Home / Arte / Teater / Stërnipi i Skënderbeut, interpreton “Tradhtarët”

Stërnipi i Skënderbeut, interpreton “Tradhtarët”

Vazhdon Bienalja “Netët e muzikës klasike” në qytetin e Durrësit

“Netët e muzikës klasike” dje kanë pushtuar Kishën e Shën Luçias në qytetin e Durrësit. Prej tri ditësh, bienalja “Netët e muzikës klasike” është kthyer në një nga ngjarjet më të rëndësishme në qytetin bregdetar. Artistë nga vende të ndryshme kanë ardhur për t’u bërë pjesë e këtij eventi kushtuar shpirtit muzikor. Festivali vjen me plot risi në këtë edicion të tij. Të gjitha netët e këtij aktiviteti artistik do t’i dedikohen muzikës së vjetër spanjolle dhe lidhjeve të hershme mes Shqipërisë dhe Spanjës. “Çdo natë do t’i dedikohet një epoke të caktuar të historisë së muzikës. Tema e këtij edicioni është Spanja, si një shëtitje muzikore në vendin e Servantesit. Lidhja mes dy vendeve do të shihet e shtrirë shumë herët në kohë, gjurmët e së cilës dëshmohen edhe në Muzeun Arkeologjik të Durrësit. Muzika e vjetër, ajo bashkëkohore etj., do të krijojnë një panoramë të përgjithshme e të bukur për ta kthyer festivalin në një festë dhe përmes instrumentistëve që vijnë nga vende të ndryshme”, – ka treguar violinist Florian Vlashi, organizator dhe drejtor artistik i bienales. Për këtë edicion në Durrës ka ardhur edhe një pasardhës i Skënderbeut, stërnipi i Heroit tonë Kombëtar, Alessandro Castriota, i cili do të interpretojë një monolog 20 minutësh premierë të shkruar prej tij, “Traidores” (Tradhtarët). Në Muzeun Arkeologjik, interpretimi i tij la mbresa dhe për vetë historinë personale që mbartte. “Kanë kaluar rreth 15 breza dhe jam i nderuar sa herë që vij këtu dhe ndihem pjesë e Shqipërisë. Ndihem i nderuar dhe që jam ftuar të marr pjesë në këtë festival”, – shprehet Alessandro Castriota Skanderbeg.

I njohur në shtetin fqinj Itali, ku jeton dhe punon, jo vetëm si aktor, po dhe si dramaturg, regjisor e këngëtar, Castriota ishte pjesë e një mbrëmjeje artistike, së bashku me sopranot Marjana Leka e Kaltrina Miftari, si dhe me tenorët Armando Likaj, Safet Berisha dhe Liridon Sadriu. Castriota u shoqërua në interpretimin e tij nga Ansambli koral i Prishtinës, nën drejtimin e dirigjentit Rafet Rudi. Ky kor këndoi pjesë nga krijimtaria e kompozitorit shqiptar Jan Kukuzeli, si dhe korale nga Antifonari i Gjergj Danush Lapacajt.

Bienalja e 7 “Netët e muzikës klasike” në Durrës organizohet nga violinisti Florian Vlashi, i cili prej dy dekadash e ka ndërtuar jetën dhe karrierën e tij në Korunja të Spanjës, po kthehet çdo verë në atdhe. Këtë vit, e gjithë familja e tij do të interpretojë në bienalen njëjavore, që nis mbrëmjen e 1 gushtit në Durrës dhe josh me freski muzikore netët e nxehta në bregdet.

Nga Vali Qyrfyçi

Leave a Reply

%d bloggers like this: