Home / Arte / Teater / Tartufi, kthehet sërish pa Ndrenikën

Tartufi, kthehet sërish pa Ndrenikën

Vepra e njohur e Molierit do të hapë në tetor sezonin e ri të Teatrit Kombëtar nën regjinë e Erion Kames

Robert Ndrenika, aktori i njohur i skenës, nuk do të veshë rrobat e Tartufit, personazhit të njohur në komedinë me të njëjtin emër të Molierit. Vepra, e cila mbylli sezonin e Teatrit Kombëtar dy muaj më parë, do të jetë ajo që do të hapë siparin e sezonit të ri të teatrit. Regjisori Erion Kame thotë se vepra do të ngjitet në skenë në fillim të tetorit me të njëjtin kast aktorësh. Dhe pse u prit që sezoni i ri të rikthente “Tartufin” bashkë me Robert Ndrenikën, duket se aktori i njohur ka zgjedhur të bëjë dhe pak pushim pas problemeve me shëndetin. E konsideruar si një nga veprat e rëndësishme të repertorit të teatrit gjatë sezonit të shkuar, komedia pritej të ngjiste sërish bashkë në skenë dy emra të njohur të teatrit si Viktor Zhusti dhe Robert Ndrenika. Dy aktorët do të shfaqeshin sërish bashkë pas interpretimit që patën te “Djemtë gazmorë” nën regjinë e Sulejman Rushitit. Në premierën që pati më 30 maj, regjisori Kame i zëvendësoi me dy aktorë të tjerë Laert Vasili në rolin e Tartufit dhe Ligoraq Riza në rolin e Orogonit. Në role të tjera spikatën në këtë vepër aktorja Olta Dako, si dhe aktorët Rajmonda Bulku, Justina Aliaj, Vasjan Lami, Lulzim Zeqja, Gent Deçka, Mehdi Malka, Vangjel Toçe, Niada Saliasi dhe Dasara Xhangolli. Me një skenografi disi ekzotike, “Tartufi” i Kames, i cili ishte dhe vepra e tij e parë si regjisor në skenën e Teatrit Kombëtar la në një shije të mirë. Interpretimi i Ligoraq Rizës në rolin e Orogonit, u prit mirë nga publiku. Për regjisorin Kame në një shoqëri që gjithnjë kapet nga hipokrizia, një vepër si “Tartufi” është një thirrje për maturi. “Të gjithë e dinë që Tartufi është personifikimi i hipokrizisë. Dhe ajo që kam dashur të theksoj më tepër është ligësia që sjell hipokrizia. Nuk është hera e parë që e trajtoj këtë temë. Them që është nga më të rëndat në shoqërinë tonë. Jemi të rrethuar nga hipokritët nga mëngjesi në darkë. Dhe ky është thelbi. Është një thirrje për maturi, për të qenë të moderuar. Sigurisht që ka lidhje me realitetin, por jo lidhje me fenë”, thotë ai.

ndrenika1Teatri për Kamen nuk duhet të rrijë larg problemeve të shoqërisë. Hipokritët, sipas tij, do të jenë gjithnjë mes nesh. “Jemi të rrethuar nga hipokritët. Ata nuk do të zhduken, nuk do të heqin kurrë dorë nga marifetet e tyre. Jemi ne të cilët duhet të gjejmë të mesmen e artë, mes pasionit dhe arsyes. Asnjëra nga këto të dyja nuk mund të jetojë e vetme pa tjetrën. Vetëm kjo është prognoza e duhur kundër hipokritëve. Duket e thjeshtë, por nuk është. Hipokritët dhe të moderuarit, do të jenë gjithnjë në luftë me njëri-tjetrin”, thotë Kame. Në fakt, thelbi i Molierit në këtë vepër është që arsyeja duhet të mbizotërojë mbi pasionin. Hipokrizia e Tartufit na shpaloset në një formë pështjelluese që në fillim të pjesës. Dhe në fakt, ai këtë ndjesi të krijon: ti fillon ta urresh dhe nuk gjen në asnjë skutë të shpirtit pakëz dashuri për të…. Në kohën kur shkroi “Tartufin”, Molieri ishte besimtar i krishterë. Dhe kjo vepër i vendosi një damkë të fortë, sepse kisha e konsideroi “të devijuar” dhe dramaturgjinë, kleri e etiketoi si profesion mëkatar. Komedia: “Tartufi”, u ndalua nga kisha për 5 vjet, nga viti 1654 deri më 1659 kur Louix XIV dha lejen për ta shfaqur. Dhe në fakt, me Tartufin, Molieri shkaktoi një nga skandalet më të mëdha të karrierës së tij. Në këtë rivënie në skenën e Teatrit, vepra do të ketë dhe një rikonceptim, pasi e ka marrë impaktin e parë nga publiku.

Leave a Reply

%d bloggers like this: