t’i rikthehemi më fort, pasi duket, në mënyrën më të pabesueshme, sikur Rama veç tek ekonomia nuk e ka mendjen. Të jep përshtypjen se ai është shqiptari që mendon më pak për këtë punë. Nuk di në e dini, por është fakt shumë interesant: Ai ka rrotull vetes lloj-lloj këshilltarësh, ka ndoshta edhe ndonjë këshilltar mbi përdorimin e shkopit të bejsbollit, por nuk ka asnjë këshilltar për ekonominë e për financat. E nuk është se ka ecur me mendjen se punët e ekonomisë i njeh vetë shumë mirë. Jo, nuk besoj. Përkundrazi, kam bindjen se është i vetëdijshëm se njohuritë e tij për ekonominë e për financat janë më pak se fillestare. Atëherë? Atëherë është tjetra. Ai nuk e ka fare këtë shqetësim. Po të jetë për ekonominë e për financat e vendit, ai e bën gjumin krejt të qetë, si të qengjit. Nuk flet për ekonominë, nuk bën reforma të kësaj fushe, nuk na thotë se çfarë ka në mendje për të sistemuar financat e vendit e për të ndezur motorët e ekonomisë, për të incentivuar bujqësinë e turizmin, për të inkurajuar biznesmenët e huaj, për të vënë në binarë doganat, gjë që nuk mund të bëhet duke ua lënë në duar çupëlinave aguridhe e djemurinave kokoroçë, etj., etj. E vetmja gjë që ka bërë deri më tani në këtë lëmë është rritja e borxhit publik (kujdes, zoti kryeministër, pasi mund të na hedhësh në greminë me këtë politikë!), dhe një paketë e luftës kundër evazionit fiskal, por masat që synon të marrë me këtë të fundit së pari nuk e nxisin ekonominë (lufta ndaj evazionit fiskal është me natyrë etike, e jo me logjikë ekonomike), dhe së dyti ka zënë ta rëndojë e njollosë qysh tani këtë reformë a ndërhyrje me retorikën e burgut, burgut, burgut. Mjaft më, me këtë burgun, në keni perëndi! Dhe këtë po ua thotë një njeri që e përshëndet pothuaj të gjithë aksionin e qeverisë që synon rivendosjen e autoritetit të shtetit e të ligjit (marrja nën kontroll e Lazaratit, prishja e ndërtimeve pa leje, shtrëngimi i qytetarëve për t’i paguar deri në një faturat e ujit e të energjisë, mbyllja e universiteteve private që shisnin diploma, etj., etj.), por refreni i burgut, teksa mund të kish një kuptim fillimisht, tani është bërë një litani e mërzitshme (ata që flasin për diktaturë kanë parasysh edhe këtë retorikë, ndoshta).

Ky është mesazhi që duhet të lëshojmë të gjithë: Zoti kryeministër, hidhi sytë nga ekonomia! Rivendosja e autoritetit të shtetit e të ligjit është një gjë shumë e lavdërueshme, dhe ndoshta fitorja spektakolare e zgjedhjeve lokale ju ka mbushur mendjen se kjo paska qenë e është përparësia numër një për shqiptarët në këto kohë. Kjo është e vërtetë deri në njëfarë mase, por është e sigurt nga ana tjetër se ky aksion për rivendosjen e autoritetit të shtetit e të ligjit e asfikson një ekonomi të dobët, si kjo e jona, dhe se një ekonomi e dobët nga ana e vet do të komprometojë e do të vërë në rrezik çfarë është arritur me anë të këtij aksioni.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button