IntervistaTe ndryshme

Shpëtimi i hebrenjve, një rrëfim historik për Shqipërinë dhe shqiptarët

Intervistë me znj. Felicita Jakoel, presidente e Shoqatës së Miqësisë Izrael-Shqipëri 

Nga Monika Shoshori Stafa

Shqiptarët i mbrojtën hebrenjtë si rrallëkund në botë. Ndryshe prej vendeve të tjera e shkelur gjatë pesë viteve rresht nga këmba e ushtarit të huaj, ishte e rreshtuar në aleancën botërore kundër fashizmit, sikurse u njoh e tillë edhe në Konferencën e Paqes në Paris, më 1946-n. Kur flitet për shpëtimin e hebrenjve për të qenë realistë në gjykim, ata duhen ndarë në dy grupe: në hebrenj rezidentë, shtetas të një vendi dhe në hebrenj të mërguar, jorezidentë. Pothuajse të gjitha shtetet europiane kanë bërë përpjekje ku më shumë e ku më pak t’i shpëtojnë hebrenjtë e tyre. Mbi të gjitha Shqipëria nuk pranoi me kuota dhe nuk raportoi kurrë kuota të realizuara.

Sipas regjistrimit të parë të popullsisë (1929-1930)në Shqipëri jetonin jo më shumë hebrenj, shtetas shqiptarë me qëndrim të përhershëm. Në dokumentet e Reich-ut të tretë deri në vitin 1939, madje deri në Konferencën e Wannsee-t, Shqipëria kishte vetëm këta 200 hebrenjtë e vet. Por natyrisht, numri i tyre u rrit edhe më shumë me shpëtimin e qindra të tjerëve që vinin nga Mali i Zi (Kotorri), Kroacia, Serbia, Kosova, Maqedonia dhe Bullgaria e vende të tjera.

Pikërisht për ato familje që ishin autoktonë në Shqipëri dhe jo vetëm, që nga regjistrimi i parë, flet në një bashkëbisedim të gjatë, Felicita Jakoel, shqiptare-hebreje, një nga bijat e familjeve të pasura Matathia dhe Jakoel dhe njëkohësisht Presidente e Shoqatës së Miqësisë Izrael – Shqipëri. Ajo tregon në rrëfimin e saj arsyet se përse familjet e saj u shpërngulën nga Janina në Vlorë shekuj më parë. Për ekzistencën e një libri të shenjtë (Sefer Torah) në sinagogën e Vlorës dhe polemikat e vazhdueshme që i mundon shqiptarët lidhur me virtytin e Besës dhe mikpritjes së të huajit. Znj. Jakoel shpjegon në detaje sipas perceptimit të saj, se çfarë e bën kombin shqiptar të quhet e t’i rrijë mirë në shtratin e tij etno-zakonor titulli “Fisnik mes Kombesh”. Fati i një tjetër familjeje hebreje me emrin Arditi në Shkodër, pengjet e një regjimi despotik dhe kujtimi i kryetarit të Frontit Demokratik që e privoi nga e drejta e studimit për shkak, jo se jo, të antisemitizmit, por se i përkiste klasës së të deklasuarve. Dëshmia e saj është një nga ato të shumtat dëshmi që do të doja të hynin në historinë orale të historiografisë shqiptare, si një pasuri e kujtesës sonë kombëtare si një vlerë e shtuar në volumin e pasur të atyre faqeve që edhe nëse nuk na lënë t’i ndriçojmë vetë, i ndriçon koha dhe kujtimi që ajo lë pas.

Si erdhën të parët tuaj në Shqipëri?

Familja ime është nga familja Matathiaj dhe Jakoel. Matathiajt kanë ardhur me të parët e tyre në fillim të shekullit 20. Gjyshja ime, Aleksandra, ka lindur në Vlorë, dhe ajo dinte t’i binte mandolinës dhe kur i binte mandolinës këndonte për mëmëdhenë. Kurse familja e gjyshit erdhi nga Janina për të bërë tregti dhe atje u martua me gjyshen. Prejardhja e familjeve hebreje të Shqipërisë, është nga Veriu i Greqisë, ose nga Janina dhe nga Preveza. Ai ishte një komunitet shumë special. Sepse ata nuk janë si shumica e hebrenjve të Greqisë, që ishin sefardi, nga fjala sefarditë, hebrenj spanjollë, të cilët ishin të ngulitur në gadishullin Iberik rreth vitit 1000. Shumica e tyre më pas ikën prej këndej, ngaqë u dëbuan në vitin 1492. Ky grup u vendos në territoret e Perandorisë Bizantine, kryesisht në tokat greke dhe fqinjëve përreth dhe u quajtën romanjotë. Ata nuk flasin spanjisht në shtëpi, por flasin greqisht dhe gjenden në Greqi prej 2 mijë vjetësh, që nga shkatërrimi i tempullit të dytë.

Pse zgjodhën të vinin në Shqipëri, pikërisht në Vlorë?

Sepse gjetën kushte shumë të favorshme, sidomos ekonomike. Patën mundësi të zhvillonin biznesin e tyre, dhe u pritën shumë mirë nga popullsia vendase. Ata patën marrëdhënie shumë të mira që nga njerëzit më të thjeshtë e deri te paria e qytetit dhe kjo i bëri që ta ndienin veten shumë mirë në Shqipëri.

Në Vlorë ka qenë ruajtur për një kohë të gjatë libri i shenjtë i judaizmit, Sefer Torah. Mendohet deri në vitin 1930. A ke dijeni lidhur me këtë fakt?

Për vitin nuk jam e sigurt, por di që e kam dëgjuar nga im atë që Sefer nga hebraishtja do të thotë libër. Sefer Tora përkthehet ndryshe libri i Biblës. Dhe në çdo sinagogë, atje ku në fund të kishës ke kryqin, në sinagogë ke një mobilie si dollapi ku mbahet dhe libri i Biblës, që nuk është libër, por pergamen i mbështjellë. Me sa mbaj mend Sefer Torah i Vlorës paska qenë shumë i bukur. Më pas e çuan në Janinë, sepse sinagoga u shkatërrua. Në Vlorë kishte një sinagogë. Atje pikërisht ku gjendej sinagoga duhej të hapej rruga. Dhe për ta ruajtur librin, ai u dërgua në sinagogën e Janinës dhe në momentin kur në Shqipëri do të ndërtohej një sinagogë e re, ai do të kthehej. Mirëpo erdhi lufta dhe sinagoga e Janinës u dogj e tëra nga gjermanët dhe me sa duket ky libër kaq i vyer dhe i shenjtë, u dogj.

Kohët e fundit në kishën Lindja e Shën Mërisë në Labovë të Kryqit në Gjirokastër është zbuluar një simbol i lashtë hebre. A mendoni se ka pasur një komunitet hebrenjsh në atë krahinë?

Po, e kam përcjellë nëpërmjet shtypit tuaj. Por gjithashtu di që në periudhën e Mesjetës në Shqipëri ka pasur disa komunitete të ndryshme. Ka pasur në Berat, ka pasur në Elbasan. Dhe në Elbasan del e thuhet se hebrenjtë e kalasë, e kanë kthyer fenë. Bile dikush më tha që në librat e vjetër të kishës është shkruar kjo gjë. Dhe vajta në kishën e Elbasanit dhe prifti më tha që nuk i kemi këtu, i kemi dorëzuar. Por kjo është një gjë që duhet bërë. Se këtë ma kanë thënë me siguri që në librat e vjetër në kishën e kalasë së Elbasanit, janë të regjistruara ato familjet që e kthyen fenë dhe u bënë të krishterë. Dhe kjo është një gjë shumë interesante që duhet hulumtuar.

Shumë familje hebreje gjetën mbrojtje dhe strehim në familjet shqiptare dhe kjo jo vetëm për një periudhë të shkurtër kur qeveriste Ahmet Zogu, por dhe më pas. A bën pjesë familja juaj ndër ato që u shpëtuan dhe i mbijetuan Holokaustit gjatë Luftës së Dytë Botërore?

Jo, familja ime është një familje autoktone e ardhur shumë kohë para lufte në Shqipëri. Ju keni qenë në Muzeun e Yad Vashemit në Jerusalem dhe e keni parë shifrën prej 200 që ishte shenjuar afër Shqipërisë. Këto familje ishin ata 200 persona, autoktonë që i përkisnin atij grupi të komunitetit hebraik.

Shumë shpesh në Shqipëri këtë tezën e mbrojtjes së hebrenjve nga familjet shqiptare qytetare dhe jo vetëm duan ta ngjyrosin me nota nihiliste, duke mos i bërë jehonë çastit të rrezikut për të shpëtuar jetë, por një lloj snobizmi për të shkelur traditën e pritjes dhe strehimit në të tilla kushte. Sipas këtyre zërave, të paktë sigurisht, por me vokacion mediatik, shqiptarët nuk e duan njëri-tjetrin. Si e gjykon këtë sjellje?

Nuk është vetëm një sjellje e shqiptarëve. Kjo ndodh edhe në Izrael. Sa herë që ka një çështje të këtij lloji, për scoop-e mediatike, do ketë gjithmonë nga ata që do thonë të kundërtën me pesimizëm dhe skepticizëm, madje dhe egërsisht duke mohuar vlera. Me sa duket, qenka një gjë e natyrshme. Kur thuhet se shqiptarët i kanë shpëtuar të gjithë hebrenjtë që ndodheshin në territorin e tyre, ky është një fakt. Dhe me faktin ti mund të diskutosh sa të duash, por assesi ta mohosh. Ky është një fakt që nuk ka fare diskutim, sepse është një numër dhe ky numër është i vërtetë. Historianët apo sociologët janë ata që duhet të diskutojnë se si ndodhi ky fenomen. Këtu ku ka një pikëpyetje janë ata që duhet të përgjigjen. Por me faktin nuk mund të diskutohet.

Jam shumë kureshtare si mendoni ju… Përse shqiptarët nuk i dorëzuan listat e hebrenjve në tri raste të ardhjes së tyre gjatë periudhës së nazizmit aq më shumë gjatë kohës së shpalljes së projektit Final Solutin?

Do të thosha se një mendim shpjegues mund të jetë kultura dhe mentaliteti i shqiptarit. Që tjetri të vjen te dera në çaste rreziku dhe ti nuk e dorëzon. Ne i dimë fjalët e urta dhe kjo nuk ka të bëjë fare me romanticizmin, kjo është e vërteta. E dyta, gjermanët ishin pushtues dhe njëkohësisht armiku im. Por armiku i tjetrit të bëhet në këto raste, miku im. D.m.th. armiku i përbashkët i bashkoi këto dy grupe, shqiptarët dhe hebrenjtë. Dhe një tjetër arsye, mund të jetë që numri i hebrenjve në Shqipëri nuk ka qenë i madh. Kështu që në Shqipëri nuk ekzistonte antisemitizëm dhe kjo është shumë e rëndësishme. Sepse në vendet e tjera ekzistonte antisemitizmi që i ka rrënjët te fetë. Për mijëra e mijëra vjet, hebrenjtë janë paraqitur si vrasësit e Krishtit, gjë që nuk është e vërtetë. Por kjo gjë e ushqyer nga feja, për mijëra vjet krijon atë prototipin, që hebreu është pikërisht ky vrasësi. Kjo gjë në Shqipëri nuk ekzistonte, pikërisht për shkak të kësaj tolerance fetare, që më duket se me këtë fakt nuk mund të diskutohet më. Këto janë disa gjëra që e mbështesin dhe e forcojnë idenë se përse shqiptarët i shpëtuan hebrenjtë.

Familja Arditi, është një ndër familjet hebreje që gjendeshin në Shkodër gjatë kohës së luftës. Ka pasur shumë polemika lidhur me fatin e kësaj familjeje aq sa ka shërbyer si provë se shqiptarët nuk janë modeli më i mirë për shpëtimin e hebrenjve, duke u nisur nga fakti se vetëm një prej anëtarëve të kësaj familjeje arriti t’i mbijetojë periudhës së errët. A mund të më rrëfeni më shumë për këtë familje?

Arditët ishin pesë gjithsej. Historia e tyre është shumë e çuditshme. Atyre nuk u dihet ende e vërteta. Ata u arrestuan nga gjermanët dhe u dërguan në kampin e përqendrimit në Dakau të Gjermanisë. Dhe katër prej tyre u asgjësuan. U kthye vetëm babai që ishte tërësisht i shkatërruar shpirtërisht ndërsa shpëtoi gjallë nga koha e luftës, vajza e tyre që ishte e martuar dhe jetonte në Tiranë. Babai i tyre vdiq kur kanë ardhur në Izrael, në vitin 1992 më duket.

Arsyet përse u ndodhi atyre kjo e papritur? Ende nuk dihet saktësisht. Ka nga ata që thonë se Dario Arditi, ka qenë shok i ngushtë me Qemal Stafën, eksponent i fuqishëm i Partisë Komuniste Shqiptare. Mendohet se kjo ka qenë dhe arsyeja pse ai u spiunua. Dario Arditi është spiunuar se kishte bindje politike të së majtës në atë kohë, pra ishte komunist. Por sido që të jetë këta, janë të vetmit hebrenj që janë deportuar nga Shqipëria për t’u dërguar më pas në kampet e përqendrimit. Pasardhësit e familjes Arditi sot janë në Izrael në Karmi- el.

Si shkoi fati i familjes suaj, familjes Jakoel gjatë kohës së komunizmit?

Familja jonë nuk ka vuajtur nga antisemitizmi edhe gjatë periudhës së komunizmit. Këtë fjalë d.m.th. antisemitizmin, nuk e dëgjoje prej tyre. Ne e dimë që në gazeta flitej shumë kundër Izraelit, por nuk ka pasur antisemitizëm. Ne kemi vuajtur nga deklasimi si klasë shoqërore. Im atë vinte nga një familje e pasur dhe e përmbysur, nga klasa e të pasurve. Por megjithëkëtë, në Shqipëri ka pasur familje që kanë vuajtur shumë më tepër se ne, të cilët kanë qenë nëpër burgje dhe nëpër kampe përqendrimi. Ne nuk e kemi pasur këtë fat të tmerrshëm, por kemi pasur fatin që patën të gjithë shqiptarët që nuk mund të përparonim dot, në jetën tonë. Gjithmonë rrinim me frikë. Dhe momenti që e shpjegon këtë gjendje, është kur unë duhet të vazhdoja shkollën e lartë. Isha një nxënëse shumë e mirë, por një ditë vjen ai (kreu i Frontit Demokratik) i lagjes dhe thotë, ti nuk do vazhdosh shkollën e lartë, sepse ti vjen nga një familje e pasur. Dhe kjo për babanë tim ishte gjëja më e tmerrshme që mund t’i bënin. Dhe gjithmonë thoshte se i kishte duruar të gjitha, të gjitha m’i morën, më shpronësuan, por kur vjen puna te fëmija im, këtë s’mundte dot ta duronte, dhe ne fëmijët ishim brezi i tretë. Gjyshi im ishte i pasur, por unë nuk kisha parë asgjë nga pasuria e tij. Atëherë për të dhe për të gjithë ne, ishte një mur që u ngrit, një mur midis nesh dhe atyre. E kam fjalën për komunistët.

Por e dashur Lici (po ju drejtohem si gjithë të njohurit tuaj këtu në Shqipëri ju njohin), më trego pak për familjen tuaj Jakoel. Keni qenë ndër më të pasurit e hebrenjve në Shqipëri.

Gjyshi im kishte një mendje biznesi shumë të zhvilluar dhe arriti të bëjë një pasuri shumë të madhe. Por ajo ishte një pasuri e bërë me shumë mund dhe ndershmëri.

Kush ua mori?

Shpronësimet e vitit 1946. Ata jo vetëm që ua morën të gjitha dhe i nxorën nga shtëpia, por gjyshin e futën në burg dhe e dënuan me 3 vjet. Dhe familjen e gjyshes me fëmijët, rregullisht për disa muaj e fusnin në një shtëpi me qira dhe pastaj e hiqnin nga aty dhe e çonin diku tjetër. Torturime dhe vuajtje pa fund.

A ke trashëguar ndonjë gjë nga pasuritë e gjyshit tuaj Jakoel?

Absolutisht jo, sepse shtëpia e tyre në Vlorë ishte përballë shtëpisë ku është shpallur pavarësia, në sheshin e Flamurit. Dhe kur u vendos që të zgjerohej sheshi i flamurit ajo u prish. Është një nga ato gjërat e shëmtuara që kanë regjimi i diktaturës arriti të kryejë. Jo sepse u prish shtëpia e gjyshit tim dhe ishte pronë e familjes sonë, por sepse prishën shtëpinë ku u shpall pavarësia e Shqipërisë, ata me këtë fshinë historinë e ngjarjes së madhe. Shtëpia e gjyshit tim u shkatërrua me këtë rast.

Si e keni përjetuar ju diktaturën? Çfarë mbani mend nga ajo kohë?

Ne, gjithë jetën, jemi rritur sikur të kishim dy jetë. Megjithatë, me gjithë vështirësitë e diktaturës kjo, është një gjë që duhet shpjeguar edhe për njerëzit që janë këtu. Jeta vazhdonte për ne me të gjitha vështirësitë. Por vështirësia më e madhe për mua, si njeri në diktaturë nuk ishte se nuk kishim këpucë apo rroba. Për mua, vështirësia më e madhe ishte që unë nuk e kisha jetën time në dorë. Nuk mund t’i thosha vetes që tani dua të marr valixhen dhe të iki p.sh. 3 muaj në xhunglat e Brazilit, siç bën çdo njeri i lirë dhe i ri sot. Pra, ti nuk vendosje dot se çfarë do të studioje, nuk vendosje dot se ku do të punoje etj. Pra, nuk ishe i lirë të zgjidhje njeriun me të cilin do të kaloje jetën. Trysnia ishte shumë e madhe. E vetmja gjë që na mbante ishte shoqëria që kishim me njëri-tjetrin. Ajo ishte si të thuash sfida, që ne i kemi bërë diktaturës. Dhe kjo është një gjë që më mungon sot shumë. Unë kam shumë shoqëri sot, por prapë nuk është e njëjta gjë. Dhe kjo është një gjë nga e cila jemi ndarë me shume dhimbje.

Atëherë përse vendosët të largoheshit nga Shqipëria?

Ishte viti ’90, viti më i vështirë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Gjërat kishin arritur atje ku nuk mbante më. Kishte arritur kulmi i vështirësive. Ikëm ashtu si ikën një milion shqiptarë të tjerë në atë kohë. Ikëm për të marrë frymë, për t’u çliruar. Ne kishim etje për liri.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button