Home / Te ndryshme / Bill Gates: Për 15 vjet, Afrika do të ushqehet vetë!

Bill Gates: Për 15 vjet, Afrika do të ushqehet vetë!

Fshatarët më të varfër janë prekur shumë nga ndryshimet klimatike. Por ka mjete që mund t’i bënin fushat e tyre më pjellore: bimët e farat e reja dhe trajnimet. Çfarë këshillon me këtë rast i famshmi Bill Gates dhe cili është basti që ai ka vënë me të shoqen, Melinda?

Në kuadër të angazhimit civil në çështjen e luftës ndaj ngrohjes globale e ndryshimeve klimatike, multimiliarderi Bill Gates ka shkruar një material të mbushur me konstatime e porosi pas vizitave të shumta nëpër botë, duke këmbëngulur në domosdoshmërinë e ndërgjegjësimit për një botë më të pastër, që nuk kontribuon në ngrohjen globale, efekte të cilat i cilëson katastrofale, sidomos për rajonet e njerëzit më të varfër në botë. Në fund, ai pohon se ka vënë edhe një bast me të shoqen, Melindën, bashkëthemeluesen e “Bill & Melinda Gates Foundation”, duke qenë i sigurt se nëse ndërgjegjësimi dhe ndihma për këto kontingjente shtohet, atëherë Afrika do të mund të mposhtte njëherë e mirë problemin me urinë brenda një harku kohor prej 15 vitesh. Ja ç’shkruan ai në mënyrë të përmbledhur:

***

Para ca vitesh, unë dhe ime shoqe, Melinda, vizituam një grup kultivuesish të orizit në Bihar (Indi), një ndër lokalitetet më të rrezikuar nga përmbytjet në atë vend. Të gjithë ishin ekstremisht të varfër dhe për ushqimin, sikurse dhe për sigurimin e jetesës së familjeve të tyre, ishin të varur po prej tij.

Në periudhën e shirave, kur afrohej stuhia e përmbytjet, lumenjtë fryheshin dhe kërcënonin të përmbytnin tokat e tyre e t’ua shkatërronin kështu të mbjellat.

Megjithatë, ata ishin gati të bënin çdo gjë që ta mbanin të paprekur tokën e tyre. Ishte një bast të cilin ata shpesh e humbisnin. Nëse të mbjellat shkonin dëm, ata shkonin nëpër qytete për të ushqyer familjet e tyre me punë të tjera. Mirëpo vitin pasardhës, ata vinin sërish në fshat – shpesh edhe më të varfër se më parë – gjithsesi të gatshëm sërish të mbillnin oriz.

Vizita jonë atje na e bëri të qartë se për fshatarët më të varfër të botës, jeta ishte një akt që varej në rrjetën e imët të pasigurisë. Ata nuk kanë asnjë akses në fara më të mira, plehra kimike, sisteme vaditjeje dhe teknologji të tjera të nevojshme, sikurse kanë edhe fshatarët në vendet e zhvilluara – dhe asnjë garanci për të mbjellat e tyre, për t’i ruajtur ato nga humbjet. Një fatkeqësi e vetme – një thatësirë, përmbytje apo epidemi – do të mjaftonte që t’i zhyste ata edhe më thellë në varfëri e uri.

Nevoja për ushqime do të rritet

E ja tani, ndryshimet klimatike po sjellin edhe një dozë më të madhe rreziku në jetën e tyre. Temperaturat që rriten në dekadat e mëvonshme do të sjellin katastrofa të mëdha në bujqësi, sidomos në zonat tropikale. Fushat e mbjella me frutorë nuk do të rriten më, edhe nëse bie pak apo shumë shi. Dhe fatkeqësitë në klimën më të ngrohtë globale do të zgjerohen edhe më shumë e do të shkatërrojnë të mbjellat.

Edhe fshatarët në vendet e pasura, do të përjetojnë ndryshime. Por ata i kanë instrumentet për t’i tejkaluar këto rreziqe. Fshatarët më të varfër të botës çdo ditë ndodh që të dalin me duar bosh nga puna e tyre. Për këtë, ata do të jenë pikërisht njerëzit që do të preken edhe më shumë nga ndryshimet klimaterike e do të vuajnë më shumë pasojat.

Fshatarët e varfër do t’i ndiejnë më shumë këto ndryshime e do të kuptojnë se bota do të ketë nevojë për ndihmën e tyre, për të ushqyer një popullsi në rritje. Kërkesa botërore për ushqime deri në vitin 2050 do të rritet me 60%. Dështimi në të mbjella do ta vendoste nën presion të madh sistemin e furnizimit me ushqime, do të sillte më shumë uri dhe do t’i zeronte përparimet e mëdha që ka bërë njerëzimi në luftë kundër varfërisë gjatë gjysmës së shekullit të kaluar.

T’i pranojmë pasojat e ndryshimeve klimatike

Unë jam optimist se ne do mund t’i shmangnim ndikimet e pasojat më të këqija të ndryshimeve klimatike dhe të ushqenim tërësisht botën – nëse ia dalim të veprojmë tani. Ka një nevojë të madhe që qeveritë të investojnë për një energji më të pastër, që do të reduktonte në mënyrë drastike emisionet e gazrave serrë dhe të ndalonte rritjen e temperaturave.

Në të njëjtën kohë, ne duhej të dinim se tashmë është vonë për t’i ndaluar të gjitha pasojat e rritjes së temperaturave. Edhe sikur bota të zbulonte qysh javën e ardhshme një burim të ri të leverdishëm e të pastër energjie, do të duheshin kohë derisa të liheshin pas zakonet për të shfrytëzuar lëndët djegëse me origjinë fosile dhe të orientoheshin kështu menjëherë drejt një të ardhmeje pa lëndë e gazra helmues.

Kjo e bën edhe më të rëndësishme përpjekjen për të investuar e për të koordinuar përpjekjet për të ndihmuar të varfrit.

Të gjitha këto përpjekje kanë potencialin për të ndihmuar në jetën e shumë njerëzve e t’i ndryshojnë ato rrënjësisht. Mund të ndodhë që këta fshatarë t’i trefishojnë të mbjellat e të ardhurat e tyre, nëse do të kishin akses në mjetet ndihmëse moderne, të cilat i posedojnë fshatarët në vendet e zhvilluara.

Por ndryshimet klimatike sjellin me vete edhe disa rreziqe që janë të paparashikueshme. Për të qenë të parapërgatitur për to, bota duhet të investojë më shumë në fushën kërkimore të farave dhe mjeteve ndihmëse në bujqësi për oborret e vegjël fshatarë.

Një ndër inovacionet më të mëdhenj për mbështetjen e fshatarëve, është edhe teknologjia satelitore. Në Afrikë kërkuesit sot po përdorin pamje satelitore për të hartuar me përpikëri hartat e sipërfaqeve të mbjella, prej të cilave më pas fshatarët mund të mësonin se cilat fara janë më të përshtatshme për tokat që ata posedojnë.

Por farat më të mira e teknologjia më e mirë mund ta ndryshonin jetën e familjeve fshatare në mbarë botën vetëm atëherë, kur ata të kenë akses në to. Një numër organizatash, ndër ta edhe një NGO me emrin “One Acre Fund”, po mbikëqyr mënyrat për të parë se cilat metoda janë më të dobishme për fshatarët.

“One Acre Fund” po punon ngushtë me më shumë se 200.000 fshatarë afrikanë dhe po ofron akses në më shumë kredi, ndihma dhe trajnime. Deri në 2020, grupi në fjalë pretendon të arrijë më shumë se një milionë fshatarë.

Në xhiron tonë gjatë këtij viti nëpër botë, Melinda dhe unë kemi vënë bast se Afrika në 15 vitet e ardhshme do të jetë në gjendje të ushqehet vetë, e përballë këtij objektivi, dua të qëndroj realist e me këmbë në tokë edhe pse jam i ndërgjegjshëm për rreziqet e ndryshimeve klimaterike.

Fshatarët e varfër në mbarë botën, do ta kenë sidomos të vështirë, kuptohet. Jeta e tyre është një “puzzle” me shumë pjesë, të cilat duhet të përputhen të gjitha – nga bimët e farat e deri te plehrat e duhura kimike të kombinuara me trajnime dhe gjetjen e një tregu për shitjen e prodhimeve të tyre. Nëse njëra nga këto pjesë vendoset në vendin e gabuar, kjo mund të çonte në një katastrofë.

Burimi: “Die Welt”

Leave a Reply

Your email address will not be published.