Opinion

Robinsoni lakuriq

Fadil Lepaja

 E di se titulli do të ju bëjë të zhvendosni vëmendjen tuaj në një ujdhesë të vetmuar, diku në Paqësor. Aty ku u thye anija me të cilën udhëtonte Robinsoni. Apo oqeani mund të ketë qenë edhe imagjinar sikurse edhe vetë personazhi?! Ju do të thoni se Ballkani është siujdhesë, por a është i tillë edhe Ballkani politik? Apo Kosova? A nuk është e rrethuar ajo me një det ku të gjithë përreth, mjafton të nderin çorapet e palara, në direkun e barkës së tyre politike dhe… të shkojnë kah të duan? Asocim i paqëlluar, thoni? Por, dëgjojeni… Në fund mbase edhe i jepni vetes të drejtë.

Pra, e merr një kriminel, i hedh pak vaj, pak uthull dhe e dërgon në ndonjë plazh nudo. Rrotullohu në diell, shoku, i thua. Dielli i fortë e djeg dhe ai piqet: bëhet viktimë. Kaq do që prej kriminelit të bëhet një viktimë. Teknologjia e konvertimit, e barazimit, është e thjeshtë: I zhveshin të gjithë, ashtu si i ka bërë zoti, i lyejnë në vaj e uthull dhe kaq. Do e dalloje një prift, hoxhë, një rabin apo ndonjë tjetër në një plazh nudo? Zoti i bëri të njëjtë. Nejse, prej kësaj ka mbetur edhe ajo fjala e moçme: I rrahur në vaj e uthull”.

E si e dallon viktimën prej krimineli në një kamp nudo? Është e thjeshtë të thonë: shihe kush është djegur. Pastaj thotë dikush: e përse ka nevojë të dallohen kur krimi është krim. Mjafton që disa plazhe të jenë “speciale”.

E si të bëhesh i veçantë, në një plazh nudo? Mbulohesh pak, veç pak, sa për adet, dhe kaq. Tashmë ti je i miri, dhe tjerët janë lakuriq. Në ujdhesën e quajtur Ballkan, Robinsoni rrezitet lakuriq.

E Kryeministri serb, Vuçiç, për dallim, prej të tjerëve e ka marrë punën me seriozitet. “Unë do të pajtoj Ballkanin” ka deklaruar ai plot vetëbesim. Ballkani natyrisht nuk është një plazh nudo, edhe pse politika ballkanike nuk mbulon asgjë, por në kohën kur elitat çlirimtare të Ballkanit e kanë ulur kokën para shpatës së drejtësisë ndërkombëtare, ai ka marrë iniciativë. Ai ka dalë edhe me një ide. Ka propozuar një ditë të përbashkët për gjithë të rënët në luftërat e Ballkanit. Të mos dallohet viktima prej krimineli. Të gjallët në një plazh nudo, e të vdekurit… edhe ashtu janë njësoj, thotë mesazhi. Ideja është se, atë ditë, pra ditën e të rënëve, do të pajtoheshin të gjithë. Jo vetëm të gjallët, por edhe të vdekurit. Pastaj të gjallët me të vdekurit, dhe së fundmi të gjallët me të gjallët. Me një fjalë: ka ndodhur çfarë ka ndodhur, ne ecim tutje, pa e kthyer kokën prapa. Me Kryeministrin e Serbisë u pajtua Kryeministri i Republikës Serbe të Bosnjës. Të tjerët, jo.

E krimi dhe pajtimi në Ballkan lidhet me serbët dhe kroatët. Kryeministri kroat, Millanoviç, e refuzoi. Shqiptarët dhe boshnjakët janë veç dëme kolaterale. Ec e orientohu aty ku luftojnë disa ushtri që flasin pak a shumë të njëjtën gjuhë.

Kështu, unë si një shqiptar me dy flamuj, me tri fe, dhe së paku tri republika, pa kurrfarë telashesh mund të flas me një kroat dhe një serb me të njëjtën gjuhë e cila dikur quhej serbo-kroate. Ishte e obliguar në shkollat tona. Serbët dhe kroatët janë dy popuj, të cilët kanë secili tokën, kombin dhe gjuhën e vet kombëtare dhe dikur duke u thirrur në “vëllazëri gjaku” në fillim të shekullit XX e patën themeluar edhe një mbretëri të përbashkët e cila në emrin e saj përmbante aleancën e tre popujve sllavë: serbëve, kroatëve dhe sllovenëve. Me të njëjtin motiv e themeluan edhe Jugosllavinë e dytë, komuniste.

Përderisa nga gjuhët sllave, sllovenishtja, ngjashëm me Maqedonishten, kanë dallime më serioze, kroatishtja dhe serbishtja dallojnë aq pak, sa përpos gjuhëtarëve shumica e qytetarëve as që e vërejnë këtë dallim. Së paku nuk vërehej në dy ish-Jugosllavitë.

Nëse gjatë leximit të këtij shkrimi, ndieni diçka si një të rrëqethur të trupit dhe filloni të shihni ngjashmëri dhe dallime, pak a shumë të njëjta brenda vet trungut shqiptar, dhe kujtoni debatet “serioze” për identitetin, të cilat si pa të keq marrin flakë sa herë “baba i kombit” nuk bën gjumë të mirë, thjesht ndaluni dhe mendojeni krejt këtë si një projekt në të cilin është punuar gjatë: projekti i cili te shqiptarët synonte rritjen e dallimeve. Pastaj edhe ndërrimi i drejtimit, në drejtim të kundërt me diellin.

Pra, kroatishtja dhe serbishtja, dallojnë shumë pak, megjithatë sot një kroat vështirë e kupton një serb dhe anasjelltas. Më lehtë kuptohen një kroat dhe një shqiptar që flasin në anglisht apo gjermanisht, sesa një serb dhe një kroat serbo-kroatisht. Fjalët e njëjta por… lëre fare.

Ju duket lëmsh? Lëmsh është. Lëmsh politik, identitar. Dëshira për të u dalluar, sidomos me orientimin e tyre drejt lindjes, mes serbëve dhe kroatëve thekson një element i cili për një pjesë të serbëve është esencial. Kjo është cirilica, shkrimi i cili pas ortodoksisë, është elementi kryesor identitar, i cili i identifikon ata si lindorë, sllavë dhe në vëllazëri të përjetshme me … “Gazprom”, më falni, desha të them me rusët.

Kroatët nuk kanë cirilicë. Janë edhe katolikë. E kuptoni tani shprehjen, “Kazani boshnjak”? Shtoja krejt kësaj edhe elementin e kombit artificial “mysliman”. Një popull ky i cili flet një gjuhë po aq të njëjtë me serbishten dhe kroatishten, por të “pasuruar” skajshëm me turqizma, si pasojë e “çlirimit” osman. Dhe mbi këtë ndërton identitet. E kuptoni tani luftën në Bosnjë? Nuk e kuptoni. As boshnjakët nuk e kuptonin. U thanë: jeni ndryshe. U bënë.

E këto ditë, këshilltarët e Kuvendit të Vukovarit vendosën, që të hiqet nga përdorimi zyrtarë çirilica serbe. Lidhur me këtë, në njëfarë mënyre u dha të drejt edhe Gjykata Kushtetuese e Kroacisë. Edhe Kryeministri i këtij vendi nuk e pranoi idenë e Kryeministrit serb për një ditë të përbashkët për të gjitha viktimat e luftërave në Ballkan.

Këto ditë, në Bruksel, ende po negociohet edhe për Bashkësinë e Komunave Serbe. Po kërkohet entitet i ri, me identitet të vjetër?

Dikur serbët me çdo kusht kërkonin që të ndërrohet flamuri i shqiptarëve që do të valëvitej në Kosovë, vetëm të mos ishte i njëjtë me atë të Republikës së Shqipërisë, i cili për ata që nuk e dinë është i njëjtë me atë që valon “Te Rrethi”, në Prishtinë. Por jo edhe në institucione. Një identitet i ri ishte kusht për shqiptarët e Kosovës, nëse donin autonomi. Kjo u pranua edhe nga ndërkombëtarët dhe u bë kusht. Do e pranojnë serbët e Kosovës një identitet të ri, si kusht? Një flamur të ri? Një himn të ri? Apo, “te Rrethi” në Mitrovicë do të valojë edhe më tej flamuri i Serbisë, i njëjti që valon edhe në institucionin të cilin e udhëheq Kryeministri Vuçiç? A do të jetë kusht i entitetit të ri, identiteti i ri?

Kështu, inzhinieringu identitar dhe politik, për me i ndryshue të tjerët, dhe me ja përshtatë vetes, duket se është ide bosht edhe e propozimit të fundit të Kryeministrit Vuçiç. Jo pajtimi. Ideja se të gjithë të vdekurit janë një masë pa dallime, asocion se historia duhet të harrohet. Çfarë po kërkon Kryeministri Vuçiç: falje apo harresë? Apo të dyja në një pako?

Sidoqoftë, Dodik, e ka kapur idenë dhe po e mëson rolin e viktimës. Ka porositë vaj dhe uthull dhe alkimia ballkanike e pajtimit, për aq sa varet prej tij, mund të fillojë …. Slogani i tij është: të gjithë në plazh.

Po të ishte kjo një pikturë, në vend se një kolumne e zakonshme verore, do të i rrinte shumë mirë emri: krimi, pajtimi dhe Robinsoni lakuriq.

Rrotullohu në diell “Robi” . Të fajshëm e të pafajshëm do të lyhen me vaj plazhi…

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button