Home / Kryeartikull / Nuk është lehtë të jesh Shkuptar!

Nuk është lehtë të jesh Shkuptar!

KIM MEHMETI

Kim MehmetiQeveritarët maqedonas bënë çmos që protestat e rinisë shqiptare në Maqedoni t’i ngjyrosin me radikalizëm fetar, që ato të duken se nuk kanë asgjë të përbashkët me shqiptarinë. Sado që tingëllon perverse, kjo tendencë u shkonte për shtat edhe partive të këtushme shqiptare, ngaqë vetëm kështu ato mundeshin t’i bindnin diplomatët e huaj, si dhe Tiranën e Prishtinën zyrtare, se nuk kanë mosmarrëveshje me popullin e vet, po me rrymat radikale fetare.

Tani, kur e panë se kjo lojë nuk u kalon, nëpërmjet Notave verbale në shenjë proteste adresuar Tiranës e Prishtinës, ata nguten që fajësinë për protestat t’ia kalojnë Shqipërisë e Kosovës! Pra, në vepër, është mendësia e cila shqiptarët e këtushëm i konsideron si ‘rrezik të përhershëm të brendshëm’, i cili është i komanduar nga jashtë! Mendësi që nuk u lejon qeveritarëve të këtushëm, përfshi edhe ata shqiptarë, të shohin se rininë shqiptare e nxori në rrugë keqqeverisja, si dhe partitë shqiptare që e çuan këtë rini të ndihet e papërfaqësuar!

Dhe kurrë nuk duhet harruar: radikalë të të gjitha ngjyrave ka pasur e do ketë gjithmonë në radhët e çdo popull! Gjithashtu kurrë nuk duhet harruar se kjo rini u rrit duke u trajnuar me ‘protestat’ e kontrolluara e të rrejshme që i organizonin aktivistët e BDI-së, e që kishin për qëllim të zbusnin revoltën shqiptare, si për shembull, protesta kundër Enciklopedisë, ajo kundër ndërtimit të Kishës në Kalanë e Shkupit e që sot është ndërtuar, protesta kundër sjelljes së përmendores së Car Dushanit në Shkup, të cilën aktivistët e BDI-së dolën ta rrënonin dhe mbase edhe do ta rrënonin, por ngaqë dolën natën, nuk arritën ta dallojnë nga të tjerat. Ja pra, ky është shpjegimi për atë se kush e nxori rininë shqiptare në rrugë dhe kush i ‘organizoi’ këto protesta: kjo qeveri dhe partitë shqiptare, të cilat madje bënë një mëkat ndaj palës maqedonase në pushtet, duke e bindur atë gabimisht se ai që i kontrollon BDI-në e PDSH-në, i ka në dorë të gjithë shqiptarët e këtushëm!

Pastaj nuk duhet harruar se qeveritarët maqedonas, përfshirë këtu gjithmonë edhe ata shqiptarë, e luftonin “radikalizmin islam” duke e “ushqyer” atë më së miri nëpërmjet “pyllëzimit” të tërë Maqedonisë me kryqe gjigantë, duke i shenjtëruar nga ndonjë prift ortodoks të gjitha objektet publike, me çka thuajse ia dolën që fenë ortodokse ta ngrenë në rrafshin e shtetërores. Pra, duke e “luftuar”, apo më mirë thënë, duke e mbuluar vetveten me mbulesën e rrezikut nga “radikalizmi islam”, këta qeveritarë ia dolën që edhe ajrin, edhe tokën, edhe qiellin, ta stolisin vetëm me emblemën etnike maqedonase dhe me atë të fesë ortodokse. E në ndërkohë, sa herë që dikush alarmonte për këtë ngritje të fesë ortodokse në rrafshin e fesë shtetërore, sa herë që dikush alarmonte për deshqiptarizimin e Shkupit, ata – madje të ndihmuar edhe nga qarqe mediatike shqiptare, posaçërisht në Prishtinë ku kanë më shumë miq partiakët e këtushëm shqiptarë – e shpallnin për “mjekrosh” të rrezikshëm. Dhe si të tillë e shpallën edhe autorin e këtij teksti, me çka e ndihmuan që nëse një ditë mbetet pa punë, të mos e ketë të vështirë të punësohet si hoxhë fshati!

Gjithashtu nuk duhet harruar sa e vështirë është të organizosh protesta në një shtet ku të manipulojnë të gjithë, duke filluar nga partitë shqiptare e deri te strukturat policore. Nuk duhet harruar pra se njëra ndër arsyet pse organizatorët e këtyre protestave duan të mbeten anonimë, është se në Maqedoni të lejojnë të organizosh protesta, por pasi të kalojë një kohë, pasi edhe vetë ta kesh harruar se ke qenë organizator i tyre, të vijë dita të përfundosh në burg për diçka që ta ka kurdisur policia.

Shkurt thënë, nuk është e lehtë të jesh SHKUPtar, ngaqë rinia shqiptare në Maqedoni është viktimë e manipulimeve të shumëfishta. Si e tillë, ajo edhe sot ndihet e vetmuar dhe e rrezikuar nga shumë qarqe antishqiptare. Ajo edhe sot ndihet e pakuptuar edhe nga shumë qarqe shqiptare, andaj bën çmos që ta shpëlajë veten nga këto manipulime. Andaj pra, rinia shkupjane është heroi i vërtetë i këtyre protestave dhe heroizmi i saj nuk ka të bëjë vetëm me bindjen e saj “se kur lufton Shkupi, nderohet e tërë shqiptaria” por edhe me të vërtetën se kjo rini i çoi të gjithë shqiptarët të ndihen nga pak edhe SHKUPtarë.

Si do që të jetë, drejtuesit e BDI-së shqiptare në pushtet, në vend që të dalin në krye të kësaj rinie, ata tregojnë se asaj i frikohen. Mbase ata më së miri e dinë nga buron kjo frikë e tyre. Pra në vend që të ofrojnë zgjidhje, kryesuesit e BDI-së janë të preokupuar me atë se kush i organizon e kush do përfitojë nga këto protesta. Me çka më së miri dëshmojnë se ata e përdorin dhe e njohin vetëm peshoren e profiterit. Dhe mbase edhe nuk mund të kenë peshore tjetër ata që thuajse e privatizuan emblemën e madhërishme të UÇK-së dhe konfliktin e 2001, duke mbuluar me atë emblemë të gjitha përfitimet personale. Kështu që edhe sot, ata nuk e konsiderojnë të vlefshëm asnjë verim të shqiptarëve të këtushëm e nga i cili ata nuk do kenë ndonjë përfitim. Pra ata i poshtërojnë dhe i ofendojnë të gjithë përkrahësit e këtyre protestave, duke harruar se ka njerëz që ndihen të fituar vetëm atëherë kur fiton populli i tyre.

Kur bëhet fjalë për qeveritarët e BDI-së, duhet thënë se ata bënë edhe një mëkat tjetër ndaj popullit tonë: i krijuan bindje të rrejshme palës maqedonase se inferioriteti dhe injoranca politike janë diçka gjenetike që i karakterizon të gjithë shqiptarët kudo që janë! Dhe nga kjo bindje buron arroganca e VMRO-DPMNE-së e shprehur në letrën drejtuar Kryeministrit Edi Rama. Nga ta dinë ata kokëboshët e VMRO-së se politikanët shqiptarë kokëtul, si disa nga ata të BDI-së që i kanë pranë vetes, janë ekzemplarë politikë në zhdukje në botën shqiptare. Andaj protestuesve të rinj shqiptarë tani u është shtuar edhe një ngarkesë: do duhet t’i bindë këta sundues kokëzbrazur maqedonas se më lehtë e ke të të bluajë guri i mullirit, se sa mençuria politike e Tiranës zyrtare.

Leave a Reply

%d bloggers like this: