Home / Opinion / Vendim i diskutueshëm për top të disputueshëm

Vendim i diskutueshëm për top të disputueshëm

ADRIAN BESHAJ

drejtshkrimiNë atmosferën e Kampionatit Botëror të Futbollit, kur vëmendja e shumicës së popullatës së globit është drejtuar nga zhvillimi i garave të kësaj ngjarjeje të rëndësishme sportive, mendova të saktësoj për të interesuarit kuptimin dhe përdorimin e foljeve ‘diskutoj’ dhe ‘disputoj’.

Gjatë një gare sportive ndodh shpesh që loja të ndërpritet për shkaqe të jashtme si hedhja e sendeve në fushë nga tifozë jo fort të përgjegjshëm apo dëmtimi i ndonjë lojtari të cilit i duhet ardhur në ndihmë. Në këtë rast, në lojën e futbollit apo të basketbollit etj., arbitri i ndeshjes e rifillon ndeshjen duke e hedhur topin në mes të dy lojtarëve kundërshtarë.

Kam dëgjuar shumë komentues sportivë që këtë ta quajnë, gabimisht, top të diskutueshëm. Po t’i hedhim një sy Fjalorit të Shqipes së Sotme, folja diskutoj ka këto kuptime: 1. Rrah a diskutoj një çështje bashkë me të tjerë; shkëmbej mendimet dhe shpreh pikëpamjet e mia për zgjidhjen e një çështjeje; dhe 2. E quaj të diskutueshme diçka, e vë në diskutim diçka.

Në çastin e hedhjes së topit nga arbitri në mes të dy lojtarëve kundërshtarë nuk është se ata do të debatojnë, diskutojnë apo polemizojnë me topin, me arbitrin apo me njëri-tjetrin, por thjesht do ta disputojnë atë, pra do të konkurrojnë se kush ta rrëmbejë i pari. Një vendim i arbitrit gjatë një ndeshjeje mund të jetë i diskutueshëm, pra lë vend për diskutime sepse mund të ishte i ndryshëm, por jo topi. Kur një ndeshje rifillon pasi është ndërprerë për shkaqe të jashtme duhet thënë se topi hidhet në disputim dhe se kemi të bëjmë me top të disputueshëm. Disputoj vjen nga italishtja ‘disputare’ dhe më herët akoma nga latinishtja që përkthehet, përveçse diskutoj, garoj, konkurroj. Kuptime të tjera të kësaj foljeje në italishte janë: kundërshtoj; bëj, kryej, përballoj; luftoj për diçka. Emrin disputë mund ta gjejmë edhe në kontekste të tjera ku nënkuptohet gara, dueli: disputë kalorësiake. Një sportist mund të disputojë, pra të bëjë, të zhvillojë një ndeshje të mirë dhe jo ta diskutojë atë. E shumta ai mund të diskutojë apo të vërë në diskutim praninë apo mospjesëmarrjen në një garë sportive. Loja e fjalëve në titull më shërbeu për ta vënë më mirë theksin te këto dy folje të ngjashme dhe për ta saktësuar kuptimin dhe kontekstin e përdorimit të tyre.

Në terminologjinë sportive, si edhe në atë të fushave të tjera, bëhen shumë gabime të tilla të pavetëdijshme për shkak të ngjashmërisë së fjalëve, të hyrjes së shumë fjalëve të huaja, mospërditësimit të vetë gazetarëve etj. Punonjësit e organeve të masmedias, që informojnë, argëtojnë apo akulturojnë një masë më të gjerë, duhet t’i kushtojnë më shumë vëmendje përgatitjes së tyre gjuhësore, përdorimit dhe drejtshkrimit të shqipes së sotme.

Leave a Reply

%d bloggers like this: