Kosova

Sot, Festa e Nënë Terezës

Në kryeqytet, Prishtinë, në Katedralen Nënë Tereza në mesditë u mbajt mesha solemne, të cilës i priu Imzot Dodë Gjergji, Ipeshëv i Kosovës.

Katedralja ishte e mbushur përplot me qytetarë të komuniteteve e besimeve të ndryshme, si dhe pjesëtarë të misioneve diplomatike, pranisë ndërkombëtare në Kosovë. Festa e Nënë Terezës, po në Katedrale, vazhdon edhe në mbrëmje.

Nga ora 20:30 mbahet Koncerti i Himnit të Nënë Terezës.

Koncerti përmban vepra muzikore të kompozitorëve të njohur shqiptarë dhe botërorë, ndërsa aktorë të shquar do të recitojnë vargje kushtuar jetës dhe veprës së Nënës Terezë, humanistes së madhe dhe nobelistes shqiptare.

Në qytetin e Kaçanikut është mbajtur dje manifestim në nderim të figurës së humanistes Nënë Tereza, ku morën pjesë krerë të Kishës Katolike të Kosovës, të Bashkësisë Islame të Kosovës, përfaqësues të institucioneve qendrore dhe lokale, të ftuar të tjerë dhe qytetarë të shumtë. Manifestimi me temën “Nënë Tereza – simbol i dashurisë dhe bamirësisë” u mbajt nën kujdesin e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli. Ai çmoi lart figurën e Nënës Tereze, duke e cilësuar atë flamurtare të madhe të humanizmit dhe solidaritetit njerëzor dhe simbol universal të bamirësisë.

Kosove-Katedralja-Nena-Tereze-Prishtine-foto-ATSH-Behlul-Jashari“U zgjodh Kaçaniku për të nderuar këtë figurë të madhe të kombit tonë dhe të njerëzimit, sepse Nënë Tereza, ajo vasha e dikurshme e ndrojtur, Gonxhe Bojaxhiu, ishte bijë e këtyre trevave, Kaçanikut, Shkupit, Prizrenit, bijë e traditave të fuqishme të tolerancës fetare dhe solidaritetit, që janë të rrënjosura në kulturën dhe shpirtin tonë”, u shpreh Veseli.

Duke nderuar Nënë Terezen, shtoi kryetari i Kuvendit, ne frymëzohemi me idealin e saj të bamirësisë. “Sot, kur rrugët e Ballkanit janë të mbushura me refugjatë të ikur nga terrori i luftës në Siri, këtë frymëzim duhet kthyer në vepra konkrete, duke ndihmuar që dhimbjet e këtyre refugjatëve të pakësohen”, tha kryeparlamentari Veseli.

Ditët e Nënës Tereze është manifestimi treditësh që përfshinë edhe hapjen e ekspozitës së fotografive dëshmi kohe gjatë çerekshekulli – 25 vjetëve të Shoqatës Humanitare Bëmirëse të Kosovës Nëna Terezë, e cila u themelua edhe si pjesë e rezistencës përballë pushtimit e dhunës dhe e lëvizjes gjithëpopullore për liri e pavarësi. Ekspozita është hapur në Katedralen Nëna Terezë në Prishtinë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button