Kronika

Avokatët hedhin në gjyq qeverinë, kundërshtojnë kasat fiskale dhe TVSH-në

Vishaj: Jo kasës, pro aksionit. Nga 12 mijë avokatë, vetëm 1500 te Tatimet.

Gjyqi – Më 9 shtator 2015, në Gjykatën e Apelit Administrativ, në Tiranë, është caktuar seanca me palë kërkuese Dhomën Kombëtare të Avokatëve kundër Ministrisë së Financave.

Kërkesa – Avokatët kërkojnë që të vendoset kufiri minimal i regjistrimit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), të jetë 8 000 000 (tetë milionë) lekë, për vit kalendarik.

Pajisja – Lidhur me pajisjet fiskale, avokatët kërkojnë që shërbimet e tyre të mos paguhen përmes kasës, por me bankë. Sipas tyre, kjo klauzolë duhet shtuar në vendimin e qeverisë.

Nga Zamir Alushi

Avokatët hedhin në gjyq qeverinë për kasat fiskale. Më datën 9 shtator 2015, në Gjykatën e Apelit Administrativ, në Tiranë, është caktuar seanca gjyqësore me palë kërkuese Dhomën Kombëtare të Avokatëve kundër Ministrisë së Financave, në lidhje me kasën fiskale dhe TVSH-në. Megjithatë, edhe vetë drejtuesit e forumeve të avokatisë e pranojnë shkallën e lartë të informalitetit në radhët e këtij profesioni. Sipas Kryetarit të Shoqatës së Avokatëve Penalistë, numri i avokatëve që paguajnë taksa është vetëm 1500-2000, ndërkohë që janë të regjistruar me licenca rreth 12 mijë persona.

Vishaj: Jam pro aksionit

Sot, për herë të parë, u pajisa me kasë fiskale, tregon Saimir Vishaj. “Kam 19 vite punë si avokat, jam tatimpagues i rregullt. Unë jam pro aksionit të qeverisë kundër informalitetit. Ne jemi njerëz të ligjit dhe kërkojmë zbatimin e tij nga të gjithë”, kështu e nis bisedën Vishaj. Por, Vishaj nuk është dakord që avokati të mbajë kasë. “Aktiviteti i mbrojtësit ligjor është në sallën e gjyqit, ndërsa vendimi i gjykatës është kasa e avokatit. Në asnjë vend të botës nuk detyrohet avokati të mbajë kasë fiskale dhe të paguajë TVSH. Ne nuk shesim mallra, ofrojmë shërbim, por nuk e shesim këtë shërbim. Për më tepër, profesioni i avokatit është delikat sepse ka detyrime edhe për mbrojtjen e sekretit të klientit”, thotë Vishaj.

Informaliteti

“Numri i avokatëve që nuk i paguajnë taksa shtetit është i frikshëm. Nga 12 mijë avokatë të regjistruar nga Dhoma Kombëtare e Avokatëve, vetëm 1500-2000 janë të regjistruar në Tatime”, deklaron Vishaj. Qeveria të kontrollojë me listë që nga drejtuesit e Dhomës Kombëtare të Avokatisë deri tek anëtari më i fundit, që nga Presidenti i Republikës (që është avokat me licencë) tek të gjithë të tjerët me radhë. Ata që nuk janë regjistruar në Drejtorinë e Tatimeve të mbajnë përgjegjësi ligjore, qoftë edhe penale”, shprehet Vishaj. Sipas tij, një pjesë e avokatëve janë në punë në shtet dhe ushtrojnë profesionin me licencë të rregullt. Edhe ata duhet të jenë subjekte të ligjit. “Shumica e avokatëve nuk kanë zyra, nuk iu dihet adresa, punojnë ambulantë. Këta duhet të regjistrohen”, deklaron Vishaj.

Gjyqi me qeverinë

Vishaj thotë se vendimi i mëparshëm i qeverisë e trajtonte me korrektësi këtë çështje. Avokatia klasifikohej si biznes i vogël dhe kategorizohej në dy grupe, ata që kishin deri në 2 milionë lekë të ardhura në vit dhe ata që kishin deri në 8 milionë lekë të ardhura në vit. “Të rivendoset e forma e vetëdeklarimit të të ardhurave”, apelon Vishaj. Edhe Shoqata e Avokatëve Penalistë, duke mbështetur kërkesën e Dhomës Kombëtare të Avokatëve, kërkon të legjitimohet si palë në proces kundër vendimit të qeverisë që detyron avokatët të mbajnë kasa fiskale. Në letrën drejtuar ministrit të Financave nga kryetari i Shoqatës së Avokatëve Penalistë, Saimir Vishaj, kërkohet ndryshimi i vendimit të qeverisë për tatimpaguesit që ofrojnë shërbime në veprimtarinë e avokatisë (VKM nr. 1058, datë 21.10.2009, i ndryshuar). “Kufiri minimal i regjistrimit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) të jetë 8 000 000 (tetë milionë) lekë, për vit kalendarik”, kjo është shtesa që avokatët kërkojnë të bëhet në vendim. Arsyetimi është se i shërbehet më mirë publikut dhe tatimet janë më të sakta e të përballueshme në kohë. Vendimi i qeverisë për tatimpaguesit që ofrojnë shërbime në veprimtari ekonomike, sipas profesioneve, të tilla si: avokat, noter, mjek i specializuar, dentist, dentist i specializuar, farmacist, infermier, mami, veteriner, arkitekt, inxhinier, mjek-laborant, projektues, ekonomist, agronom, ekspert kontabël i regjistruar dhe kontabilist i miratuar dhe vlerësues i pasurisë, si dhe në veprimtarinë ekonomike në fushën e hotelerisë, pavarësisht nga qarkullimi vjetor, kufiri minimal i regjistrimit për TVSH-në hiqet dhe të gjithë janë subjekte të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. Vendimi i qeverisë përcakton se “tatimpaguesit që kryejnë qarkullimin e shërbimeve për të cilat pagesat nuk kryhen nëpërmjet bankës, janë të detyruar të përdorin sisteme fiskale për regjistrimin e qarkullimit duke lëshuar kuponin tatimor”. Për këtë pikë të vendimit, avokatët kërkojnë të ndryshohet me tekstin “Në rast se pagesa e shërbimit kryhet me banke nuk është e domosdoshme pajisja fiskale”. Kjo praktikë, sipas kërkesës së avokatëve, për vetë performancën e kryerjes së shërbimit të Zyrës së Avokatisë, nuk duhet të jetë. “Kjo pajisje fiskale nuk është e përshtatshme për shërbimin e avokatisë”, nënvizohet në kërkesë. “Kërkojmë që në vendim të bëhet rishikimi referuar legjislacionit tatimor”, nënvizohet në fund të kërkesës. Si precedent për të mbështetur kërkesën e tyre, avokatët sjellin rastin e mjekëve që përjashtohen nga detyrimi për kasën fiskale.

Mimoza Sadushi

Noterët: Na e hiqni kasën fiskale, kemi regjistrin

Dhoma Kombëtare e Noterëve kërkon heqjen e detyrimit për kasat fiskale për shërbimet noteriale. Kryetarja e institucionit, Mimoza Sadushi, i deklaroi gazetës “Shqip” se në takimet që janë zhvilluar me ministrin e Drejtësisë dhe me Drejtoren e Tatimeve ka kërkuar heqjen e kasave fiskale për shërbimet e noterisë. “Tek ne nuk mund të ndodhë evazion fiskal. Të gjitha veprimet regjistrohen te regjistri i përgjithshëm dhe njëkohësisht në formë elektronike në sistemin online. Ministria e Drejtësisë ka akses në këtë regjistër dhe kontrollon gjithçka. Le të vendoset edhe e drejta e Tatimeve që të kenë akses në këtë regjistër dhe të kenë informacionin e duhur. Për ne kasa fiskale nuk tregon realitetin. Regjistri është dokumenti më i saktë”, shpjegon Sadushi. Kryetarja e Noterisë shton se profesioni i noterit është specifik, shpeshherë zhvillohet jashtë zyrës dhe orarit zyrtar, prandaj kasa fiskale përbën një pengesë. Në të gjithë vendin janë të regjistruar 430 noterë, të gjithë të pajisur me kasa dhe që paguajnë rregullisht TVSH-në.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button