Arte

Një kushtim për shqiptarë, fise e troje të moçme

Nga Bajram Peçi

hartë e vitit 1687. Zotërimet venedikase në Detin Jon që i quanin Bregdeti Shqiptar
Hartë e vitit 1687. Zotërimet venedikase në Detin Jon që i quanin bregdeti shqiptar

Një pjesë të vlerësueshme të historisë së shqiptarëve në shek. e 19-të e kemi nga europianët. Ata e panë dhe shkruan, e pikturuan dhe e dokumentuan përmes udhëtimeve të William Martin Leake, William Gell, Ami Boue, Johan Georg fon Han dhe madje edhe e fotografuan me të parat pajisje dritëshkronjë që mbërritën prej fotografit Jozef Szekely (1863). Udhëtarë të mëdhenj, poetë e studiues, piktorë, ëndërrimtarë e aventurierë përshkuan trojet ku banonte kombi ynë, nga Gjiri i Artës, Janina e Manastiri, Kurshumlie, Novipazar e deri në bregun e epërm të Tivarit. Ndërsa Bajroni ua përshkroi artistikisht europianëve racën e tiparet e shqiptarëve përmes poezisë, një tjetër bashkëkombës i tij, Eduard Lear, ua paraqiti vendet ku jetonte ky popull përmes peizazheve, nga ku ngjyrat përcillnin grishje magjepsëse për t’i parë këto vende e që s’vonoi të ngërthente dhjetëra të tjerë. Deri në këto kohëra udhëtarësh europianë, ne rrallëherë e kishim vlerësuar veten dhe vendin. Ndodhur nën pushtimin obskurantist otoman, ishim pothuaj analfabetë dhe kombit i mungonte një elitë intelektuale, e cila ende nuk kish filluar të ngjizej. Por europianët, me qytetërimin e tyre, me epërsinë kulturore, ishin në gjendje të bënin diçka për ne dhe ta bënin mirë paraqitjen e këtyre njerëzve, që mbartnin si histori të tyre e njiheshin përpos se si populli që u bëri rezistencë pushtuesve turq, me heroin Skënderbeg.

Peisazhe të Pargës dhe Sulit nga Eduart Lear të vitit 1849
Parga, gravurë e mesjetës
Parga, gravurë e mesjetës

Paketa Digitalb ka disa javë që te dokumentarët jep një cikël për artin kulinar mesdhetar, që drejtohet nga një mjeshtër kuzhine si britaniku Rik Staini. Rasti e deshi që në një të diel të ndodhesha duke ndjekur atë që fliste për Korsikën, kur, befas, filloi të jepte disa shembuj nga Eduard Lear dhe shoqëruesi i tij shqiptar, Gjergj Kokalli, i cili ua paraqiste vendasve korsikas piktorin si ministër i Financave të Anglisë. Në javën pasardhëse, nuk vonoi dhe Rik Staini u rishfaq për të paraqitur kuzhinën popullore të ishullit të Korfuzit. Dhe ku shkoi ai, do thoni ju? Te një familje ku e moshuara e shtëpisë e kish emrin …Lule!? Pak më tej, te një familje tjetër me mbiemrin Sulotis. Provoni t’i hiqni prapashtesën tipike “s” që grekët u ngjisin nga pas emrave dhe na del një familje me mbiemrin Sulioti dhe tjetra me emër tipike shqiptare. Emra të onomastikës shqiptare ndesh plot në ishull: Petriti, Mani, Molos, vatha, petale.

Shqiptarët e Korfuzit Për ne shqiptarët, ishulli i Korfuzit, “Ksamil”-je larg bregut shqiptar, ka qenë e vazhdon të mbetet ende një ujdhesë po aq e largët sa dhe ishulli fantazmë i thesarit. Tregtarët e vegjël lebër të gjysmës së parë të shekullit XX, që shkonin të shisnin atje lëkurë, lesh, gjalpë e djathë e të blinin drithë, as që bëhet fjalë se mund të na linin ndonjë kujtim apo kronikë të shkruar. Nga të tjerë të mëpasshëm, emigrantë politikë apo ekonomikë, nuk kam mundur të gjej ndonjë të dhënë, përpos shtypjes së ca pullave postare në çerekun e parë të shek. XX. Gjithashtu, edhe versionin e mbërritjes nga Amerika të flamurit kombëtar që u ngrit në Vlorë ditën e shpalljes së pavarësisë, më 28 Nëntor 1912, version që vjen nga gazeta “Dielli”, sipas të cilit na thuhet se flamuri ishte përgatitur nga kolonia shqiptare e Bostonit në vitin 1911 dhe patrioti Nuçi Naçi e shpuri deri në Korfuz, ku ilegalisht e mori Marigoja, të fshehur në veshjen e saj. Rrëmoj nëpër libra, ku përpos historisë që na rrëfen Aleksandër Duma tek “Ali Pashë Tepelena-Krime famëkeqe”, botim i “Saras”, nëpër botime të tjera të ndryshme gjej plot të dhëna të vyera. Mbresa nga gjetjet dhe kërkimet është sa befasuese aq dhe tërheqëse.

Historia e ishullit ka shumë ngjashmëri dhe fate të njëjta me bregun shqiptar që shtrihej në kahun lindor të tij. Historianët na thonë se fisi liburn themeloi shtatë shekuj para Krishtit Korkyrën; u bë më pas një koloni e Korinthit; nga viti 299 p.e.r u pushtua nga romakët e me radhë bizantinët, normanët, gjenovezët, anzhuinët, tarantasit, Tocco-t, despotët shqiptarë, napolitanët, deri sa mbërrijnë venedikasit. Ishte mbreti i Napolit që ua shiti ishullin venedikasve në vitin 1404, për 30 mijë dukatë. Për shekuj të tërë ka qenë nën hierarkinë e kishës katolike. Përkarshi bregut kontinental, Venediku vuri nën sundim dhe nën një qeverisje me Korfuzin qytetet-porte, Prevezën, Butrintin dhe Pargën, që quheshin “bregdeti shqiptar”. Në vitin 1716 mbërrijnë gjermanët që mbrojnë ishullin nga rrethimi turk dhe në 1797, francezët. Për pak kohë madje edhe rusët. Të gjithë këta popuj kanë lënë atje gjurmët e tyre.

Peisazh i Beratit nga Eduart Lear, 1856
Peisazh i Beratit nga Eduart Lear, 1856

Fillimisht, te një histori e Napoleon Bonapartit gjej njoftimin me karakter ushtarak të pranisë së shqiptarëve në ishull, “Le regiment des Albanias”. Traktati i Campo Formio-s i kishte lënë shtatë ishujt jonianë në një vetëqeverisje, nën kujdesin francez. Ushtarët vendas shqiptarë dhe ata francezë garantuan “pavarësinë”, deri kur u shpërbënë, sepse ia mbërritën britanikët, të cilëve Traktati i Parisit i vitit 1815, meqë i shndërronte shtatë ishujt dhe qytezën e Pargës në protektorat britanik, i bënte sundimtarë. Shqiptarët në ishull tashmë janë bërë faktor, por pas një dhjetëvjeçari është koha kur ata bëhen përcaktues, bërthamë e fuqishme njerëzore, deri në ndikim dritëpërçues të pavarësisë greke. Prej këtu dolën dhe u vunë në krye të kryengritjes disa nga figurat e mëdha udhëheqëse, që rrjedhin nga fisi i Boçarëve e Xhavellëve. Po nga shqiptarët e Korfuzit, Greqia pati edhe të parin president (1828-1831), i njohur si Kapodistria, por që ishte një shqiptar me origjinë nga lagjja Manalat e Gjirokastrës, me emrin e pagëzimit Gjon Gjika, i biri i Andon Gjikës, i birësuar nga Viktor Kapodistria. Mënyra e shtjellimit të subjekteve shqiptare dhe perceptimi i brendisë së Korfuzit social e politik, zë fill me historitë e fiseve shqiptare të Sulit dhe Pargës. Historia e Korfuzit është e ndërthurur ngushtë me historinë e Sulit dhe Pargës, njëri qytet-port i banuar me shqiptarë ortodoksë dhe tjetra krahinë malore shqiptare, e banuar dhe kjo kryesisht me të krishterë ortodoksë. E vërteta me shijen e saj të hidhur ngjan më e thjeshtë nga sa më dukej në fillim. Bëhet fjalë për shqiptarë të përzënë masivisht prej Ali Pashë Tepelenës nga trojet e tyre e që u vendosën në Korfuz.

Shqiptarët e Sulit
Ishte dikur në krahinën e Çamërisë një popullsi banorësh të lirë që jetonin si blegtorë dhish në malet Murga, Kaugji, Qafa, Bira, Zabruku e Kurila. Shpalosja e historisë së kësaj fáre fisnike, tani, pas 200 vjetësh, tingëllon vërtet si një legjendë që vjen nga kohëra që s’mbahen mend, por rendi i rreptë që zbaton historia bën që t’i lidhë dhe t’i bashkojë në një me historinë e kombit. Në fillim të shekullit XIX, popullsia e këtyre maleve nuk bëhej më shumë se 10 mijë vetë. Suljotët banonin në katër fshatra: Suli, Qafa, Avariko dhe Samonina, por dhe disa parafshatra të tjerë rrotull, që ishin nën ndikimin e tyre. Ngase pushtetin aty e kishte në dorë që nga shek. XVII, Këshilli i Sulit, i cili përbëhej nga krerë të fiseve Xhavella, Boçarë, Fotomaraj, Ohrojka, Dangëllinjë, Nikaj, etj., Elena Gjika e kishte quajtur “Republika e Sulit” këtë popull që vetëqeverisej si “e pavarur” nga Stambolli.

Kur revista “Albania” e Konicës shkruante se “…krijon një çmim prej 1000 frangash që do t’i jepet në muajin tetor 1897 atij që mund të provojë se ndër heronjtë e pavarësisë greke ka pasur qoftë edhe një të vetëm që nuk ishte me origjinë shqiptare apo vllahe”, nuk e bënte këtë për humor. Përkundrazi! Ai shihte se grekët e pas 50-60 vjetëve më pas përpiqeshin me gjithçka kishin në dorë të ndryshonin historinë. Një nga synimet ishte që shqiptarët suljotë (të krishterë) prej nga vinin një pjesë e madhe e udhëheqësve të luftës për pavarësi, për shkak të besimit t’i paraqiste si popullsi greke. Është i njëjti qëndrim që mban edhe sot me ortodoksit e tjerë shqiptarë. “Me historianët (grekë) që thonë se suljotët janë grekë, në kuptimin e dallimit të grekëve nga shqiptarët, nuk fitojnë asgjë përveç përqeshjes”-shkruan Aristidh Kola tek “Arvanitët dhe prejardhja e grekëve”
Në morinë e krimeve të Ali Pashait, kronikanët dhe shkrimtarët rendisin si më tronditëset ligësinë në përndjekjen e suljotëve, pushtimin gjakësor të Pargës dhe vdekjen e gruas, Eminesë, vajzë e pashait të Delvinës. Ndonëse është e kotë që të futesh në arsyet e motivit nga zuri rrugë zjarri i hakmarrjes të pashait, vlen të shpjegohen disa gjëra të larguara në kohë. Në mes të tablosë së përgjakshme, me kaq shumë ligësi, pabesi e tradhti brenda, mbisundon argumenti se suljotët ishin shndërruar në plaçkitës të pasurisë së bejlerëve që ishin në zotërimet e Ali Pashë Tepelenës. Këtë version mbrojnë edhe Gabriel e Vangjel Meksi në botimin e “Plejad”, “Ali Pashë Tepelena”. Sabri Godo te romani historik për Ali Pashanë përmend vendosjen e suljotëve nga ana e Moskovit e që “u nxitën nga rusët” për grabitjet dhe veprimet luftarake në toka nën juridiksionin e Aliut. Në botimet historike greke jepet si shkak të qenët e suljotëve të krishterë ortodoksë, të cilët një pasha otoman si Aliu nuk i donte t’i kish në zotërimet e tij. Luftën mes tyre e shpjegojnë si luftë të grekëve kundër turqve (???!). Në historinë “Shqipëria, e shkuara dhe e sotmja (1919)” të Kostandin Çekrezit, ndaj tyre autori, pasi shkruan se “…mizoria që tregoi (Aliu) ndaj suljotëve kristianë ishte e tmerrshme”, kundërvë argumentin se “Aliu nuk ishte njeri që influencohej nga preferencat fetare”. Mbase, arsyeja më e pranueshme është ajo që shkruan historiani Edwin Jacques, se “Suli ishte pengesë drejt pushtetit të tij”. Cilado që të ketë qenë arsyeja, ajo shpuri në zhdukjen e një popullate shqipfolëse, në shpërbërjen e një historie dhe shndërrimin e tyre nga shqiptarë në grekë. Kjo është e vërteta!
Ju male që shihni si zbresim në zall/Ja kthehemi mundës, ja nuk vijmë gjallë “Çajlld Harolld” – Bajron Ata dhe pavarësinë e tyre, ai nuk kish mundur as t’i blinte dhe as t’i përmbyste. I kish sulmuar me një ushtri dhjetë mijë vetëshe, por ishte thyer keqazi. Pas disa dështimeve, luftën Aliu ua shpalli suljotëve të pavarur në vitin 1803. Në shtator, Veli pashai, i biri i Aliut, filloi operacione të pandërprera, pushtoi gjithë grykat e qafat e Sulit dhe e mbajti nën rrethim të pandërprerë. Në fund të shtatorit 1803, suljotët, që tashmë vuanin urinë e tradhtinë, të përçarë nga grindjet e brendshme, u thyen. “U bë e qartë – shkruan Aleksandër Duma – se herët a vonë suljotët fatkëqij duhej të nënshtroheshin”.
Dorëzimi përfundimtar u nënshkrua në muajin dhjetor. Në traktat përcaktohej se ata mund të vendoseshin ku të dëshironin, me përjashtim të maleve. Aliu dinak nuk e mbajti fjalën. Suljotët u ndanë në dy grupe të mëdha. Ndërsa një grup i madh banorësh nxitonte për në Pargë, u sulmua nga forcat e Aliut dhe shpëtoi falë instinktit luftarak vetëmbrojtës. Grupi krijoi një katror marshimi me fëmijët, gratë e pleqtë e moshuar në mes, të gardhuar nga luftëtarë mbrojtës. Kështu, përmes luftimesh, ia mbërritën të hyjnë në qytetin e Pargës dhe prej andej lundruan për në Korfuz. Paksa prej tyre përfunduan në ishuj të tjerë jonianë. Grupi i dytë që shkonte për në Prevezë, u sulmua para se ata të mbërrinin në manastirin e Zalongut. Një betejë e përgjakshme dhe e pabarabartë përfundoi me gjakderdhje, që mbeti në histori si një nga krimet mizore të Aliut. Gjithë burrat suljotë u masakruan, pa lënë asnjë gjallë, ndërsa gratë me fëmijët i lanë heroizmit shqiptar një legjendë që këndohet e kujtohet brez pas brezi: u hodhën nga shkëmbinjtë e thepisur, të zëna për dore me valle e këngë në gojë. Mbi të tjerë suljotë që kishin mbetur pranë vatrave amtare në malet e tyre, ra ndëshkimi. Atyre që shpëtuan dhe të tjerë të larguar, Aliu, pasi mbi kokën e tij rëndoi fermani i Sulltan Mahmudit II, u përpoq ta mbushte Sulin, u kërkoi të riktheheshin për të organizuar rezistencën. Tashmë ishte vonë, fati i tij dhe i Sulit heroik ishte përcaktuar!

Shqiptarët e Pargës
Pargës i njihet si kohë themelimi shek. XIII me themelues të saj shqiptarët e krishterë. I ngritur në breg të Detit Jon, qyteti qëndronte e ngrihej në një shpat të pjerrët. Në shpinë të saj ndodheshin vendbanimet shqiptare të Rrapësës, Livadhit, Lëkurësit, Shënedjellës dhe Tabanit. Përkarshi është një ishullth, ku banorët kishin ngritur objektin e kultit, Klish’ e Shën Mërisë. Banorët e Pargës ishin krejt të ndryshëm nga grekët. Vetëm kishat kishin pak ngjasime në rite, por të qenët 400 vite, nga viti 1404 zotërim i Vendikut, kish kultivuar atje edhe rite e arkitekturë katolike. “Në kisha greke, mesha çohej me ritin latin dhe anasjelltas. Riti grek filloi të zmbrapsej gjatë shek. XVII. Liturgjia latine e kish fituar betejën…Ritin ortodoks nuk e praktikonin vetëm grekët. Ky u përkiste gjithashtu shumë shqiptarëve”, – shkruan te “Historia e Adriatikut” historiani Oliver Chaline. Ata ishin shqiptarë të Çamërisë dhe flisnin siç flasin edhe sot e gjithë ditën çamët e moshuar që jetojnë në Shqipëri. Po i njëjti autor te kjo vepër na kujton se “…gjuha (greke) do flitej në një gjendje dialektore deri në vitin 1930”.
Vijon nesër…

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button