Home / Intervista / Mira Meksi: Do ketë ende libra për feminizmin

Mira Meksi: Do ketë ende libra për feminizmin

Kur shkruan, në të vërtetë, askush nuk është në krah të askujt 

“Ata do të shohin ty gjithnjë si një grua.” Margaret Atwood shprehet kështu teksa flet për autoret femra në letërsi.

Dhe ka plotësisht të drejtë, sepse që në krye të herës shkrimësia, letërsia ka qenë për një grua një ndërmarrje subversive. Që do të thotë se letërsia ka qenë fusha që nuk i përkiste dhe nuk i takonte të hynte, sepse që në zanafillë ka qenë pronë e burrave, ashtu siç është e tërë bota ku jetojmë, edhe sot – një botë maskiliste. Shkrimtaret e para gra as që mendohej të pranoheshin nga realiteti i shoqërisë; më pas, atyre iu njoh veç letërsia e letërshkëmbimit dhe e korrespondencës në përgjithësi. Aty nga shekulli i 19 u shpik edhe termi “letërsi femërore” dhe që nënkuptohej letërsia sentimentale dhe romantike, pa ndonjë vlerë të mirëfilltë. Shumicën e zonjave të letrave i përfolën se gjoja pas shkrimeve të tyre fshihej një “burrë”, ja bashkëshorti, ja dashnori. Ndërsa shkrimtareve femra që iu njoh gjenia e krijimit, u konsideruan me lloj-lloj epitetesh si mendje mashkull dhe trup femër, si hermafroditë mendorë, duke e konsideruar ndryshimin si inferioritet. Pa dyshim që kohërat kanë ndryshuar, por sidoqoftë, shoqëria në të cilën jetojmë sërish e sheh shkrimësinë e autoreve femra me paragjykim gjinor dhe jo në vlerën e vërtetë që ka.

 A mund të ndahet letërsia në letërsi të shkruar nga burrat dhe gratë? A mund të flitet për një shkrimësi apo letërsi femërore?

Jo, nuk mendoj. Po ta përmbledhim vetëm me një fjalë, do të thosha që shkrimësia është një aventurë e shpirtit dhe shpirti nuk ka gjini, nuk ka seks. Pra, as mund të ketë emërtim letërsi femërore dhe as mund të shtrohet çështja e një “shkrimi femëror”. Ka vetëm autorë meshkuj dhe femra. Këto emërtime janë “shpikje” e burrave për të mos i pranuar femrat në letërsi, për t’i getoizuar autoret femra dhe kanë një dozë të madhe përçmimi.

A mund të flasim sot për feminizëm në letërsi? A ka letërsi feministe?

Sigurisht që po. Nuk duhet ngatërruar me atë për të cilën folëm më sipër, me shkrimin femëror apo letërsinë femërore. Letërsia feministe shkruan për femrën, për jetën e saj gjinore, shtatzëninë, ushqyerjen e fëmijës me gji, seksin etj., por edhe për pabarazinë gjinore që ekziston, jetën shoqërore të femrës dhe tërë diskriminim që pëson në çdo aspekt të jetës së saj. Ka ese feministe, ka libra mbi feminizmin, por edhe letërsi feministe që shkruan mbi kushtet e jetës së femrës. Dhe nuk janë vetëm femra autoret e këtyre librave, ka edhe autorë meshkuj. Po marr disa shembuj: libri “Seksi i dytë” i Simone de Beauvoir është quajtur i tillë, “Shërbëtorja kuqe alle” e Margeret Atwood po ashtu, drama e Ibsenit “Shtëpia e kukullës” është konsideruar letërsi feministe.

I ka tejkaluar letërsia temat e feminizmit?

Ende nuk është arritur në këtë shoqërinë tonë njerëzore barazia gjinore apo zhdukja e diskriminimit femëror, andaj do të vazhdojë të ketë libra me temë feministe.

 Sa është një grua në krahun e një gruaje tjetër kur shkruan?

Kur shkruan, në të vërtetë, askush nuk është në krah të askujt: krijimi letrar është një proces krejtësisht vetmitar. Por e kuptoj për çfarë pyesni. Ju doni të dini se kush e ndihmon një shkrimtare femër të botojë veprën e saj, ta promovojë, të ketë hapësirë mediatike, shkrime për të. A ndihmohen gratë mes njëra-tjetrës në këtë drejtim? Ndonëse shoqëria njerëzore ka njohur progres, sërish diskriminimi intelektual ndaj femrës është i dukshëm. Nuk është aspak e lehtë për një femër të çajë në fushën e letërsisë, njësoj si edhe në fushat e tjera të krijimit. I duhet shumë më tepër talent, punë dhe erudicion se një autor mashkull, për të pasur të njëjtin vlerësim me të. Nëse një shkrimtare femër sot, kudo qoftë, arrin ta botojë veprën dhe të ketë lexuesin e saj, të jeni të sigurt që është shkrimtare shumë e mirë. Sot në botë, nga sipërmarrëse femra, por jo vetëm, janë krijuar shtëpi botuese që botojnë vetëm letërsi apo vepra të shkruara nga femrat. Kriteret e botimit janë të prera: mjafton të jesh femër dhe të kesh shkruar një libër; këto ente botuese, të cilat i bëjnë tërë shërbimet e duhura librit, po ngrihen në rang institucionesh. Është një mundësi e mirë, por realisht gjykoj që nuk është zgjidhje. Sepse, me dashje, pa dashje, ndërtohet sërish dhe kësaj here nga vetë femrat, një lloj getoizimi letrar, i autoreve femra. Pranohet dhe legjitimohet mendësia mashkullore dhe maskiliste që e ndan letërsinë në atë “normalen” që bëjnë burrat, dhe në atë “subversiven” që bëjnë femrat. Është njëlloj vetëdiskriminimi që femrat i bëjnë vetvetes. Mendoj se vetëm emancipimi i mëtejshëm i shoqërisë dhe barazia intelektuale midis femrës dhe mashkullit, përpos të tjerave, do të ishte zgjidhja e duhur.

Sazana Capriqi, dr. e shkencave filologjike, në librin e saj studimor “Shkrimi femëror”, duke iu referuar romanit tuaj historik “Frosina e Janinës”, shkruan se Mira Meksi rrëfen për një periudhë që të tjerët e kanë quajtur epoka e Aliut, kurse ajo e nxjerr me lehtësi dhe pa frikë si epoka e Frosinës. Më tej ajo bën pyetjen, e cila është edhe pyetja ime për ju: “A është kjo një shtytje e brendshme e një shkrimtareje, e cila nuk ka frikë të angazhojë shkrimin e vet për të balancuar pamjen shpeshherë të shtrembëruar të historisë së njerëzimit përmes lenteve dominuese maskiliste, ku zëri femëror ose mungon fare ose është shumë i dobët për të pasur ndonjë jehonë?” Dhe, a e keni më për zemër të shkruani për femrat, përderisa të katër romanet tuaja i kanë personazhet kryesore femra?

Po e nis përgjigjen nga pyetja e fundit. Është e vërtetë që të katër romanet e mi i kanë jo vetëm personazhet kryesore femra, por tre prej tyre edhe titullin e kanë me emra femrash. Madje romani i parafundit “E kuqja e demave” rrëfehet në vetë të parë dhe ka nota të theksuara biografike. Këtë përkim në letërsinë time e kam shpjeguar edhe herë të tjera: nuk jam nisur nga asnjë shtysë feministe apo për të luftuar kundër botës maskiliste dhe diskriminimit të femrave; as për të balancuar historinë. Unë nuk bëj letërsi feministe. Letërsia u përgjigjet të tjera ligjësive. Dy personazhet historike për të cilat kam shkruar, Frosina e Janinës dhe Teuta e Ilirisë, janë jo vetëm shumë interesante, të shumëpasura dhe intriguese letrarisht, porse kanë bërë realisht histori. Dhe unë historinë – shkrimtari siç dihet, mund të sillet edhe si historian – nuk e shoh dhe nuk e gjykoj dot të ndarë në gjini. Do të ishte fat për çdo shkrimtar të frymëzohej dhe të shkruante për to. Këtë fat e pata unë, por pa asnjë paragjykim gjinor. Ndoshta një lloj tërheqjeje e brendshme mund të më ketë shpënë drejt tyre, ngase botën femërore e njoh më mirë dhe s’kam nevojë të bëj hamendësime siç na duhet ndonjëherë të bëjmë për botën e meshkujve. Porse e vërteta është që ideja dhe frymëzimi fillestar për to e ka zanafillën në fëmijërinë time.

Çfarë ju ka frymëzuar te figura historike e Teutës për të ndërtuar një roman të tërë historik rreth saj, deri aty sa dhe e konsideroni si një simbol identitar të ne shqiptarëve.

Shumëçka, ajo është vërtet një figurë e jashtëzakonshme dhe shumë komplekse: luftëtare, udhëheqëse, stratege, diplomate, vizionare dhe dashnore pasionante. Nën mbretërimin e saj, Iliria arriti majat e lavdisë së saj – u bë një nga fuqitë e mëdha të Mesdheut. Teuta arriti të jetë simbol i shpirtit të popullit të saj dhe, pa asnjë dyshim, është pjesë e kujtesës sonë historike. Është shenjë e identitetit tonë kombëtar.

Në historinë e letërsisë, cila është ajo shkrimtare femër që ju pëlqen më shumë?

Ka shumë të tilla, por do të përmendja, Woolf, Lessing, Yourcenar, Duras …

Cili është personazhi femëror letrar që dashuroni më shumë?

Teuta e Ilirisë. Nuk e kam fjalën për romanin tim, por për atë të shkrimtares kroate Flora Dozen, në romanin “Ilirja”.

One comment

  1. O Mira bota ka nje hop cilesor, nuk eshte me maskiliste e kam fjalen per boten e qyteteruar, pra nuk eshte 100% mashkullore, Shqiperia nuk hyn ketu.Rasti I vajzes se perdhunuar qe e mitur Vishaj qe vrau perdhunuesin e saj ne kushte vetmbrojtje tregon se Shqiperia eshte shume prapa me gjykata e President bashke.

Leave a Reply

%d bloggers like this: