Ekonomia

Bletaria, biznesi që po rritet nga viti në vit

Biznesi i bletarisë dhe prodhimit të mjaltit e nënprodukteve të tij në Shqipëri po shënon rritje nga viti në vit. Sipas të dhënave të INSTAT prodhimi i mjaltit në vendin tonë, ka ardhur duke u rritur. Nga viti 2001 në vitin 2014, prodhimi i mjaltit pothuajse është dyfishuar. Bletarët tregojnë se vetëm prodhimi i mjaltit nuk është i mjaftueshëm për të pasur një performancë të mirë në tregti, ndaj ata merren edhe me prodhimin dhe tregtimin e qumështit të bletës, të propolisit etj.

Prodhimi i qumështit të bletës

Qumështi i bletës, sipas aktorëve në treg, ka pasur një rritje të konsiderueshme të prodhimit dhe kërkesës konsumatore në këto vitet e fundit. Sa i përket çmimit, bletaret  tregojnë se varet nga zonat (pra varësia me kullotat më të mira), shkojnë në 350-1000 lekë/gram. Fatmir Mehmetaj tregon se punishtja e tij në Kavajë prej vitesh tashmë është fokusuar në shitjen e qumështit të bletës, sikurse edhe të ushqimit për bletaritë, e parë kjo si një formë më e sigurt biznesi krahasuar vetëm me shitjen e mjaltit. Ai thotë se kërkesa është në rritje, sikurse edhe informacionet për të tashmë janë shtuar.

Çështjet estetike

Mjalti është një ndër përbërësit natyralë për kujdesin e trupit njerëzor, nga ana estetike. Fushat në të cilat ai është pjesë ë rëndësishme janë: lëkura, flokët, etj. Dermatologia Mira Shehu tregon se në Shqipëri nuk ka kompani të mirëfillta në fushën e estetikës që “ushqehen” nga mjalti, por jashtë ky sektor është tepër fitimprurës. Sipas dr. Shehu, mjalti ka efekte shëruese, trajtuese dhe hidratuese për lëkurën njerëzore, por kur përdoret në formën e duhur.

bkiBletarët profesionistë

Lejla Shehu, kryetare e Shoqatës së Bletarëve Shqiptarë, tregon se në Shqipëri janë te paktë bletaritë profesionale. Znj. Shehu tregon se vështirësia më e madhe që po hasin bletarët shqiptarë është investimi për një kullotë të mirë dhe të qëndrueshme. “Këtë vit u përballëm me përmbytje të mëdha, fakt ky që ndikoi në cilësinë e kullotës dhe si pasojë, e ushqimit të drejtpërdrejtë të bletëve. Nga ana tjetër, kjo ndikon në rritjen e konkurrueshmërisë në rajon e më gjerë”, – tha ajo.

Çështje që kërkojnë zgjidhje

Bletarët me përvojë të gjatë në këtë sektor në vendin tonë ngrenë si shqetësim kryesor të këtyre dy viteve të fundit përdorimin e pesticideve të “tepruara”, sipas tyre, në bimët nga ku “kullosin” bletët, përdorimi i shpeshtë i tyre çon deri në ngordhjen e bletëve.

Një çështje tjetër që mungon, sipas të gjithë aktorëve të tregut, përforcuar edhe nga kryetarja e Shoqatës Shqiptare të Bletarëve, është stimulimi. Sipas tyre, krahas granteve të dhëna nga shteti, duhet shtuar stimulimi i mëtejshëm në çështjet e prodhimit, shitjes dhe certifikimit.

Çështja e eksportit. Teksa bletarët pohojnë se dërgesat jashtë kanë qenë sporadike, ata tregojne se nuk ka laboratorë të akredituar për analiza të këtij produkti me qëllim nxitjen e tregtimit të tij.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button