Home / Opinion / Atdheun nuk mund ta duash i vetëm

Atdheun nuk mund ta duash i vetëm

Nga Ilir Yzeiri

Pavarësisht asaj që jetojmë ne çdo ditë këtu në fshatin ballkanik, bota jashtë nesh duket sikur lëviz me një shpejtësi tjetër dhe në qendër të saj, është përsëri realiteti që e mbyt të padukshmen atë që ne e mbajmë si themel të vetëdijes sonë. Drama e rëndë e emigrantëve dhe refugjatëve nga veriu i Afrikës dhe nga Ballkani, pra edhe nga Shqipëria, duket se ka nxjerrë jashtë loje një sërë stereotipish që janë të padukshme, si fjala vjen kuptimin për atdheun, kufijtë, dashurinë për vendin, sakrificën, solidaritetin. Para disa ditësh në shtypin e huaj pati një debat semiologjik për refugjatët dhe emigrantët. Kjo dyndje e madhe drejt Europës po i lë të gjithë të tronditur dhe ka marrë përmasa apokaliptike. Të ikurit, sipas këtij debati duhen klasifikuar në refugjatë dhe në emigrantë. Refugjatë janë ata që largohen nga vendi i tyre për shkak se vendi është përfshirë në luftë civile, ndiqen politikisht, për shkak të ngjyrës, besimit fetar apo edhe orientimit gjinor. Ndërsa emigrantët lëvizin nga vendi i tyre për shkak të mungesave ekonomike, kushteve jo të mira të jetesës dhe të banimit. Në të dyja rastet, atdheu e ka humbur kuptimin dhe nga vend i përbashkët kthehet në një varr ose në një shkretëtirë të përbashkët. Mirëpo, në të dyja rastet, ai u shërben një pjese për të larguar një pjesë tjetër. Ndaj Atdheun nuk mund ta duash i vetëm. Në qoftë se atdheu nuk përjetohet si vendi i përbashkët i suksesit dhe i mirëqenies, ai nuk e meriton që të jetohet. Shqipëria është bërë pjesë e kësaj plage këto vitet e fundit, sepse prej saj largohen emigrantë, pra njerëz që kërkojnë një jetë më të mirë në Europë.

Europa ose etnocentrizmi i shpallur

Bota, vështruar nga kjo pikëpamje, duket se është e ndarë në dy qendra. Nga njëra anë Europa Perëndimore dhe SHBA apo Australia si qendra të zhvillimit, të modelit përparimtar të jetës dhe nga ana tjetër, një pjesë e madhe e vendeve apo e rajoneve të pazhvilluara, të prapambetura dhe të zhytura në konflikte të përgjakshme. Filozofët e sotëm po vërejnë gjithnjë e më shumë se ndarja e botës po bëhet gjithnjë e më shumë në nivelin e vlerave ekonomike dhe njerëzore. Globalizmi dhe nxitja e ekonomisë së tregut të lirë krijoi gjigantë ekonomikë si India, Kina apo Brazili. Mirëpo zhvillimet e fundit në Kinë dhe në Brazil kanë nxjerrë edhe njëherë në reliev krizën e modelit. Rënia katastrofike e bursave kineze, djegia e miliarda dollarëve brenda orës, ka nxjerrë në pah përsëri krizën e vlerave më shumë sesa krizën ekonomike, ashtu sikundër edhe korrupsioni galopant në Brazil po e trondit zhvillimin e këtij vendi. Ndërkaq, krizat që ka kaluar Europa apo edhe ekonomia e SHBA-së janë përballuar dhe janë kapërcyer deri diku edhe falë sistemit të vlerave joekonomike dhe aplikimit real të ekonomisë së tregut në këto vende. Dhe ato, pavarësisht krizave që kalojnë, vazhdojnë të mbeten destinacioni kryesor i të dëshpëruarve nga të gjitha anët e globit.

Pse nuk mund ta duash i vetëm atdheun?

Ne, shqiptarët, nuk vuajmë edhe aq shumë nga kriza ekonomike, sepse qoftë në Shqipëri, qoftë në Kosovë, shqiptarët kanë ndërtuar një standard që e kapërcen nivelin e varfërisë. Megjithatë shqiptarët kanë dëshirë të ikin, të largohen, të emigrojnë. Në këtë aventurë të tyre nuk duhet përjashtuar as nxitja nga e ashtuquajtura lëvizje e lirë dhe dëshira për ta ndërtuar jetën në një vend më të mirë se Shqipëria apo Kosova. Mirëpo, pas rënies së Murit të Berlinit edhe shumë nga parimet themelore të të drejtave të njeriut u ridimensionuan. E drejta për të lëvizur është e kufizuar, e drejta për azil gjithashtu. Europa dhe SHBA investuan shumë që vendet e Lindjes ta ndërtojnë aty Europën, por globalizimi dhe veçanërisht konfliktet që përfshinë pjesë të veçanta të globit duket se e kanë nxjerrë jashtë loje mekanizmin e ndërtuar sidomos pas Luftës së Dytë Botërore për të mjekuar plagët e katastrofave që shkaktojnë njerëzit. Ndërkaq, Shqipëria dhe Kosova vijojnë të vërtiten në kaosin e zhvillimeve gjithë amulli dhe korrupsion. Pse? Mund të ketë shumë arsye, por njëra më duket se është thelbësore. Të gjitha elitat që kanë drejtuar këtë vend kanë menduar se mjafton vetëm dashuria e tyre për atdheun që ai të mëkëmbet. Elitat tona politike e kanë përjashtuar popullin nga atdhedashuria. Gjëja e parë që këto elita kanë instaluar në këtë vend është hajdutëria. Ata, pas vitit 1990, e shpallën Shqipërinë jo si vendin e të gjithëve, por si plaçkën e tyre dhe pluralizmin, për fat të keq, nuk e kuptuan si një mundësi për të alternuar vlerat apo shpresat, por si një mundësi për të alternuar grabitjen dhe për ta bërë këtë vend të pajetueshëm. Të gjitha elitat politike në këtë vend sapo vijnë në pushtet e ndërpresin dialogun me publikun dhe u jepen me pasion polemikave me palën tjetër duke e shndërruar vendin në një arenë të pështirë të ndërrimit jo të elitave që shërbejnë, por të elitave që rrëmbejnë. Nëse në vendet e konsoliduara perëndimore, kriteri i matjes së punës së elitave politike është vlerësimi i publikut dhe rezultati, te ne është afria dhe besnikëria me udhëheqësin e radhës. Po e ilustroj me dy shembuj këtë që sapo thashë. E para, deklarata e Lulzim Bashës dhe PD-së për të goditur qeverinë për aksionin në kishën e Himarës është sindroma më brilante e asaj që thashë pak më sipër, d.m.th që elitat tona politike nuk kanë si kriter të punës së tyre publikun, atdheun, por kanë si kriter të luftës së tyre polemikën dhe kacafytjen me kundërshtarin edhe kur vjen puna për atdheun apo për historinë. Ajo që ndodhi me Kishën e Shën Thanasit është një ngjarje që u takon më shumë historianëve ta ndriçojnë sesa politikanëve. Nëse shteti shqiptar ndërmori një aksion për të rivënë në vijë ndërtimet pa leje në vendet e shenjta të kulturës kombëtare, kjo është brenda logjikës së sendeve, sepse historia jonë dhe e Ballkanit në përgjithësi është si një ndërtim pa leje. Mirëpo të rreshtohesh me kishën fanatike greke kundër qeverisë tënde, këtë nuk ka opozitë në botë që mund ta bëjë. E bëri opozita jonë. E dyta, Edi Rama, megjithëse e quajti dhe vetë katastrofë atë që po ndodh me vjeljen e të ardhurave të Shqipëri, nuk na tha se cili është shkaku dhe se cilët janë ata zyrtarë që na e kanë shkaktuar këtë dëm. Jo. Ai i mblodhi si zogjtë e klloçkës gjithë nëpunësit e tij edhe të akuzuar nga opinioni publik dhe deklaroi se këta janë të mitë dhe nuk i prek askush, sepse kriteri me të cilin i kam zgjedhur nuk është shërbimi ndaj jush, publikut, por besnikëria ndaj meje, sepse Atdheun ju nuk dini ta doni siç e dua unë. Afrim!

Leave a Reply

%d bloggers like this: