PolitikaPresidenciale

Nishani pret Jahjagën: Bashkëpunimi rajonal, jetik për paqen

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka pritur paraditen e së enjtes në zyrën e tij homologen Kosovare, Atifete Jahjaga, me të cilën në konferencën e përbashkët për shtyp ka rikonfirmuar bashkëpunimin dypalësh.

Në fjalën e tij, Nishani ka shprehur mbështetjen e Shqipërisë për dialogun Kosovë-Serbi, proces që sipas tij po i jep një frymëmarrje të re rajonit.

“Shqipëria ka mbështetur në vazhdimësi dialogun Kosovë-Serbi, i cili dha një frymë pozitive për rajonin. Bashkëpunimi mes vendeve tona i shërben paqes, stabilitetit dhe sigurisë rajonale”, ka deklaruar Nishani.

Kreu i shtetit ka nënvizuar se, në shërbim të këtij bashkëpunimi Shqipëria nuk do të bëhet pengesë për anëtarësimin në NATO të asnjë vendi të rajonit.

Më tej Nishani ka vlerësuar vendimin e Parlamentit të Kosovës për krijimin e Gjykatës Speciale, duke shprehur bindjen se, “askush nuk mund të njollosë luftën heroike të UÇK-së”.

Nga ana e saj, Jahjaga ka falenderuar Shqipërinë për mikpritjen dhe mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë Kosovës.

“Falë mbështetjes tuaj Kosova është përfshirë në samite dhe nisma rajonale e ndërkombëtare. Shqipëria e ka mbështetur Kosovën edhe në proceset integruese dhe pranimin në institucione ndërkombëtare”, ka thënë Jahjaga.

Ajo ka nënvizuar se, me marrëveshjet e arritura në dialogun Prishtinë-Beograd, Serbia po shkon drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button