Libri

Prezantohen në hapësirën arbëreshe botimet e Bibliotekës Kombëtare kushtuar De Radës

Botimet e Bibliotekës Kombëtare kushtuar De Radës janë prezantuar në hapësirën arbëreshe.

Dy botimet e rëndësishme kushtuar De Radës u prezantuan gjatë një aktiviteti të organizuar më 21 gusht nga Shoqata Kulturore Arbëreshe “J. De Rada”, në bashkëpunim me Fondacionin Universitar “Françesko Solano” të Universitetit të Kalabrisë, mbajtur në Maq (San Demetrio Corone) në kuadër të edicionit të dytë të takimeve vjetore me titull “Takohemi Maq”/”Incontriamoci a Macchia”.

E ftuar për këtë prezantim ishte Drejtorja e BKSH-së, Prof. Dr. Persida Asllani, e cila prezantoi botimin anastatik antologjik “De Rada në shtypin shqiptar 1887-1944”, botim i përbashkët me Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” si dhe numrin e ri të revistës shkencore të Studime Albanologjike, të Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë të Universitetit të Tiranës.IMG_6042

Ajo theksoi që në fillim se një nga vlerat më të rëndësishme të “Vitit kulturor De Rada” në përkujtim të 200-vjetorit të poetit ishte ndryshimi cilësor që solli në jetën kulturore e akademike në të gjithë hapësirën mbarëkombëtare, duke e shndërruar De Radën në një katalizator të ri jetës kulturore mbarëkombëtare e cila vijon edhe përtej kalendarit të kremtimeve.

Duke prezantuar botimet e përzgjedhura, Asllani sqaroi se botimi anastatik “De Rada në shtypin shqiptar 1887-1944” shenjon një homazh që dy Bibliotekat kombëtare, ajo e Shqipërisë dhe ajo Kosovës ndërmorën në kremtimet e 200-vjetorit të De Radës.

IMG_6047“Libri – vijoi ajo-, është menduar si një antologji e përzgjedhur e shkrimeve dhe komenteve më të bukura kritike të botuara në shtypin kulturor shqiptar, duke sjellë kështu në vëmendjen e publikut, tashmë edhe arbëresh, jo vetëm kontributet e kritikës përmes emrave më të spikatur të saj, por edhe ndjeshmërinë e veçantë që gëzonte vepra dhe emri i De Radës në botën kulturore shqiptare deri në vitin 1944”.

Ndërsa Nr. 2/2014 i revistës “Studime Albanologjike” u prezantua si një arritje e suksesshme studimore përmes bashkëpunimit të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë me Departamentin e Letërsisë të Fakultetit të Historisë e Filologjisë të Universitetit të Tiranës, duke përfshirë botimin e bibliografisë: “Jeronim de Rada në tekstet shkollore shqiptare 1912-2014”, kontribut i Shkollës Doktorale të Departamentit të Letërsisë dhe i specialistëve të Sektorit të Bibliografisë Kombëtare të BKSh-së.IMG_5994

Znj. Asllani vuri në dukje për të pranishmit e shumtë se përmes kësaj bibliografie u jepej specialistëve të letërsisë, por sidomos atyre të metodologjisë së mësimdhënies, një instrument i vlefshëm për të kuptuar dhe modernizuar procesin e njohjes së autorëve arbëreshë e më gjerë.

Përfundimet më cilësore vijnë nga vetë kontributet e doktorantëve, botuar së bashku më studime të tjera të pedagogëve të tyre në këtë numër, si akte të konferencës “Rikthimi te Poezia e De Radës”.

IMG_6010Por edicioni II i “Takohemi Maq” vijoi edhe me veprimtari të tjera duke u shquar denjësisht tashmë si një faktor i rigjallërimit jo vetëm të jetës kulturore në botën arbëreshe por edhe të bashkëpunimit të shumëanshëm mes Institucionesh e strukturash kulturore mbarëkombëtare.

Presidenti i Shoqatës Kulturore Arbëreshe “J. De Rada”, zoti Ernesto Madeo parashtroi planveprimin e shoqatës në krijimin e një Parku letrar arbëresh, dhe theksoi domosdoshmërinë e mbështetjes së specializuar por edhe institucionale në vijim nga ana e institucioneve shqiptare.

Gjithashtu, një nga panelet shumë interesante të Edicionit II të “Takohemi Maq” ishte debati “Gjuhë e mira e gjuhë të këqija” në kuadër të reformës së RAI-it në lidhje me gjuhët e minoriteteve.IMG_6052

Ky debat trajtoi problematikën e reformës dhe vuri në dukje nevojën e një veprimi të koordinuar kulturor, gjuhësor, ligjor e social në mbrojtje të transmetimit televiziv arbërisht në RAI.

Pjesëmarrës në debat ishin Profesori i mirënjohur Françesko Altimari (Universiteti i Kalabrisë dhe President i Fondacionit Universitar F. Solano); Profesor Giovanni Cimbalo (Universiteti i Bolonjës); Emanuela Capparelli (Presidente e Fondacionit Rajonal Arbëresh) dhe Demetrio Crucitti (Drejtor rajonal i RAI Calabria).

Promotor i rëndësishëm jo vetëm i shumë projektesh studimore por edhe bashkëpunimesh të suksesshme mes studiuesish e institucionesh mbarëkombëtare, Profesor Altimari e cilësoi “të drejtën e një komuniteti për të folur gjuhën e vet” si një shpallje dhe të drejtë universale të dinjitetit njerëzor.

IMG_2434Tipike e këtij takimi është edhe pjesa muzikore, në të cilën u shpalosën këngët, vallet dhe kostumet e bukura arbëreshe, përmes performancës së grupit “Lulet e rea” dhe mjeshtrit Ernesto Iannuzzi si edhe prezantimi gastronomik i specialiteteve të kuzhinës arbëreshe dhe, veçanërisht këtë vit, i produkteve unike të “Derkut të zi” (suino nero).

I organizuar në sheshin ku ngrihet Kisha në të cilën prehet sot De Rada, dhe përgjatë rrugës që mban emrin e poetit, ndonëse në edicionin e tij të dytë, tashmë “Takohemi Maq”, vendlindje e De Radës, premton të kthehet në një aktivitet bosht të jetës kulturore e turistike të botës arbëreshe dhe asaj mbarëshqiptare.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button