Opinion

A(m)kademitë e Shkencave gërhasin online

Nga Fadil Lepaja

A ka a(m)kademi në planetët e tjerë? Kjo pyetje është e barasvlershme me atë se a ka jetë në planetë të tjerë?

A mund të ketë jetë edhe inteligjencë institucionale pa formën e saj më kulminante, shtëpinë ku flenë dhe gërhasin për shtatë palë qejfe, vetë perënditë e dijes, pra pa a(m)akademinë? Me një fjalë, ata që e thonë fjalën e fundit për diçka, se jemi mbushur plot me analistë për gjithçka. Na lodhën. Pra, duhet dikush si Hoxhë Irfani apo Shefqeti në rrjetet sociale, në Youtube apo në Facebook edhe për çështjet e kombit. Kur të flasin ata, ajo temë të mbyllet përfundimisht. Pastaj ka pyetje edhe më ekzistenciale: a mund të ekzistojnë kombet pa a(m)kademi? A po shuhen kombet veç sepse a(m)kademitë po gërhasin me shekuj, dhe se kulmet e shkencës tashmë i kanë kapur ata që po i riformulojnë nocionet elementare?

Sot qenkam zgjuar në treep-a filozofikë, por do të pajtoheni se në fund të fundit një komb nuk ka jetë pa a(m)kademi. Madje, as dhe në një planet, si ai i sapozbuluar nga teleskopi hapësinor “Hubble”, nuk mund të ketë jetë pa kombe që e hanë njëri-tjetrin, për arsye madhore, pra sepse nuk u pëlqen veshja e njëri-tjetrit, sidomos kapelat (plisat apo shajkaqat), opingat, apo nuk u pëlqejnë këngët dhe mënyra se si i luten të njëjtit Zot, të cilin përndryshe e quajnë me emra të ndryshëm dhe e përvetësojnë veç për vete. Kulmi është kur ideatorët arrijnë vetë Zotin ta bindin për ta ndërsyer në luftë kundër “atyre”.

A(m)kademitë kombëtare pra shërbejnë, së paku në Ballkan, për të dëshmuar se sa ndryshe jemi nga të tjerët, se si ne jemi të mirët dhe të tjerët gjenetikisht janë të këqij, dhe të na japin aq argumente të pamohueshme, që i gjetën kryesisht nëpër përralla se përse duhet luftuar përjetësisht me të gjithë fqinjët, deri në shkatërrimin e plotë të tyre, sepse ideali është të bëhesh komb ujdhesë, pra pa fqinjë dhe i armatosur deri në dhëmbë. Pra, për t’i dhënë krah idesë se veç një armë bërthamore kishte për t’i zgjidhur krejt dilemat ballkanike!

Kështu, a(m)akademiku Sahit Plisi, Ronaldo, dhe portieri i pafat i kombëtares, Berisha, pastaj Isa, Hashimi, pra krejt a(m)kademia dhe qeveria dhe përfaqësuesja fare lehtë vendosen në një pako kabllovike, në një thes, dhe sot po i (zh)vendosim bashkërisht në një rrëfim të (ç)akorduar ku të gjithë ata do e pinë lëngun magjik nga epruveta i cili i bënë ata të udhëtojnë nëpër kohë. Lëngun çudibërës , siç e dini edhe nga seriali i famshëm e zbuloi vetë a(m)akademiku, i cili për arsye të njohura vetëm për të, nuk shkon asnjëherë në zyrën e vet në a(m)kademi, por flet drejtpërdrejt nga studioja e vet, përplot epruveta kombëtare.

Ky, a(m)kademiku i ka të gjitha tiparet e intelektualit tonë alkimist, i cili kombinon gjithçka, dhe pavarësisht prej profesionit specifik ai merret veç me një çështje: atë kombëtare. Edhe me politikë nga pak, sa për të orientuar kombin nëpër korridoret e këtij shekulli ku na sollën pa dëshirën tonë. Edhe na lanë në korridore, duke pritur!

E ju, nëse a(m)kademitë e sotme të shkencave, në Ballkan ju asociojnë me azile pleqsh të lodhur që gërhasin zhurmshëm, online, dhe të cilët dëshmojnë se me buxhet të shtetit mund të shtypen qindra e mijëra libra që nuk i lexon askush, mos mendoni se keni rrjedhur. Ashtu ndodh. Shija e lexuesve ka ndërruar, jo se shkenca jonë mund të ketë mbetur. Gjeneratat e sotme, po të pyeteshin më parë, do ta nominonin Bukovskin apo ndonjë porno yll për a(m)kademik, sesa dikë si…Ai! Por, ka kritere për a(m)kademi. Aty nuk pyetet populli, dhe nuk hyn dot gjithkush, sidomos jo pa të adhuruar shteti. Në Parlament, ku (zh)vendoset fati i kombit edhe mund të hyjë gjithqysh e gjithkush, por…në a(m)kademi jo. Aty, po hyre njëherë, ngece përjetë! S’ka mocione aty! Pastaj duhet të kujdesesh veç për identitet, se edhe gërhitja i ka notat e veta.

E kur jemi te shkenca, propozoj që De Biasi të shpallet anëtar nderi i a(m)akademisë! I të dy a(m)akademive, në fakt. Së paku, na dha pak shpresë! Pas përfundimit të ndeshjes me Portugalinë, dhe teksa publiku i veshur krejtësisht kuq (e zi) po e duartrokiste lojën e humbur, një mik i imi virtual po vetëngushëllohej dhe po më jepte edhe mua gajret. “Ne dimë të humbim si burrat”, po më thoshte ai, duke e theksuar këtë “si burrat”, me shkronja të mëdha. “Mbase edhe jemi mësuar, të humbasim” , i thashë si pa të keq, ndërkohë që po e kontestoja edhe aftësinë tonë, të burrave, që “të humbim si burrat” apo atë çka nënkuptohet me këtë.

Sidoqoftë, dush i ftohtë në Elbasan. Ndoshta për të kuptuar krejt këtë dhe pasojat për çështjen tonë kombëtare, duhet të presim postimet e a(m)akademikut edhe të dijetarëve të kombit, nga tempujt fetarë apo a(m)akademikë, se nuk bënë të mbetemi veç me shkencën globale, e cila në fund të fundit gjithnjë ka menduar veç për vete e kurrë për ne shqiptarët.

Eh, merre si ta marrësh, nuk i gjendet dot kuptimi kësaj. Nuk ka tjetër: a(m)kademiku ynë është një alien. Thuhet se ka ardhur nga një planet tjetër, mbi një meteor. Thuhet se ai meteor pati shkëlqyer shumë. Shumë?! Verbueshëm, thuaj. Aq verbueshëm sa kur pati ra në Kosovë, sa nga xhelozia e sa nga frika për fatin e tyre, kishin pësuar kolaps klanet e ndryshme tradhtare, që ky i pati rrënuar si i prerë për a(m)kademik që ishte. E duan pushtetet. Ai është vetë arsyeja përse kombi ekziston ende. Sepse babës i duhet një komb për të funksionuar formula e moçme për “babanë e kombit”!

Pastaj edhe mund të gjesh mijëra argumente për t’i mohuar të gjitha tezat që i hedh kundër çdokujt që pretendon se dielli lind në perëndim. Dielli lindi dhe përjetësisht do të rrijë në lindje, o të padijshëm, – thotë Ai, me postimet e tij a(m)kademike dhe kot mundohesh ta mundësh me fjalë. Do të ketë revolucione permanente. Paçka se ato vonohen te ne, sidomos ato me pretendime demokratike. Eh, po të kishte një komb për të qenë, mbase edhe do të bëhej një udhëheqës i madh. Shteti bëri gjithçka për të. Të gjitha shtetet, madje!

Pas tij ecën dija kombëtare e rreshtuar në libra të pafund. Krejt muri 10 me 5 metra duket i mbuluar me libra. Dija matet me metër. Ai jeton në bibliotekë. E unë më kot, në krejt atë grumbull, po kërkoja sy ndonjë libër shkollor me titull “Logjika”!

Për fund, rekomandimet e autorit: Çdo ngjashmëri me persona apo institucione reale është krejt e rastit. Përndryshe, përse na duhej ajo shkronja “m” e vendosur në kllapa?! Mund të thoni se thjesht e kemi marrë nga seriali i famshëm sa për me (për)qesh pak shkencën tonë kombëtare, e cila është,tashmë, krejt ndërkombëtare e, me raste edhe perandorake. E rishikuar. Po të kishim viza, mbase edhe në Europë do të shkonte, shkenca jonë! Kështu shkon e vjen ku dhe nga mundet.

Pastaj, edhe mund të kemi marrë nga seriali, por gjithqysh me motive krejt të mira. Me e përkund a(m)akademikun e fundit! Nga përvoja e dimë se sa herë që ai zgjohet prej gjumi, kombi bëhet kaps. Veç revolucioni…i vonuar, e çliron!

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button