Home / Ekonomia / Qeveria nis sot një operacion të gjerë kundër informalitetit

Qeveria nis sot një operacion të gjerë kundër informalitetit

Qeveria nis sot një operacion të gjerë kundër informalitetit, përmes së cilit synohet futja në shinat e ligjshmërisë për të gjithë ato biznese që nuk punojnë konform ligjeve të shtetit shqiptar.

Operacioni kundër informalitetit do të konsistojë në dy faza. Fillimisht është plani i veprimit afatshkurtër dhe më pas do të jetë hartimi i një plani veprimi përfundimtar 2-vjeçar (2016-2017). Ky plan përfundimtar do të jetë gjithpërfshirës dhe pritet të jetë gati në muajin dhjetor 2015.

Sa i përket planit të veprimit afatshkurtër, i cili starton sot, ai ka si qëllim të promovojë aktivitetin formal, rritjen e punësimit formal si dhe rritjen e zbatimit vullnetar të ligjit dhe pagesës së taksave dhe tatimeve.

Një tjetër synim i planit afatshkurtër është rritja e kapaciteteve të kontrollit. Plani i qeverisë, ndër të tjera synon edhe zhvillimin e kapaciteteve të kontrollit/auditimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave. Në këtë kuadër synohet përmirësimi i shkëmbimit të të dhënave ndërinstitucionale dhe ashpërsimi i penaliteteve për shkelësit e ligjit.

Plani synon edhe gjithëpërfshirjen në luftën kundër informalitetit të publikut, biznesit, institucioneve, por edhe median. Si pjesë e planit synohet të rritet komunikimi ndërinstitucional dhe pjesëmarrja e publikut dhe biznesit të ndershëm. E gjithë kjo bëhet për të mbrojtur konsumatorin.

Qeveria gjithashtu kërkon ndërgjegjësimin e biznesit të ndershëm, duke e ftuar atë të bëhet pjesëmarrës në këtë operacion në luftën kundër informalitetit, teksa fokusi kryesor i operacionit do të jetë biznesi i madh me vet-deklarimet apo pasqyrat financiare.

Ndërsa nga publiku kërkohet ndërgjegjësim për aspektin pozitiv të formalizimit, ku pagesa e taksave do të thotë përfitim i shërbimeve publike. Tërheqja e kuponit tatimor e kthen çdo qytetar në inspektorin e parë tatimor. Gjithashtu publikut do t’i bëhet e qartë se ka sanksione për mos tërheqjen e kuponit tatimor.

Sa i përket administratës shtetërore, do të ketë sensibilizm për detyrimin që ka për tërheqjen e kuponit tatimor. Ky plan konsiston edhe në aspektin legal, ku do të ketë ashpërsim të masave ligjore për moszbatuesit e ligjit. Do të ketë ashpërsim të masave ligjore për administratën tatimore dhe doganore. Do të ketë detyrim për t’u trajnuar dhe testuar, si dhe do të ketë ashpërsim të masave në rastet e korrupsionit të administrates.

Gjithashtu pritet të ketë ndryshime ligjore për rritjen e incentivave për zbatimin e ligjit. Plani do të konsistojë edhe në identifikimin e zonave, sektorëve dhe bizneseve me risk të lartë, si sektori i karburanteve, duhanit, profesionet e lira (audituesit, ekspertët kontabël etj.)

Do të krijojhet një task-forcë e përbashkët me përfshirjen e DPT, DPD, sektorit kundër Krimit Ekonomik, Inspektoratit të punës. Do të thjeshtohen strukturat operativo – hetimore të DPD dhe DPT. Gjithashtu do të ketë thjeshtim të procedurave të hetimit, kontrollit dhe vlerësimit të DPT dhe DPD. Do të ketë rritje të kapaciteteve, aftësive profesionale, komunikuese, bashkëvepruese të administrates si dhe promovim i korrektëve dhe ndëshkim i jo korrektëve.

Leave a Reply

%d bloggers like this: