Home / Arte / Ekspozita / Një rrugëtim në identitetin tim

Një rrugëtim në identitetin tim

Gazmend Leka / Artisti vjen në një ekspozitë në Galerinë Kombëtare të Arteve, përmes tablove që tashmë janë pjesë e një koleksionisti

Gazmend Leka

“Symbolon”

TEMPULLI I BRAKTISUR. 150cm X 150cm. akril,boje metalixato mbi kanavace.

Ardian Isufi

kurator

“Symbolon” është gjesti simbolik i artistit për “të dhënë e marrë” me publikun nëpërmjet ndërveprimit të imazhit, ku çdokush nga ne, “situatë pas situate”, mund të gjejë vetveten.

Kjo ekspozitë sjell edhe një tjetër risi, atë të ballafaqimit përpara publikut të një koleksioni privat dhe shënon një marrëdhënie të veçantë mes artistit, veprës së tij, publikut, koleksionistit dhe Galerisë Kombëtare si institucioni publik që promovon artin pamor shqiptar.” Influenca e koleksionizmit është një referencë në sistemin e artit në të gjithë botën, prandaj edhe figura e koleksionistit është një hallkë kyçe në këtë sistem. Muzetë dhe galeritë më të rëndësishëm sot në botë janë themeluar nga koleksione private dhe ky është një fakt. Ekspozita që artisti Gazmend Leka prezanton sot në Galerinë Kombëtare me tablo nga koleksioni “Josifi” është një model, i cili duhet të na bëjë të reflektojmë mbi marrëdhënien që duhet të kenë koleksionet private me publikun, duke iu hapur këtij të fundit përmes ekspozitave të tilla”, tha drejtori i Galerisë së Arteve, Artan Shabani. Për kuratorin Ardian Isufi, “kjo ekspozitë vjen si një ndërthurje e arketipave të kohëve të shkuara dhe të kohërave postmoderne. Është një kryqëzim i kulturave, të cilat na bëjnë të udhëtojmë në kohë dhe të reflektojmë për të tashmen. Historia e sheh të shkuarën në kuptimin e së shkuarës. Të kuptuarit e së shkuarës, duke e vënë veten në logjikën e së shkuarës, nuk ka qenë asnjëherë e lehtë, dhe këtu nis “fillesa krijuese” për artistin që transformon historitë nën peshën metaforike të shenjës, ku kulturat e vjetra kryqëzohen me ato të rejat, duke shtyrë kufijtë e imagjinatës drejt territoreve të metafizikës”. Por vetë piktori thotë se përmes kësaj ekspozite, ai kërkon të kuptojë identitetin e tij. “Përmes kësaj pikture, unë dua të kuptoj identitetin tim, pasi të gjithë kemi një ‘Symbolon’ në vetvete dhe për mua kjo pikturë i ka hequr muret mes së shkuarës dhe së tashmes”, tha Leka. Pikturat e Lekës të bëjnë të shohësh përtej të zezës që duket në sipërfaqe. Ato ngjasojnë aq bashkëkohore, sa duket që artisti është në dijeni të plotë të lëvizjeve të reja që po ndodhin dhe evidentohen në skenën artistike europiane e botërore. Në tablotë e Lekës komunikimi ndihet me një vështrim. Dhe pse thotë se i ka ndërtuar përmes botës imagjinare që ai krijon në studion e tij, në to ndihet bota e jashtme, ajo që piktori shkel çdo ditë në rrugëtimin drejt Akademisë së Arteve, në studio apo shtëpi. Gjurmët që ai lë mbi pikturë, janë gjumë që ti i ke parë dikur. Ndoshta se historia përsëritet dhe se shenjat e së tashmes ngjasojnë aq shumë me të shkuarën. Filozofia e Lekës është disi sentimentale, si ëndrrat që atë e frymëzojnë.

 

Mustafa Ferizi

studiues

Piktori dhe grafisti Gazmend Leka vjen nga sistemi totalitar, ku çdo gjë, pra dhe arti, matej, çmohej dhe vlerësohej në bazë të kritereve politike dhe ideologjike. Prandaj, kalimet nga klishetë afro gjysmëshekullore socrealiste në moduset e kohës, në modelet artistike moderne në Shqipëri, u përcollën me dilema e tundime të mëdha. Për krijuesin shqiptar, ky kalim ishte proces plot sfida e gracka, terren fare i panjohur, përafërsisht si kalimi nga errësira në dritë. Mirëpo Leka këtë proces e kalon me intuitën e një demiurgu vizionar, i cili me kohë e kishte parandier se do të vinte çasti kur do t’i mundësohej të shprehej krejtësisht i lirë, pa censura e autocensura, pa kufizime e mbikëqyrje…

Leave a Reply

Your email address will not be published.