Politika

Basha: Tahiri, kumbari i narkotrafikut. Aksioni ndaj informalitetit, mashtrim

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, duke drejtuar paraditen e së enjtes mbledhjen e grupit parlamentar ka përsëritur akuzat ndaj qeverisë për lidhje me bandat e narkotrafikut.

“Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, që paguhet nga taksapaguesit shqiptarë, akuzohet nga policia si kumbari i narkotrafikut në jug të vendit. Provat ndaj tij do të dalin dita ditës”, ka deklaruar Basha.

Kreu i opozitës ka nënvizuar se avionë me drogë po kapen përditë nga policia italiane, ndërsa Tahiri nxjerr, sipas tij, “justifikime të shpëlara duke e kthyer Shqipërinë në Kolumbi”.

Një tjetër pikë ku Basha i ka fokusuar akuzat e tij ka qenë ekonomia, e cila, siç tha ai, po ngulfat shqiptarët për shkak të korrupsionit të koalicionit qeverisës.

“Rama-Meta shtrënguan rripin e shqiptarëve sepse paratë që duhet të shkonin tek ata shkuan në xhepat e oligarkëve. Në aktin normativ është parashikuar një rënie me 90 milionë dollarë e të ardhurave. Dyshja Rama-Meta është gati ta miratojë me forcën e kartonëve këtë ndryshim”, ka thënë Basha.

Ai ka shtuar se, aksioni kundër informalitetit i nisur në fillim të muajit nga strukturat shtetërore është një tjetër skemë mashtrimi.

Më tej, Basha ka kërkuar votimin sa më parë të ligjit për dekriminalizimin, që largon të inkriminuarit nga postet publike dhe ndalon depërtimin e tyre në institucione qendrore e vendore.

“Askush nuk do t’i shpëtojë dekriminalizimit. Edi Rama mendon se duke shkarkuar dikë do të shpëtojë, por kjo është një valë që nuk ndalet”, ka thënë Basha.

Ai ka saktësuar se, nga nesër komisioni për dekriminalizimin do të nisë shqyrtimin e procedurave për këtë ligj.

“Kërkojmë edhe dorëheqjen e kryetarit të Kuvendit Ilir Meta, pas të dhënave të publikuara në agjencitë rajonale të lajmeve. Kërkojmë dorëheqjen e Saimir Tahirit, që është nyja e narkotrafikut. Këto janë kërkesat e PD për daljen nga kriza që ka përfshirë vendin. Këto kërkesa do t’i cojmë përpara me qytetarët në turin politik që do të ndërmarrim në mbarë vendin”, ka shtuar Basha.

Ai ka paralajmëruar se, “po vjen ora e veprimeve dhe se PD do të vendosë me dhe për qytetarët”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button