Home / Opinion / Koha që drejtësia të çlirohet nga tentakulat Berishiste

Koha që drejtësia të çlirohet nga tentakulat Berishiste

ANDREA STEFANI

Andrea StefaniNuk do të vononte dhe do të shfaqej ai konflikt që buron nga paradoksi i dorëzimit prej Sali Berishës të pushtetit, por jo të shtetit të kapur prej tij në tetë vitet kur ushtroi plot zell zejen e autokratit. Dhe meqenëse pushteti i tij ishte tejet i korruptuar, nevoja urdhërore e luftës kundër korrupsionit nuk mund të mos bëjë që konflikti të plasë në një nga bastionet e Berishës në pushtetin e drejtësisë që është Këshilli i Lartë i Drejtësisë (KLD). Ngushëllimi i palëve është i pamundur. Konflikti i pashmangshëm. Sepse shtetit, dhe kur them këtë nuk kam fare parasysh qeverinë “Rama”, dhe publikut, drejtësia i duhet për të luftuar korrupsionin, ndërsa Berishës dhe klanit të tij i duhet për ta mbrojtur korrupsionin dhe pasuritë e vëna me korrupsion.

***

Që pushteti i drejtësisë është nga më të korruptuarit dhe thuajse krejtësisht i paangazhuar në luftën kundër korrupsionit, këtë e di i madh e i vogël në Shqipëri. Fakt i pakundërshtueshëm është vetë shteti shqiptar, i kalbur nga korrupsioni. Ndërkombëtarët e dinë këtë dhe e kuptojnë se të tolerosh më tej korrupsionin, si është bërë në këto 23 vjet, do të thotë të varrosësh shtetin. Prandaj po kërkojnë fakte konkrete për luftën kundër korrupsionit të madh, që do të thotë ndëshkim qeveritarësh të lartë, deputetësh, ministrash, kryeministrash, presidentësh që kanë qenë ose janë në pushtet dhe që deri më sot, kanë qenë të paprekur nga ligji edhe pse kanë vënë pasuri që janë të dyshimta, sepse matet me sy të lirë, që nuk mund të akumulohen me rrogat që marrin në shtet. Por në objektivin e antikorrupsionit nuk mund të mos përfshihen edhe gjyqtarë të pasuruar po padrejtësisht me anë ryshfetesh dhe abuzimesh, si ato që denoncoi publikisht “Fiks Fare” në Pukë, duke dhënë padrejtësi në vend të drejtësisë. Dhe pikërisht në momentin kur shfaqet një vullnet për të ndëshkuar korrupsionin mes gjyqtarëve, KLD, “qeveria” e gjyqësorit, merr nën mbrojtje gjyqtarë të dyshuar për korrupsion dhe pasurim të paligjshëm. Rasti më flagrant ishte ai i pak ditëve më parë kur KLD mori nën mbrojtje gjyqtarin Gjin Gjoni, i vënë nën hetim për fshehje, mosdeklarim dhe mosjustifikim të një pasurie marramendëse për një vend me shumicën e popullsisë të varfër si Shqipëria. Me këtë akt KLD, dhe Presidenti Nishani në krye të tij, provuan se nuk janë aty për të ndëshkuar korrupsionin por për të përjetësuar statusin e pandëshkueshmërisë për disa. Gjoni është një gjyqtar nën hetim dhe vetëm interesat korruptive dhe aspak kujdesi për respektimin e ligjit, mund të justifikojnë mbajtjen e tij në detyrë. Tashmë, në gjithë botën demokratike, është stabilizuar një normë morale, që të dyshuarit apo të akuzuarit për korrupsion japin dorëheqjen. Më pas është gjykata ajo që vendos për fajësinë ose pafajësinë. Por asnjë person nën hetim nuk mund të jetë për as edhe një çast në krye të punëve publike. Në këtë rast, morali i paraprin ligjit!

***

Prandaj janë krejt pa vend replikat e Çefës, nënkryetarit të KLD, që akuzon ministrin e Drejtësisë, Naço, për paaftësi për të provuar ligjërisht pretendimet për Gjonin. Sepse aty ku dyshohet për shkelje ligji duhet në radhë të parë t’i hapet rruga hetimit dhe gjykimit. Dhe është morali, në këtë rast, që i hap rrugë ligjit. Çefa pretendon se e njeh shumë mirë ligjin por ndërkaq, neglizhon fare anën morale të çështjes. Është një neglizhim që jo pak herë e kemi parë të konkretizohet si një proceduralizëm antidemokratik, nëpërmjet të cilit është bërë e mundur që e paligjshmja të shpallet e ligjshme, që i korruptuari t’i shpëtojë ndëshkimit me lloj-lloj procedurash. Lista e këtij proceduralizmi famëkeq përfshin pezullimin e gjyqit për korrupsionin e rrugës Durrës-Kukës, ku i kryeakuzuar ishte Lulzim Basha, gjyqin për tragjedinë e Gërdecit, ku në bankën e të akuzuarit duhej të ishin Berisha e Mediu, gjyqin e Ilir Metës, përfundimi i të cilit mbetet mjaft i dyshimtë, gjyqin për masakrën e 21 janarit, ku përsëri në bankën e akuzës duhej të ishin ish-kryeministri Berisha dhe ish-ministri i Rendit Lulzim Basha. Të gjitha këto gjyqe janë skandale më vete të drejtësisë së kalbur shqiptare, janë skandale mbi skandale, janë pikërisht fakte të kompromisit të kalbur të drejtësisë me pushtetin politik të Berishës. E korruptimit reciprok të gjykatësve dhe politikanëve në një gërshetim dhe unitet që të ngjason me ADN-në e korrupsionit.

***

Vota e 23 qershorit detyroi autokratin të zbresë nga kolltuku i pushtetit por la pas, të shpërndarë në postet e larta të institucioneve më të rëndësishme shtetërore, besnikë që ia kanë falur besën atij dhe jo Kushtetutës dhe shtetit. Drejtësia nuk mund të bëjë përpara dhe korrupsioni nuk mund të luftohet nëse pushteti i drejtësisë nuk çlirohet nga kapja berishiste. Por që të ndodhë kjo duhet të çlirohet nga delfinët e Berishës para së gjithash, KLD. Nënkryetari Çefa bërtet se po sulmohen institucionet e pavarura! Po ku ekzistojnë ato? Në cilin dokument edhe të ndërkombëtareve do të gjeni ndonjë pohim se drejtësia dhe gjykatat në Shqipëri qenkan të pavarura? Dhe nëse vërtet do të kishte gjykata e drejtësi të pavarur, atëherë si shpjegohet mali i korrupsionit të pandëshkuar në këto 23 vjet? Çefat dhe Halimët e Berishës ankohen se po kërcënohet nga qeveria “Rama” pikërisht ajo që nuk ekziston: pavarësia e gjyqësorit, që është përdhunuar prej vitesh nga Berisha me ndihmën e juristëve si Çefa dhe Halimi. Halimi pretendon se qeveria “Rama” kërkon të kapë gjyqësorin për të mbrojtur zyrtarët e saj që janë përfshirë në korrupsion e krim. Por kur u përfshinë në korrupsion e krim këta zyrtarë për më pak se një vit qeverisje? Nëse janë kriminelë dhe të korruptuar, shumica e tyre duhet të kenë qenë të tillë edhe kur Halimi ishte ministër i Drejtësisë. Përse nuk ka punuar të ndëshkohen nga drejtësia? Sepse nuk e ka pasur mendjen te drejtësia, por si të mbrojë ata që rreket të mbrojë edhe sot e kësaj dite, të korruptuarit e qeverisë “Berisha”. Prandaj ngre alarme për kërcënimin e “drejtësisë së pavarur”! Gjakon që drejtësia të mbetet në kthetrat e po asaj politike që e bëri të heshtë për 8 vjet rresht, që e nënshtroi dhe e korruptoi për 8 vjet rresht. Ndaj problemi sot nuk është si të mbrohet drejtësia e pavarur nga qeveria “Rama”, por si të çlirohet drejtësia, prokuroria dhe gjykata nga metastazat berishiane. Ndërkaq duhet bërë kujdes që ato të mos bien nën një vartësi të re të Ramës, Metës apo kujtdo qoftë. Drejtësia duhet të bëhet “shpata e Demokleut” mbi kokën e të gjithë qeveritarëve të korruptuar, dje, sot dhe nesër. Kjo është sfida europiane që kemi përpara!

Leave a Reply

%d bloggers like this: