Home / Arte / Ekspozita / Gjuha e shenjave, në skulpturat e Ylli Plakës

Gjuha e shenjave, në skulpturat e Ylli Plakës

Artisti i njohur në vendin fqinj për artin e qeramikës, beson se arti mund të flasë përmes detajeve. Me një kompozicion estetik, ai duket sikur ndërton në vepra historinë e tij

Me krahët e humbur tej, gruaja në skulpturën nudo i ka sytë mbyllur. E vendosur në një park, bri të gjelbrës, ajo çfarë fshihet përtej këtij vështrimi duket grishëse për çdo vizitor. Me një estetikë të tij të të shprehurit, artisti Ylli Plaka beson në gjuhën e detajeve. Çdo formë e rrëfimit artistik, orvatet rreth një ideje. Një ngacmimi që vjen herët te skulptori e merr formë si një histori me veprat që ndërton. Me një karrierë të vendosur në vendin fqinj, Itali, ku ndan jetën, Ylli Plaka është një personazh i njohur i skulpturës bashkëkohore. Gjatë vitit 2009, një nga veprat e tij është vlerësuar me çmim të parë në Festivalin Ndërkombëtar të Maiolica-s, duke rezultuar më e mira mes 500 punimeve në konkurrim, por ai numëron plot ekspozita kolektive e personale të çelura në ambiente shumë dinjitoze brenda e jashtë Italisë. Tashmë numëron më shumë se 25 vite si skulptor profesionist në Itali, por çdo vit në gusht, thotë se vjen të shohë vendin e tij të origjinës. Me një stil a formë të vetën, ai ushqen një misticizëm në artin që bën.

Kritiku i njohur italian, Luciano Caprile, teksa sheh veprat e artistit shqiptar thotë se “gjesti i Ylli Plakës ushqehet me elemente narrative të karakterit alegorik, që ftojnë vëzhguesin të ndiejë menjëherë kënaqësinë e konceptimit dhe kompozicionit”. Ndërsa Mario De Michelli sheh në veprat e Plakës shenjat e jetës së tij. Kjo, pasi arti nuk mund t’i ikë dot identitetit. Me një pasion të lindur herët për vizatimin, Plaka do të lidhej që në fëmijëri me këtë botë, për të përfunduar Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë. Në vitin 1991, ai largohet nga Shqipëria, duke bërë një ndalesë në Brindisi, për t’u stacionuar më pas përfundimisht në Savona, në veriperëndim të Italisë. Dukej sikur fati ishte paracaktuar për këtë ndalesë, në një qytet të njohur për artin e qeramikës. I ardhur nga një shkollë ku kishte marrë bazat e klasicizmit, Plaka do ta kishte të lehtë të eksperimentonte deri sa të gjente formën ku do të shprehte më mirë idetë e tij. Nëse sheh sot skulpturat apo qeramikat e tij, mund të vëresh se ato nuk e kanë humbur prezencën e elementit realist, pavarësisht se shpesh mbartin metafora befasuese. “Në Itali, mes artistëve atje, mësova lirinë në art, pa pasur asnjë lloj paragjykimi. Luajta shumë me ëndrrat, me lodrat. Unë luaj shumë edhe me anekdotat, me fjalët e urta popullore …”, thotë Plaka. Interesi i hershëm për artin kishte formuar tek ai karakterin e një artisti që shkon me intuitë drejt zgjedhjes së duhur. Ndaj skulpturat e Plakës, shpesh janë më shumë se thjesht skulptura. Ato i ngjasojnë një rrëfimi të gjatë, të cilin ti e lexon pa fjalë, vetëm me një vështrim. Veprat e tij mund të identifikohen nga larg, për vetë karakterin e veçantë dhe elegancën që shprehin. Por artisti thotë se “gjithçka që e shndërron në formë artisti, vjen nga vetë jeta e tij, qenia e tij”. Pasi arti në fund është një mënyrë të menduari. “Megjithatë, indirekt unë e shpreh kulturën, formimin, tim, karakterin dhe identitetin prej shqiptari, pasi arti im merr diçka nga bota që më rrethon, kudo ku mund të kisha zgjedhur për të jetuar. Gjuha e artit tim i përshtatet një bote tjetër, është një gjuhë universale që kuptohet, përthithet e shijohet prej të gjithëve”, thotë ai. Plaka shprehet përmes dy teknikave: gresit dhe qeramikës. Kjo e fundit është vlerësuar si një medium, të cilin ai e zotëron më së miri. “Deri në vitin 2004, kam punuar në materialin gres. Gresi mua më magjepsi me efektin poroz. Më kujtonte skulpturat e vogla që kisha parë në muzetë arkeologjikë, ku janë gdhendur gjurmë të shekujve, të historisë. Ky aspekt gati antik muzeor, për mua ishte magjepsës dhe e kam zhvilluar për shumë vite teknikën gres, afro 15 vjet”, thotë ai. Por arti i qeramikës të prek me ndjeshmërinë që përçon. Punët e realizuara nga ai në këtë teknikë, vitet e fundit janë prezantuar në ekspozita të ndryshme që ka hapur në galeri të njohura italiane. “Në mënyrën e tij është një artist që beson në ekspresionin figurativ edhe pse sillet me liri ekstreme. Format që krijon ai tashmë, i korrespondojnë botës së tij të brendshme, fantazisë së tij, ëndrrave”, thotë kritiku i arteve, Mario De Michelli. Imagjinata është ajo çfarë na shtyn drejt krijimit dhe De Michelli i sheh veprat e Plakës si fryt i një imagjinate që nuk mbaron. “Ai është i lidhur me pasionin ndaj imagjinatës dhe simbolizmit, edhe pse në çdo rrethanë çlirohet nga përshkrimi i tepërt. Bota e tij është e ndërsjellë dhe simbolikë e pasur me përshtypje të freskëta, me një teknikë të rafinuar, që shfrytëzon magjinë e aftësisë së tij praktike dhe në të njëjtën kohë të një energjie të madhe”, thotë ai. Por përtej estetikës, veprat e Plakës duket sikur të japin mundësinë të takosh tema e personazhe që të bëjnë menjëherë pjesë të tyre. Gruaja shihet përmes ndërtimit që ai u ka bërë figurave femërore, si një pjesë e një procesi eksplorues që kërkon të tregojë të padukshmen brenda tyre. Kjo, pasi arti i Plakës është bota, ajo thellësisht njerëzore që ai e transformon si me magji në një vepër. E veçanta e veprave të tij, siç e thotë edhe kritika, nuk ka lidhje me artistin realist, pasi ai kap esencën dhe përpiqet ta stilizojë, ta interpretojë, krijon një raport midis një pjese të vërtete dhe një pjese metafizike. Ndonjëherë, një simbol kthehet në figurë, e ndonjëherë tjetër një figurë kthehet në simbol. “Ekspozimi mund të fillojë në mënyrë ideale nga një seri me zarfe të transformuara në terrakota të pasura me mesazhe intime. Gjesti i Ylli Plakës ushqehet me elemente narrative të karakterit alegorik që ftojnë vëzhguesin të ndiejë menjëherë kënaqësinë e konceptimit dhe kompozicionit”, shkruan kritiku Luciano Caprile-s. Disa vite më parë, artisti e mblodhi veprën e tij në një katalog.

Leave a Reply

%d bloggers like this: