Home / Qeveritare / Ministria e Jashtme thërret ambasadorin e Maqedonisë

Ministria e Jashtme thërret ambasadorin e Maqedonisë

mpj2Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë njofton se ka thirrur sot në takim ambasadorin e Republikës së Maqedonisë në Tiranë për t’i shprehur keqardhjen dhe pakënaqësinë për moskuptimin e mesazheve të përcjella nëpërmjet deklaratave të zyrtarëve shqiptarë, referuar zhvillimeve të fundit në Maqedoni.

Sipas deklaratës së MPJ-së, “Ambasadorit iu rishpreh shqetësimi për dhunën e ushtruar gjatë demonstratave. MPJ theksoi se kjo mënyrë sjelljeje  nuk ndihmon në zbardhjen e çështjes, dëmton marrëdhëniet ndër-etnike e harmoninë midis komuniteteve”.

Për më tepër, vijon deklarata e MPJ, “qëndrimet e Republikës së Shqipërisë janë në të njëjtën linjë me shqetësimin e shprehur nga faktori ndërkombëtar. Republika e Shqipërisë mbetet e angazhuar dhe ka shprehur në mënyrë sistematike mbështetjen për sovranitetin dhe integritetin territorial të Maqedonisë”.

“Ambasadorit iu vu ne dukje se këto deklarata nuk mund të konsiderohen si ndërhyrje në punët e brendshme të Maqedonisë. Ato përbejnë një shprehje të natyrshme të shqetësimit për situatën e krijuar dhe njëkohësisht bëjnë thirrje për maturi dhe gjetjen e zgjidhjeve”, thuhet në deklaratë.

“Republika e Shqipërisë është e interesuar për ndërtimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë me Maqedoninë, bazuar në parimet e respektit të ndërsjellë”, thekson deklarata e MPJ-së.

“Ambasadorit maqedonas iu theksua se kemi përshtypjen se nota verbale e MPJ të Maqedonisë është më shumë një përpjekje për të spostuar vëmendjen nga thelbi i çështjes. Jemi të mendimit se shkaqet e këtyre situatave duhen kërkuar brenda Maqedonisë dhe tek mos zbatimi i marrëveshjes së Ohrit. Çdo përpjekje për të kërkuar shkaqe apo faktorë te tjerë  dhe për më tepër jashtë kufijve të Maqedonisë, do të ishte joproduktive”, vijon deklarata.

“RSH e konsideron zbatimin në frymë dhe në germë të Marrëveshjes së Ohrit si shtyllën kryesore  të shtet-ndërtimit demokratik dhe busull orientuese për të ardhmen euro-atlantike të Maqedonisë. Marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe të bashkëpunimit reciprok kërkojnë mirëkuptim dhe përpjekje të përbashkëta. Shqiptaret e Maqedonisë janë jo vetëm një urë bashkëpunimi, por faktor shtet-ndërtues me një rol të rëndësishëm në stabilitetin e Maqedonisë dhe të rajonit”, përfundon deklarata e MPJ-së

Leave a Reply

%d bloggers like this: