Politika

Tirana për tre ditë kryeqytet i botës besimtare

BEsimiiiPër tre ditë Tirana është kryeqyteti i gjithë botës besimtare, si vendi i paqes dhe harmonisë fetare.

Paqja, toleranca fetare dhe dialogu janë kryefjala e takimit të 28-të Ndërkombëtar për Paqen, që nisi pasditen e së dielës në Tiranë (6 shtator) dhe do vijojë edhe në datat 7 dhe 8 shtator, në përkujtim të 20-vjetorit të përfundimit të luftës së fundit në Ballkan dhe që organizohet nga Komuniteti Sant’Egidio, në bashkëpunim me Konferencën Ipeshkvnore të Shqipërisë, Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe qeverinë shqiptare.

Në ceremoninë e hapjes së këtij takimi në Pallatin e Kongreseve, Kryeministri Edi Rama u uroi mirëseardhjen në vendin e bashkëjetesës fetare rreth 4000 persona, mes të cilëve krerë të besimeve fetare botërore (katolikë, ortodoksë, protestantë, myslimanë, hebrenj, zoroastrianë, sikh, budistë dhe shintistë), nga Italia, Gjermania, Franca, Belgjika, Iraku, Izraeli, India, Rusia, Indonezia, Qipro, Japonia, Kina, Australia, e shumë vende të tjera nga Europa, Afrika, Azia e Amerika Latine.

“Mirësekeni ardhur në Shqipëri, në vendin që Papa Françesku e quajti vendin e vllazërisë fetare. Ndonëse po ju drejtohem thjeshtë dhe pa emërtesat ceremoniale, të jeni të sigurtë se keni vlerësimin tim më të lartë, jo vetëm për atë që përfaqësoni, por edhe për atë përmasë të paçmuar shpirtërore që përçoni në kohët e vështira që jetojmë, si melhem për qindra mijëra milion besimtarë, por edhe njerëzve vullnetmirë”, iu drejtua kryeministri Rama të ftuarve në nisje të takimit.

Por Rama veçoi një prej të ftuarve. “Askush nuk do të më mbajë mëri, nëse përshëndes në mënyrë të veçantë, një bari shpirtrash i cili vjen për herë të parë në Shqipëri duke na e bërë të gjallë me praninë e tij, rezistencën përballë martirizimit të popullit iraken dhe të krishterëve atje, në mënyrë të veçantë. Prandaj, për forcën e paepur morale dhe për kujtesën që na përcjell që lindja e ardhme e bashkëjetesës fetare dhe e krishtërimit shpirtbardhë irakian nuk ka vdekur. Qofshi i mirëseardhur në Tiranë” i tha Rama imzot Sakos, Patriarku i Babilonisë së Kaledjve.

“Ja ku jemi këtu sot në të njëtin vend, në këtë pallat i cili u çel për ti bërë jehon progandës më të shfrenuar të një regimi atesit. Pikërisht ky pallat, ka mbledhur këtu së bashku të gjthë ju si shprehja më kuptim plotë se paqja jo vetëm është e mundëshme por edhe e vetmja mundësi që e ardhmja na afron. Kjo nismë është edhe një ekologji e shpirtit të arsyes”, tha Rama.

Në këtë takim u lexua edhe një letër e shkruar nga Papa Françesku, ku shpjegon edhe një herë se arsyeja e vizitës së tij vitin e kaluar në Shqipëri ishte për shkak të bashkëjetesës në vendin tonë. Më tej në letrën e Papa Françeskut, i bëhet thirrje të gjithëve për të mos qëndruar indiferent ndaj krizës së emigrantëve, që janë larguar nga vendi i tyre për shkak të luftës.

Papa Françesku: Nga Shqipëria mund të lindë një profeci e re paqeje

“Ju përshëndes të gjithëve me respekt dhe shpresë se takimi ndërkombëtar për paqen mbahet në Tiranë. Këto takime janë në vazhdën e rrugëtimit të nisur nga Shën Gjoni Pali i II, i cili realizoi takimin e parë historik në Asizi në tetor 1986. Qysh atëherë u çel një shtegtim në të cilin marrin pjesë burra dhe gra që iu përkasin besimeve të ndryshme që vit pas viti ndalet në qytete të ndryshme të botës.Nis takimi 28-te Nderkombetar per paqen ne Tirane Foto Agim Dobi (14)

Ndërsa ndryshojnë skenarët e historisë, popujt janë të thirrur të ballafaqohen me shndërrime të thella, ndonjëherë dramatike. Ndihet gjithnjë e më shumë nevoja që ndjekësit e besimeve të ndryshme të takohen, të dialogojnë, të ecin së bashku e të bashkëpunojnë për paqen, sipas shpirtit të Asizit që përmenden në dëshminë e shndërritshme të Shën Françeskut.

Këtë vit ju keni zgjedhur të ndaleni në Tiranë, kryeqyteti i një vendi që u bë simbol i bashkëjetëses paqësore mes besimeve të ndryshme fetare pas një historie të gjatë vuajtjesh. Është në zgjedhje që unë e bashkëndaj, siç e tregova me vizitën time që kreva në atë qytet në shtatorine vitit të shkuar. Unë zgjodha Shqipërinë, si vendin e parë evropian që doja të vizitoja pikërisht për ti dhënë zemër bashkëjetesës paqësore, pas përndjekjeve tragjike që pësuan besimtarët shqiptarë gjatë shekullit të kaluar. Lista e gjatë e martirëve na flet ende sot për atë kohë të errët, por na flet edhe për forcën e besimit që nuk dorëzohet, nuk thyhet nga prepotenca e së keqes.

Nis takimi 28-te Nderkombetar per paqen ne Tirane Foto Agim Dobi (12)Në asnjë vend tjetër në botë nuk ka qënë kaq i fortë vendimi për të përjashtuar Hyjn nga jeta e një populli. Mjaftonte qoftë edhe një shenjë e vetme fetare për të dënuar me burg, madje edhe me vdekje. Kjo ndodhi shumë e zezë e ka prekur thellë popullin shqiptar deri në çastin e lirisë së rigjetur, kur anëtarët e bashkësive fetare, të goditur nga vuajtjet e përbashkëta kanë filluar sërish të jetojnë në paqe së bashku. Për këtë miq të dashur, unë ju jam vërtet mirënjohës veçanërisht ju që keni zgjedhur Shqipërinë. Do të doja të theksoja së bashku me ju atë ç’ka thashë vjet në Tiranë, bashkëjetesa paqësore dhe e frytshme mes personave dhe bashkësive që iu përkasin besimeve të ndryshme fetare është vetëm ajo ç’ka dëshirojmë dhe krejtësisht e mundur e zbatueshme.
Ky është shpirti i Asizit, të jetojmë së bashku në paqe, duke kujtuar se paqja dhe bashkëjetesa kanë një themel fetar. Lutja është gjithnjë në rrënjët e paqes dhe pikërisht sepse e ka themelin e vet paqja është gjithnjë e mundshme ështu siç është emërtimi i takimit tuaj i këtij viti.

Është e nevojshme që të forcohet sidomos sot kur në disa pjesë të botës duket sikur po fiton dhuna, përndjekja dhe shkelja e lirisë fetare, bashkë me nënshtrimin e njerëzve përballë konflikteve e luftrave të cilat vazhdojnë. Nuk duhet t’i dorëzohemi kurrë luftës dhe nuk mund të qëndrojmë indiferent përpara atyre që vuajnë për shkak të luftës dhe dhunës.
Për këtë arsye unë zgjodha për ditën e ardhshme botërore të paqes fjalinë “mposhte indiferencën dhe fitoje paqen”. Por dhunë nuk është vetëm të ngresh mure e pengesa për të bllokuar atë që kërkon paqe, dhunë është të zmbrapsësh atë që largohet nga kushtet çnjerëzore duke shpresuar në një të ardhme më të mirë. Është dhunë të përjashtosh fëmijë e të moshuar nga shoqëria dhe vetë jeta.

Është dhunë ta zgjerosh hendekun mes atij që harxhon tepricën dhe atij që ka nevojë për gjerat më thelbësore. Në këtë botën tonë besimi tek Hyj na bën të besojmë dhe të themi me zë të lartë se paqja është e mundshme. Si besimtarë ne jemi detyruar ta rizbulojmë përsëri këtë thirrje universale për paqen, e cila ndodhet në zemrën e traditat tona fetare dhe t’ia ripropozojmë me guxim burrave dhe grave të kohës sonë.

Dhe e theksoj atë që thashë gjithmonë në Tiranë, besimi i mirëfilltë është burim paqeje dhe jo dhune. Askush nuk mund të përdorë emrin e Hyjit për të ushtruar dhunë. Të vrasësh në emër të Hyjit është një sakrilegj i madh. Të diskriminosh në emër të Hyjit nuk është njerëzore. Të dashur miq të thuash që paqja është gjithmonë e mundshme nuk është një fjalë e lehtë, por shpreh besimin tonë se asgjë nuk është e pamundur për Hyjin.

Sigurisht na kërkohet një përfshirje personale ashtu edhe e bashkësive tona për punën e madhe për paqen. Nga toka shqiptare, nga toka e martirëve të mund të nisë të lindë një profeci e re paqeje. Unë bashkohem me të gjithë ju që në shumëllojshmërinë e traditave fetare ne të mund të vazhdojmë të jetojmë pasionin e përbashkët për rritjen e bashkëjetesës paqësore në të gjithë popujt e tokës”.

Klosi: Shqipëria, vendi i harmonisë fetare

Ministri i Mirëqënies Sociale Blendi Klosi deklaroi se takimi i 28-të organizohet në kryeqytetin e harmonisë fetare. “Vetëm në 2 vjet mbështetëm ndërtimin e Xhamisë së Madhe përuruam katedralen e Ortodokseve, pritëm të gjithë sëbashku Papa Franceskun dhe në këto ditë të paqes do përurojmë odeonin e bektashinjve. I nderuar që ju drejtohem në këto ditë, për të thënë se paqja është gjithnjë e mundur”, tha Klosi.

Si përfaqësues të shtetit , vijoi ai, ne kemi detyrimin të garantojmë të drejtën e besimit për të gjithë qytetarët. Shqipëria, sipas tij, është e shndërruar në pikë referimi të bashkëjetesës fetare. Në këtë takim tre ditor marrin pjesë edhe personalitete të shquara të politikës, personalitete të larta të të gjitha besimeve fetare, historian, filozofë, ekspertë të zhvillimeve ndërkombëtare, përfaqësues të botës akademike, gazetarë, teologë, shkrimtarë të njohur. Në Lutjen për Paqe 2015 janë të ftuar rreth 400 personalitete politike dhe jo vetëm, mes tyre: zv.presidenti i Parlamentit Europian, ministri i Jashtëm italian, ministri italian i Drejtësisë, Sekretari i Përgjithshëm “Besime për Paqen” Japoni, Zv.ministri i Bashkëpunimit dhe Zhvillimit nga Gjermania, ministri i Punëve të Jashtme nga Salvadori, si dhe ish-president i Komisionit Europian, Romano Prodi.

Edhe dita e dytë vijon me panele të ndryshme rreth zhvillimeve ndërkombëtare. Përmes dialogut dhe promovimit të paqes i kundërvihemi dhunës me propozime konkrete dhe të realizueshme, tematika e të cilave do të diskutohet në panelet e organizuara me rastin e këtij eventi.

Propozimet konkrete do të jenë për t’u thënë “Ndal!” konflikteve në botë. Propozimet konkrete do të vijnë nga vendet në konflikt si Siria, Iraku, Nigeria, Mindnao (Filipinet) dhe Libia. Aktivitete me të rinjtë do të pasurojnë këtë event me tematikë “Nuk ka të ardhme pa Paqe!”. Dita e tretë do të shpallë Apelin për Paqen në të gjithë botën, ku secili nga pjesëmarrësit është i ftuar ta nënshkruajë. Mbjellja e pemës së parë të Paqes nga të gjithë krerët e besimeve fetare do të mbyllë eventin.

Nderkohe Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti në pallatin e Brigadave mbrëmjen e së dielës pjesëmarrësit e takimit të 28-të Ndërkombëtar për Paqen që po mbahet në vendin tonë. Lider të feve kryesore nga mbarë bota, si dhe përfaqësues shtetesh çelën në Tiranë manifestimin ndërkombëtar për paqe.

Presidenti Nishani, në fjalën e tij duke vënë theksin te harmonia dhe toleranca fetare që ekziston në vendin tonë tha se pikërisht këto, po ndihmojnë në integrimin europian të vendit, pasi janë garanci e stabilitetit dhe përmbushjes së standardeve të kërkuara për të qënë pjesë e familjes së madhe europiane.

Paqja, toleranca fetare dhe dialogu janë në qendër të takimit të 28-të Ndërkombëtar për Paqen, që nisi pasditen e së dielës në Tiranë (6 shtator) dhe do vijojë edhe në datat 7 dhe 8 shtator, në përkujtim të 20-vjetorit të përfundimit të luftës së fundit në Ballkan dhe që organizohet nga Komuniteti Sant’Egidio, në bashkëpunim me Konferencën Ipeshkvnore të Shqipërisë, Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe qeverinë shqiptare.

Aktivitetet për lutjen e paqes filluan të dielën dhe do të zgjasin deri ditën e martë pasdite ku pritet të inaugurohet edhe parku i paqes, vend ku do të mbillet në mënyrë simbolike pemë ulliri.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button