Home / Politika / Këshilli i Mandateve pranon kërkesën e Prokurorisë për deputetin Prenga

Këshilli i Mandateve pranon kërkesën e Prokurorisë për deputetin Prenga

META ILIRKëshilli i Mandateve miratoi mbrëmjen e së dielës kërkesën e Prokurorisë për heqjen e imunitetit të deputetit të Partisë Socialiste, Armando Prenga. Ky i fundit, që mbahen në arrest nga policia, është paraqitur i shoqëruar nga uniformat blu përpara kolegëve të tij deputetë.

Prenga jo vetëm që mohoi akuzat, por deklaroi se ishte ai që ishte kërcënuar nga pala tjetër në konflikt.  “Nuk ka hyrë unë në konflikt fizik apo me arnë sepse nuk kam pasur nevojë të marrë armë tjetër kur kam pasur armë me leje. Kjo është një vorbull e krijuar për mua dhe familjen time, por besoj se drejtësia do të nxjerrë të vërtetën. Unë do të jem i duruar duke pritur vendimin e drejtësisë. Ky është thjesht një sajim nga komisionerët e PD-së. Shkoni e pyesni atje se çfarë opinioni kanë për ta. Një ngjarje e tillë i ka ndodhur vetëm Armando Prengës apo ju ka ndodhur edhe të tjerëve?”, u shpreh Prenga.

Por pas mohimit te akuzave, pas te cilave Armando Prenga la sallën e Këshillit të imunitetit,  përfaqësuesi i organit të akuzës pohoi se deputetit të Laçit i është gjetur gjurmë baruti në duar.  “Në vendin e ngjarjes janë gjetur gëzhojat e dy armëve. Nga të gjithë personat që kanë qenë në këtë ngjarje, vetëm dy rezultojnë që kanë pasur shenja baruti në duar, një prej të cilëve është deputeti Armando Prenga”, tha deputeti i PD-së, Strazimiri.

Ndryshe nga seancat e mëparshme të Këshillit të Mandateve, në rastet “Doshi” dhe “Frroku”, Këshilli i Mandateve nuk ka pasur debate dhe ka shkuar shpejt drejt votimit unanim të të dyjave palëve për t’i hequr Armando Prengës imunitetin. Por ashtu siç pritej, ngjarja e Laçit për opozitën është vërtetim i atyre qëndrimeve dy vjeçare të saj.

“Po na mbyt krimi. Të gjithë bashkë duhet të kuptojmë që nuk mund të kemi frikë nga shteti i kriminelëve, ai është vetëm për t’u rrëzuar”, u shpreh Strazimiri.

Ndryshe nga sa ishte njoftuar, Parlamenti do të afrojë orën e mbledhjes së seancës së parë të këtij sesioni në orën  10:00 të paradites së të hënës, ku do të votohet vendimi i Këshillit të Mandateve për deputetin Prenga, votim që pritet të pasohet nga vendimi i gjykatës për masën e sigurisë për deputetin e Laçit.

Leave a Reply

%d bloggers like this: