Kryeartikull

Na duhet një ministër për monumentet

Nga Ndue Dedaj

Gjurmuesit e kulturës shqiptare nuk kanë reshtur së kërkuari nën tokë e mbi tokë për qitjen e saj në dritë, qysh prej Ami Boué, Johann Georg von Hahn e të tjerë albanologë europianë deri te dijetarët tanë. Kastriot Marku, studiues i zellshëm i sferës kulturore kishtare, kur vjen nga Milano, pushimet e verës nuk i kalon askund tjetër, veçse në dokumentimin dhe ringjalljen e monumenteve të kulturës në Kurbin, Lezhë etj.

Një dorëshkrim arkivor për famullinë e Shna Premtes së Kurbinit, një pemë e vjetër ulliri në fshatin Gjonëm afër Laçit, një varr i moçëm i pamoshë e sa e sa pikëtakime të tjera të tij me historinë. Pa ndonjë ftesë nga zyrat e trashëgimisë kulturore, ai rend kudo ku fshihet një kokrrizë e shndritshme historie, që nesër mund të zhduket nga faqja e dheut. Në Facebook ka paraqitur një fotografi me shënimin: “Rrënojat e Kuvendit Françeskan në Pllanë, aty ku në vitin 1638 u hap një nga shkollat e para në gjuhën shqipe. Jo shumë larg rrugëve të komunikimit, në një bashki të fuqishme ekonomikisht si Lezha (njëherësh qendër e qarkut me të njëjtin emër) ky vend historik, shenjë me rëndësi për identitetin tonë kulturor, është lënë në mëshirë të fatit pa asnjë përkujdesje, qoftë dhe një pllakë përkujtimore”. Ju mendoni se pas këtij informacioni ka reaguar ndokush nga njerëzit me vulë? Aspak. Përkundrazi, dikush përtej detit, prej arbëreshëve, studiuesi i njohur Matteo Mandalà, ka pyetur: “Pse nuk i shkruan Ministrisë së Kulturës?” Hëm! Përse t’(mos) i shkruash?! … Disa muaj më parë, në gazetën “Shqip” botuam një shkrim kritik për qytezën ilire të Albanopolit (Zgërdhesh) në afërsi të Fushë-Krujës, brenda mureve të së cilës kullosin lopët dhe askush nga Ministria e Kulturës nuk tha një fjalë(!) Edhe pas kritikës për Kuvendin Françeskan të Rubikut, që po rrënohet fatalisht në sy të të gjithëve, ani se ngjitur me Rrugën e Kombit, sërish Ministria e Kulturës nuk begenisi të fliste(!) Çfarë do të mund t’i thoshim pas kësaj Teodor Ippen-it që e ka vizituar në vitin 1901 këtë Kuvend nëntëqindvjeçar dhe ka shkruar dhjetëra faqe shkencore për të, që ne shqiptarët një shekull më pas nuk kemi mbajtur dot në këmbë as muret e tij? Se nuk kemi ende institucione shtetërore vepruese, po nuk kemi më “gjallë” as klasën e papërsëritshme të françeskanëve të mëdhenj shqiptarë me Fishtën, Gjeçovin, Marlaskajn etj., që t’iu dilnin për zot mureve e absidave që vetë ndërtuan. Kuvendi i Rubikut mban titullin: “Monument kulture. Ruhet nga shteti”, por kjo ngjan si një parullë pa vlerë. Njëlloj si ato tabelat “Mbroni pyllin nga zjarri” e pyjet digjen veç më shumë. Atëherë si do të kujtohen të kthejnë përgjigje për Kuvendin e Pllanës, gjithaq i rëndësishëm, zyrtarët e ministrisë tani që janë me pushime të ngrohta? (Pa thënë se për monumentet që lidhen me objektet e kultit të katolicizmit na duket se ka pasur njëfarë ngurrimi të institucioneve, mbase si një reminishencë e mendësive komuniste, sa nuk dimë t’i jenë bërë nderet e merituara as kishës së famshme të Shën Gjonit në Mërqi të Lezhës, ku u mbajt Kuvendi historik i Arbrit më 1703.)

Apo mbase na duhet një ministri vetëm për monumentet? Në mos një dikaster, së paku nja dy brigada me specialistë që t’i mirëmbanin e restauronin këto mure të historisë nga Jugu në Veri duke filluar nga prerja e shkurreve që u kanë zënë frymën, te sinjalistika etj. A kemi dikë sot që i bën këto punë, kudo ku ka monumente të shpallur e të pashpallur e jo vetëm ato kryesore që mund të jenë nën kujdesin e drejtpërdrejtë të Institutit të Monumenteve? Pyetjes së profesorit arbëresh, studiuesi Marku i përgjigjet: “Ka drejtori të posaçme që merret me këto punë, por … le të shpresojmë”. Bashkive, drejtorive rajonale të monumenteve e trashëgimisë, parqeve arkeologjike, muzeve e të tjerë u dërgohen vazhdimisht shkresa nga ministria që t’i identifikojnë monumentet, me pasaportat përkatëse të të dhënave, aq sa mund ta kryejnë këtë njerëz përgjithësisht të paspecializuar që punojnë nëpër rrethe. Na duket e vjetruar kjo praktikë, nuk zgjidhet gjë me burokraci “kalendash greke”, kur kalasë së Skënderbeut në Kepin e Rodonit i ka hyrë deti poshtë themeleve e po e shkallmon çdo sekondë më keq se një tërmet nëntë ballësh dhe vetëm kur të na thërrasin një ditë të vemi atje e të qajmë me lotët e Mamica Kastriotit. Përndryshe, shqip e thjeshtë, a i kanë degët rajonale të monumenteve mjetet e nevojshme financiare për të ndërhyrë në rast dëmtimi të tyre apo duhen pritur ekipet dhe fondet nga Tirana? …

2

Lavdërohet ajo çka bënin rilindësit dhe punëtorët e dijes së periudhës së Pavarësisë për të identifikuar monumentet antike nga Apolonia në Dalmacie (Koman), përfshi dhe mbledhjen e lëndës folklorike, etnografike etj. Nuk është metaforike të thuash se rilindësit nuk kanë sosur as sot. Shtjefën Ivezaj në Tuz (Mali i Zi) e ka kthyer vilën e tij në muze etnografik, ngaqë e ndien se ajo që patën nisur etërit e trashëgimisë ende nuk është kryer. Prej një shekulli e gjysmë, Malësia e Madhe kërcënohet me asimilim etnik dhe kulturor, qysh kur Kongresi i Berlinit ia dha Plavën e Gucinë shtetit të malazezve, ndaj ky zotëri përpiqet të mbledhë çdo relikte dhe ta vendosë në shtëpinë e tij – muzeum, që nuk është veç i asaj krahine, po i krejt botës shqiptare. Njohësit e tij nga afër e përshkruajnë “jo vetëm si fotografin i parë të vlerave historike të Tuzit, por edhe si bibliofil, filatelist, etnograf, mbledhës dhe koleksionues profesionist të thesareve etnologjike të asaj treve. Me një pasion të rrallë ai ka shtegtuar për gjysmë shekulli vatër më vatër në kërkim të shenjave e sendeve të kulturës materiale, duke u bërë krijuesi i muzeut etnografik të Malësisë së Madhe, me qindra eksponate të larmishme, nga shpatat ilire deri te xhubleta malësore, mbretëresha e veshjeve tona kombëtare. Ivezaj e pati fituar herët bekimin e udhëheqësit të tij shpirtëror, Shtjefën Gjeçovi.” Një motivacion ekselent, i gatshëm për dekorimin në Shqipëri e Kosovë të këtij muzeologu të pashembullt vullnetmirë.

Të interesuarit për visaret kulturologjike shqiptare janë një “specie” që nuk e ndalin hapin e tyre asnjëherë, edhe kur nuk bien fort në sy. Auron Tare e ka nisur vite më parë me Butrintin, pastaj me shtegtimet e “Bajronit” dhe po e vazhdon me Sazanin, ishullin “ushtarak” që mëton të kthehet në turistik. Agjencia Kombëtare e Bregdetit, e drejtuar prej tij, e sheh në simbiozë turizmin detar me monumentet natyrore, arkeologjike e historike. Ndër njerëzit e pasionuar pas aseteve kulturore e natyrore, është mbase i vetmi i “veshur” me pushtet që mund të lobojë më lehtë pranë qeverisë për projekte e fonde lidhur me to. Personazhet në këtë terren janë vërtet të larmishme. Edhe pse kemi shkruar disa herë për Kuklin e Mjedës, nuk e shmangim dot as në këtë shkrim atë që ka ndodhur këto pesë vitet e fundit atje falë Dom Nikë Ukgjinit, i cili ka e kthyer famullinë e vogël të poetit të “Andrrës së jetës” në një qendër tepër të vlefshme kulturore, promovuese të traditës dhe njëherësh atraksion turistik, ku në rrafshin e mësimit të integruar do t’ia vlente që orët e letërsisë së traditës mësuesit e shkollave të mesme të zonës t’i zhvillonin në ato mjedise. Por nuk mund t’i dilet mbanë aksionit kombëtar (të munguar) në këtë lëmë me nisma “vetjake” apo përqendrimin e fondeve në disa kala kryesore. Lypet një qasje shumë më e përgjithshme e shtetit, në nivel qendror dhe vendor, lidhur me trashëgiminë kulturore dhe jo duke u qarë si gjithnjë “nuk na mjaftojnë fondet” etj. Nuk na përket neve të kontribuojmë me “mendim ekonomik” rreth kësaj, ama sikur vetëm lekët e fituara me gjyq shtetit nga të pushuarit nga puna padrejtësisht (në sektorin pyjor etj.) të kurseheshin, monumentet natyrore do ta kishin ndier sadopak dorën e nënës dhe jo përherë atë të njerkës. Një specialist i fushës sugjeron dhe punën publike të atyre që marrin asistencë sociale pranë bashkive, por dhe burime të tjera kontributesh.

3

Nuk janë vetëm objektet në periferi të lëna në harresë e degradim, po dhe kala e ndërtesa karakteristike mes qyteteve, që i ka zhbimë e tjetërsuar tranzicioni i pamëshirshëm që nuk kemi mundur ta ndalim. Ku e kemi sot Kafen e Madhe të Shkodrës, e dalë prej dorës së Kol Idromenos. Përmendet në shkrime, kronika dhe këngë popullore, aq e famshme ishte. Gazetarja e kulturës, Dhurata Hamzai, shkruan mbi “shkëlqimin dhe rënien” e saj: “Aty mblidheshin personazhet e njohura të artit, të letërsisë dhe historisë së Shkodrës në fillimet e shekullit 20. Vinin jo vetëm shkodranët, por edhe nga rrethet e rrethinat të etur për atë qytetërim që gëlonte pikërisht në mjediset e Kafes së Madhe. Për ata që donin të preknin Shkodrën ishte një vend luksi, ku përfshihej argëtimi, teatri, muzika dhe ballot elegante të kohës. Vinin të huajt, diplomatë, intelektualë, gra të veshura bukur e me shije të hollë perëndimore. Vinin edhe të rinj që celebronin fejesën dhe për shumicën e tyre Kafja e Madhe ka mbetur vend kujtimesh të çmuara. Por ajo ishte edhe vend lajmesh, lidhjesh me botën, vend bisedash e argëtimesh. Pa Kafen e Madhe Shkodra në fillim të shekullit ndoshta nuk do të mbetej aq gjatë në kujtesën e të huajve dhe nuk do të konsiderohej si qyteti më grishës i Ballkanit …” Por nuk kanë mjaftuar këto që ajo të rrinte në identitetin e saj, pa ia zënë diellin kafenetë moderne që Shkodra i ka të bukura. Në harmoni me të është dhe një objekt tjetër muzeor, që po degradon dita-ditës, selia e Gjomarkajve, me kullën e lartë bërë po nga Idromeno. As për këtë ngrehinë tejet monumentale nuk ka një projekt rimëkëmbjeje, që padyshim është nga shenjat e vjetra historike të Shkodrës. Qeveria në këtë qytet po bën “shtëpinë” e fototekës “Marubi”, por si do të ngjajë ajo pa godinat e sipërthëna? A duhet të ndodhë dhe sot të na shuhen vlerat arkitekturore? Si do të ishte Shkodra nëse do ta kishte Pazarin e Vjetër me 3500 dyqane rrëzë Rozafës? Po kishën e Vaut të Dejës të shekullit XIII, hedhur në erë në ’67-n, që tash e kemi vetëm në kartëmonedhën njëmijëlekëshe? Po Xhaminë e Plumbit? Por ja që nuk i kemi. Kemi humbur e po humbasim monumente të pakthyeshme jo vetëm prehistorike, po dhe të vona, si Hotelin e Gjuetisë në Lezhë, ndërtuar në vitin 1936, e vetmja referencë turistike e atij rajoni në vitet e shkuara, që tani është venitur. Askush nuk e di pse nuk është shpëtuar ky objekt turistik muzeor dhe pse nuk është prapë në funksion si dikur? Ndërkohë që dhe hotel “Dajti” në zemër të Tiranës është shndërruar prej vitesh në “gërmadhën” e buxhetit të shtetit. Në asnjë vend publiku nuk do të ishte kaq i çinteresuar sa këtu për objekte të tilla publike të dorës së parë? E kur nuk kemi sy për të parë rrënimin në mes të Tiranës e Shkodrës, çfarë mund të thuhet për “Gurrën e Domgjonit” rrëzë Munellës, njëqind e tridhjetë kilometra nga Tirana, ujësjellës i shekullit IV të erës sonë, ndër të rrallat objekte hidroteknike në Ballkan? Në bazë të ligjit, objekte arkitektonike me vlerë unikale si ai, shteti i restauron me shpenzimet e tij në masën 100 për qind, ku zor se do të kishte turist që do të hynte në Shqipëri e nuk do ta vizitonte dhe për faktin se Rruga e Kombit e ka “sjellë” shumë më afër.

E nuk kanë të mbaruar problematikat e monumenteve te ne. Publicisti Gjon Neçaj shkruan me shqetësim se po bien kullat e Tropojës, pa të cilat nuk do të kishte kuptim historia e as e sotmja e alpeve. Në dimër, nga pesha e madhe e borës janë shembur shumë kulla në Nikaj Mertur etj. Vetëm kur të mos i kemi këto banesa-fortesë do ta kuptojmë humbjen. Kosovës ia pati shembur kullat regjimi serb, për t’i fshirë identitetin, kurse tash i lëmë vetë të shkatërrohen, pa na i shembur “shkjau” me top e napalm. Në rrezik janë dhe kullat historike të Dukatit në Vlorë, mjaft interesante për nga tipologjia dhe plot histori njerëzore e qëndrese. Madje dhe ngrehina të veçanta të qytetit muze të Gjirokastrës dhe pse qyteti ka dhjetë vjet nën mbrojtjen e UNESCO-s, ngaqë punimet restauruese jo gjithnjë janë kryer me cilësi. Jo për “ngushëllim”, po monumentet nuk janë në rrezik vetëm në Shqipëri. Përbëjnë problem në të gjithë rajonin ballkanik. Në Maqedoni gjenden para për të ndërtuar monumente gjigante, si i Aleksandërit të Madh, që konkurrojnë me shumëkatëshet, por jo dhe për shtëpitë e vjetra të Dibrës së Madhe. Ashtu si në Athinën e mbërthyer nga kriza politike dhe ekonomike rrezikohet të shembet deri Akropoli 2500-vjeçar, ndërtesa simbol e lavdisë helene.

Por të kthehemi në shtëpinë tonë. A duhet të shpresojmë se gjërat do të jenë ndryshe lidhur me monumentet? Vetëm një program qeveritar emergjence gjatë 2016-s do të na nxirrte nga situata kritike, sidomos në zonat e shpopulluara, ku padyshim kërkohet një tjetër optikë dhe nga 61 bashkitë e vendit për trajtimin me përparësi të kësaj pasurie që po na shkërmoqet në diell-shi. Kryebashkiaku i ri i Tiranës e dha një sinjal premtues nga Petrela, ku deklaroi se mjediset e kalasë do të liroheshin nga kafenetë. Pas kësaj, mbase do të na vijnë lajme të tjera kësodore nga i gjithë vendi. Një bashki nuk ka pse të mos jetë ajo “ministria” për monumentet në territorin e saj, duke shpenzuar para jo vetëm për shtrimin e rrugëve me asfalt, por dhe për ruajtjen, mirëmbajtjen e menaxhimin e kalave, amfiteatrove, urave të vjetra, kolonave të mermerta, statujave antike etj. Bashkitë e reja kanë gjithë fuqinë për të ndryshuar marrëdhënien e njerëzve me trashëgiminë kulturore; teksa institucionet qendrore merren me politikat dhe strategjitë kulturore, projektet kombëtare e lokale, objektet më përfaqësuese në shkallë vendi etj. Ministria në perceptimin tonë nuk është thesi me para për të rivitalizuar vetë çdo objekt, ajo e ka barrën e udhëheqjes dinamike të procesit, me përfshirjen dhe kontributin e shumë aktorëve, komunitetit, biznesit, donatorëve, shkollave, operatorëve turistikë etj., deri te penalizimi i abuzuesve me objektet historike.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button