Libri

Diana Çuli: Feminizmi është ideologji, jo letërsi

Në katedrat e letërsisë veprat e grave shkrimtare nuk futen në lista

Virginia Woolf shprehej kohë më parë, se gratë kanë qenë të shtypura në letërsi dhe nuk ka qenë e lehtë për të depërtuar në një botë burrash …?

Virginia Woolf është një nga shkrimtaret angleze të shekullit të kaluar, e cila, nëpërmjet veprës së saj u shndërrua në emblemë të të drejtave të grave dhe të barazisë shoqërore. Libri i saj më i famshëm në këtë drejtim është Një dhomë më vete, ku gratë shihen dhe analizohen edhe si shkrimtare edhe si personazhe letrare. Ky libër, që më tepër ka karakter eseje, përgjithësisht është parë si tekst feminist, për argumentet që ngre se tradita letrare ka qenë e dominuar nga patriarkalizmi, pra nga pushteti letrar mashkullor. Padyshim që Woolf e ka shkruar këtë ese po edhe libra e romane të tjerë pas saj, për të treguar edhe se nuk ishte aspak e lehtë të ishe shkrimtare në një botë burrash, qoftë edhe në Anglinë e përparuar.

Ju e njihni mirë gjuhën e feminizmit, keni sjellë në shqip një autore si Simone de Beauvoir, cilat ishin shqetësimet e saj për sa u përket grave në letërsi dhe çfarë ka ndryshuar sot?

Feminizmi është një lëvizje ideologjike e grave perëndimore – europiane dhe të Shteteve të Bashkuara, që filloi që në fund të shekullit të 18 dhe vazhdon sot e kësaj dite, me ndryshime normale, sipas periudhës që kalon shoqëria. Falë kësaj lëvizjeje të fuqishme, sot gratë në shumë vende të botës gëzojnë të drejtat themeltare si e drejta e votës, e arsimimit, e punës, e trashëgimisë etj. Shpesh ndodh që gra të sotme, që nuk e njohin historinë, rrudhin buzët dhe thonë: unë nuk jam feministe, sikur kjo të jetë diçka e ulët apo e pavlerë. Harrojnë se në sajë të luftës së feministeve perëndimore e gjithë bota e grave ndryshoi. Edhe Simone de Beauvoir, që ka filluar të shkruajë pak a shumë në periudhën midis dy luftërave botërore të shekullit të kaluar, në një gjatësi vale me Virginia Woolf-in, është një simbol tjetër i luftës kundër diskriminimit të grave. Vepra e saj Seksi i Dytë është një nga punimet më të gjera, më të gjithanshme për të kuptuar se sa i ndërlikuar dhe i sofistikuar është pushteti i burrave, sidomos në fushën e artit dhe të letërsisë, që i kanë quajtur në shekuj si fusha ekskluzive të tyre. Edhe në romanet e saj, disa prej të cilave i kam përkthyer, De Beauvoir ngulmon se gratë nuk duhet të presin që t’u jepet ndopak pushtet, ato duhet ta fitojnë vetë atë. Ajo shkruan: grua nuk lindesh, grua bëhesh. Pra, grua të nënshtruar, seks të dytë – kategori e dorës së dytë – të bëjnë rrethanat shoqërore dhe jo natyra.

A mund të flasim sot për feminizëm në letërsi?

Kjo varet. Feminizmi është ideologji, jo letërsi. Nëse në një vepër letrare, personazhi kryesor vendoset në një subjekt letrar, ku tema kryesore është lufta për barazi, për emancipim edhe mund të themi se vepra ka orientim feminist. Siç mund të ketë orientim mjedisor, antiracist, fetar etj. Por, në përgjithësi në veprat letrare këto janë orientime. Mund të themi edhe se Ana Karenina e Tolstoit ishte një vepër emancipuese për gratë, sepse trajtoi me forcë të madhe artistike problematikën e lirisë dhe pavarësisë së gruas në një shoqëri shumë maskiliste dhe patriarkale, siç ishte shoqëria aristokratike ruse e kohës. Po kështu edhe Madame Bovari e Floberit e të tjera vepra.

Nuk besoj se mund të flitet për feminizëm në letërsi, në mënyrë të drejtpërdrejtë, sepse, siç e thashë dhe më sipër, vepra letrare vepron me të tjera mjete. Ajo ndikon në mendjen e njeriut nëpërmjet asaj që rrëfen, një tregimi, një ngjarjeje. Mund ta interpretosh pastaj në mënyra të ndryshme. Sot në botë ka shumë shkrimtare të mëdha, që kanë marrë dhe “Nobelin”, që janë edhe feministe në të njëjtën kohë dhe shkruajnë edhe ese dhe artikuj për barazinë burrë grua. Sot ka të tjera sfida dhe të tjera synime për të arritur për sa i përket lirisë së gruas dhe nuk ka vetëm një ose dy gra në të gjithë Europën si në kohën e Woolf-it apo të De Beauvoir-it. Por, ato hapën rrugën për brezat e ardhshëm.

A mund të ndahet letërsia, në letërsi e shkruar nga burra apo gra?

Jo, nuk mund të ndahet dhe ky opinion është i gabuar dhe diskriminues. Burrat do të donin shumë të thoshin: Ja, kemi dhe një grup grash shkrimtare … ka dhe ca gra shkrimtare … Dhe kjo ndarje bëhet me qëllim për të kaluar letërsinë e shkruar nga gratë në kategori të dytë, pra të na quajnë seks i dytë, siç thoshte De Beauvoir një shekull më parë.

Sa jeni në anën e femrave kur shkruani?

Në anën e grave, do të shprehesha më saktë, sepse në gjuhën shqipe përcaktimi femërështë biologjik, kurse përcaktimi grua është përcaktimi i qenies shoqërore. Kështu e kanë këtë ndarje dhe gjuhët e tjera. Nuk e di pse ne e kemi deformuar përmbajtjen kuptimore të fjalës në këto vite. Në letërsi nuk ka gra dhe burra veç e veç. Letërsia është versioni letrar i jetës, ku burrat dhe gratë jetojnë së bashku. Në jetë nuk marr dot anën e asnjërit ose marr anën e ndonjë burri apo gruaje sipas rrethanës apo emocionit. Kështu është dhe vepra letrare.

P.sh., kur keni shkruar romanin Requiem, ku protagoniste janë dy gra, si ka ndodhur?

Po, aty personazhe kryesore janë dy gra. Por kjo nuk do të thotë se unë kam inat burrat apo justifikoj gratë apo i shikoj gratë në rivalitet, sepse do të ishte atëherë një vepër shumë e dobët dhe naive. Te Rekuiem kam dashur, ndoshta, të bëj një skaner të deformimit të shpirtit njerëzor në një sistem autoritarist, siç ishte sistemi i atëhershëm. Kam përdorur dy figura grash, sepse, kuptohet, shpirtin dhe botën e gruas e njoh më mirë. Aq më tepër në atë kohë, kur isha shumë më e re dhe me më pak përvojë jetësore për të njohur njeriun. Me gratë e kisha më të lehtë, se nuk lodhesha aq shumë për t’i kuptuar. Tani them se mund të shkruaja edhe një roman me dy burra rivalë në qendër të subjektit, se kam një jetë të gjatë mbi shpinë.

Te një nga librat tuaj të fundit, Gruaja në kafe, mos ndihet një nevojë për të folur më shumë për gjininë tonë …?

Te Gruaja në kafe, unë kam një personazh të një vajze të re shumë arriviste dhe pa skrupuj, e cila shfrytëzon dobësitë e burrave të moshuar dhe të pasur. Pra, shoh një dukuri jetësore dhe jo nevojën për të shkruar veçmas për gratë. Ose, shoh nevojën të zhbiroj në jetën tonë të përbashkët, të burrave dhe grave, që ka shumë pamje, shumë të fshehta, shumë gjëra të bukura dhe shumë gjëra të shëmtuara, por edhe shumë gjëra normale. Te libri im i fundit, që është Hoteli i Drunjtë, kam një detektive grua dhe kjo është një aventurë e re letrare imja, sepse më pëlqen të shoh një grua në këtë rol tradicional mashkullor.

Kjo ndodh se gratë nuk kanë marrë atë që meritojnë në letërsinë e shkruar nga burrat?

Ndoshta. Vjen edhe instinktivisht. Po edhe burrat, siç përmenda më lart, disa autorë të mëdhenj kanë përshkruar figura të shkëlqyera grash. Nuk është letërsia ajo që i ka shtypur gratë, përkundrazi, është shoqëria, e cila e ka luftuar letërsinë dhe autorët e autoret e saj kur kanë kapërcyer normat mbizotëruese patriarkale. Ose, për shembull, që t’i rikthehemi pak pyetjes që ju bëtë më parë mbi letërsinë e shkruar nga burrat dhe për atë të shkruar nga gratë, do të shtoja, se, për letërsinë që shkruajnë gratë, burrat heshtin, nuk flasin, as nuk i kritikojnë, as nuk i vlerësojnë. Sepse e dinë që heshtja është arma më e mirë për të lënë në harresë një pjesë të letërsisë që mund të nxjerrë vepra konkurruese. Dhe burrat sundojnë mediat, politikat e tyre – aty ku gratë autore mund të kishin një vend më të merituar.

Related Articles

Nje koment

  1. Zonja Culi ti je shkrimtare e realizmit socialist. Denoncove dy djem nga Librazhdi per shkrimet e tyre te guximshme. Kjo u mori jeten atyre. Nuk mund te lexoj apo degjoj asgje nga ty…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button