Opinion

A mund të riparohet euroja ?

JEAN PISANI-FERRY

Kur Wolfgang Schäuble, ministri gjerman i Financës, hodhi së fundmi në tavolinë mundësinë e një daljeje greke nga euroja, ai donte të jepte sinjalin se asnjë anëtar nuk mund të abstenojë nga disiplinat strikte të unionit monetar. Në fakt, iniciativa e tij nxiti një diskutim më të gjerë të parimeve ku mbështetet euroja, qeverisjen e monedhës dhe arsyen e ekzistencës së saj.

Vetëm dy javë përpara propozimit të Schäuble, liderët e Europës i kishin kushtuar pak rëndësi një raporti për të ardhmen e euros përgatitur nga presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, dhe kolegët e tij nga institucionet e tjera të Bashkimit Europian. Por, mosmarrëveshja e re mbi Greqinë i bindi shumë politikëbërës për nevojën e kthimit te tabela e zezë. Ndërkohë, shtetasit pyesin veten përse duhet ta kenë të përbashkët këtë monedhë, nëse ka kuptim dhe nëse marrëveshja do të arrihet për të ardhmen e saj.

Për monedhat, ashtu si për shtetet, mitet e themelimit kanë rëndësi. Historia thotë se euroja qe çmimi politik i Gjermanisë për pranimin e heshtur francez në ribashkimin e saj. Në fakt, ribashkimi gjerman dha vetëm shtysën përfundimtare për një projekt të krijuar në vitet 1980 për të zgjidhur një dilemë të hershme. Qeveritë europiane ishin të dyja kundër normave të qarkullueshme të këmbimit, që sipas tyre nuk pajtoheshin me një treg të vetëm dhe pa dëshirën për t’i dhënë jetë një regjimi monetar të dominuar nga Bundesbanka. Një monedhë europiane e ndërtuar mbi parimet gjermane dukej se ishte rruga më e mirë e mundshme.

Në retrospektivë, ribashkimi gjerman ishte më tepër një mallkim se një bekim. Kur normat e këmbimit u mbyllën në 1999, norma gjermane ishte e mbivlerësuar dhe ekonomia e saj po haste në vështirësi; norma franceze ishte e nënvlerësuar dhe ekonomia e vendit po lulëzonte.

Gjatë dekadës së ardhshme, pabarazia filloi të rritej mes një Gjermanie të rigjallëruar dhe shteteve ku normat e ulëta të interesit kishin nxitur bume krediti. Dhe kur shpërtheu kriza financiare e vitit 2008, kushtet ishin të duhura për një stuhi perfekte.

Askush nuk mund të thotë si do të kishte evoluar Europa pa euron. Do të kishte rezistuar apo do të kishte rënë sistemi i normës fikse të këmbimit? A do të kishte qenë e mbivlerësuar dojçmarka? Do të kishin rifutur në lojë shtetet barrierat tregtare duke i dhënë fund tregut të vet? A do ishte krijuar një flluskë e pronave të paluajtshme në Spanjë? Do të ishin reformuar më shumë apo më pak qeveritë?

Pra, a ka ende kuptim euroja? Nga monedha pritej të arriheshin tre përfitime ekonomike. Bashkimi monetar, prezumohej, do të kujdesej për integrimin ekonomik, duke fuqizuar rritjen afatgjatë të Europës. Në vend të kësaj, tregtia e brendshme në Eurozonë dhe investimi janë rritur në shkallë modeste dhe potenciali i zhvillimit është dobësuar. Kjo pjesërisht prej qeverive kombëtare, të cilat, në vend që të punonin mbi unifikimin e monedhës për ta kthyer Eurozonën në një central ekonomik, u përpoqën t’i qëndronin fuqisë që i kishte mbetur. Kjo ishte ndoshta e logjikshme nga ana politike, por nuk kishte kuptim ekonomik: tregu i brendshëm i madh i Europës është një nga asetet e saj kryesore dhe mundësitë për ta forcuar atë nuk duhet të çohen dëm.

Së dyti, shpresohej që euroja do të bëhej një monedhë e rëndësishme ndërkombëtare. Dhe sipas statistikave të fundit të BQE-së, kjo shpresë është përmbushur plotësisht. Me përdorimin ndërkombëtar të euros pas dollarit, kjo arritje mund ta ndihmojë Europën të vazhdojë formësimin e rendit ekonomik global në vend që të mos ketë më rëndësi.

Së treti, besohej (naivisht) se institucionet ku mbështetej euroja do të përmirësonin cilësinë e përgjithshme të politikës ekonomike, ndaj politikat europiane do të ishin automatikisht më të mira sesa ato kombëtare. Testi për këtë erdhi në llogarinë e krizës financiare të 2008-s: për shkak se mbivlerësoi dimensionin fiskal të krizës dhe nënvlerësoi dimensionin financiar të saj, Eurozona doli më keq se Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar.

Nëse euroja do të krijojë begati, duhen reforma të mëtejshme në sistemin politik. Por një axhendë mund të krijohet dhe të zbatohet vetëm nëse ka një konsensus më të gjerë për natyrën e problemit. Dhe, siç e ilustron mosmarrëveshja aktuale për Greqinë, rënia dakord mbetet e pakapshme: shtetet pjesëmarrëse kanë zhvilluar analiza kontradiktore të shkaqeve të krizës së borxhit, nga të cilat kanë dalë në perspektiva kontradiktore.

Europa nuk mund të përballojë të zvarrisë dhe të shtiret. Ose anëtarët e Eurozonës duhet të gjejnë marrëveshje për axhendën e qeverisjes dhe të reformave politike që do të kthejnë bashkimin monetar në një motor begatie ose ata do të hyjnë vazhdimisht nga mosmarrëveshja në krizë, derisa qytetarët ta humbin durimin ose tregjet besimin.

Qartësia është një kusht paraprak i diskutimit serioz dhe reformave ambicioze. Secili nga pjesëmarrësit madhor tani ka detyrën të përkufizojë se çfarë konsideron si të domosdoshme, çfarë konsideron të papranueshme dhe çfarë është gati të japë në këmbim të asaj që do.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button