Te ndryshme

Plan sekret për paqen në Siri: Assad shkon në ekzil në Moskë

 Presidenti sirian, Bashar al-Assad, do të shkojë në ekzil, në Moskë. Sipas informacioneve të gjermanes “Bild”, SHBA dhe Rusia ndërkohë po negociojnë me përfaqësues të regjimit të Assadit rreth një plani paqeje që do mundësonte dhe luftën e përbashkët kundër Shtetit Islamik. Shtypi vjenez pohon se ka detajet e një plani tjetër paqeje.

Presidenti sirian, Bashar al-Assad, do të shkojë në ekzil, në Moskë. Kështu bënte të ditur dje gazeta gjermane “Bild”. Sipas informacioneve të saj, SHBA dhe Rusia ndërkohë po negociojnë me përfaqësues të regjimit të Assadit rreth një plani paqeje që do mundësonte dhe luftën e përbashkët kundër Shtetit Islamik (IS). Siç shkruante dje “Bild”, ajo që është e qartë tashmë është se: Assad vetë nuk do ketë më asnjë rol në këtë lojë. Ai, sipas planit, thjesht do të shkojë në Rusi, ku do të gëzojë mbrojtjen e Moskës. Rusia, nga ana tjetër, pas kësaj do të ndërhynte me trupa në Siri.

Plani duket paksa i diskutueshëm në fakt, sipas së përditshmes gjermane. Pasi rebelët në Siri do të mund t’i bashkëngjiteshin një koalicioni me qeverinë siriane kundër IS-it vetëm atëherë, kur Assad të deklaronte publikisht dorëheqjen.

E pyetja tjetër që shtrohet është se me SHBA në mes, ky plan nuk mund të vihej në zbatim. “Ata, prej ditësh – thekson gazeta gjermane – po tregohen skeptikë, në lidhje me ndërhyrjen e trupave ruse në Siri”.

Shtoji këtu faktin se: prej shumë vitesh, spekulohet tashmë hapur se Assad do të shkojë në ekzil në Moskë. Por – pyet më tej në formë retorike e përditshmja gjermane – a ka ndodhur një gjë e tillë në fakt deri më tani?

Që bashkësia ndërkombëtare është e vendosur të ndërhyjë në Siri e të bëjë diçka për t’i dhënë fund kaosit e dhunës, kjo sigurisht se po bëhet gjithnjë e më e qartë.

Plani i OKB-së për paqen

Por, tej këtyre planeve e zbulimeve të shtypit gjerman, po dje, gazeta vjeneze “Die Presse”, shkruante një artikull ku aludonte për një tjetër plan tjetër paqeje, të ndërmjetësuar nga OKB.

“Lufta civile në Siri nuk mund të injorohet më tej: karvanët e dhjetëra mijë refugjatëve që shkojnë në Europë janë pamjet që po shohim përditë si pasojë. Pikërisht kriza më e fundit e refugjatëve ka bërë që zgjidhja e krizës të bëhet më emergjente se kurrë më parë. Shpresat tashmë thuhet se janë në duart e diplomatit italo-suedez: të dërguarit të posaçëm të OKB-së, Staffan de Mistura”.

Kështu shkruante dje e përditshmja vjeneze, duke vijuar: Në mes të gushtit 68-vjeçari njohu një sukses të vogël: Këshilli i Sigurimit të OKB-së, deri në atë kohë i përçarë në qëndrimet e tij, votoi me vendosmëri për iniciativën e re të De Misturës për paqe në Siri.

Gazeta austriake “Die Presse” pohonte dje se posedonte me këtë rast detajet e planit të të dërguarit special të OKB-së. Sipas tij, presidenti sirian, Bashar-al-Assad, do të vijojë si fazë e parë të qëndrojë ende në pushtet, porse kontrollin mbi ushtrinë do të duhet ta kalojë në duart e qeverisë tranzitore.

“Tërheqja e diktatorit sirian mund të ndodhë vetëm në një fazë të dytë”. Qeverinë provizore me ç’duket, Mistura do ta propagandojë fort – dhe “gabimet që u bënë në Irak e Afganistan, këtë radhë duhet të shmangen”, theksonte ajo. Si të domosdoshme për të përmbushur këtë synim, ai rendit mbajtjen e institucioneve shtetërore dhe bindjen e udhëheqësve ushtarakë, për të cilët tashmë është bërë me kohë e qartë se lufta nuk mund të fitohet.

“Assad vetë, duket se nuk do të lëshojë asnjë centimetër. Ai e di se baza e tij e mbështetësve besnikë, alavite, do të binte brenda pak kohëve, sapo ai t’i linte rrugë të lirë një qeverie provizore. E për këtë synim, atij po ia forcojnë krahët Rusia dhe Irani. Të dy aleatët e mbështesin njeriun e tyre në Damask me shumë bujari – dhe në rastin e Moskës madje edhe hapur, me armatime e ndihma financiare”, shkruante dje gazeta vjeneze, “Die Presse”.

“Ata kanë frikë se rrëzimi i Assadit do t’i trazojë llogaritë dhe për më tepër, nuk kanë identifikuar asnjë pasardhës të tij, që do të mund t’i mbronte interesat e tyre në Siri.

Megjithatë, Moska dhe Teherani duhet ta kenë sinjalizuar të mbrojturin e tyre, se do të ishin të hapur për bisedime të reja paqeje. Assad shfaqet me këmbëngulje si një luftëtar kundër IS-it. Ky element shihet me dyshim, pasi ka pasur indicie se shërbimet tij të fshehta ishin përfshirë në ngritjen më këmbë të IS-it. Sidoqoftë, prej muajsh regjimi sirian ka ndërmarrë shumë sulme ajrore e bombardime ndaj pozicioneve të ekstremistëve.

Sauditët nuk duan të flasin me iranianët

Marshimi i trupave të IS-it ka bërë të domosdoshme përpjekjet për përfundimin e luftës civile në Siri. Një luftë efektive ndaj ekstremistëve, sipas pikëpamjes së Misturas, do të ishte megjithatë e mundur, nëse do të kishte një zgjidhje për konfliktin në Siri. Këshilli i Sigurimit, megjithatë, nuk e sheh ende të pjekur kohën për të biseduar për qeveri tranzitore në Siri. Rusia bën bllokadë, por nga ana tjetër, e lejon OKB-në të formojë katër grupe pune, të cilat deri në fund të vitit, do të duhet të paraqesin propozime për mbrojtjen e qytetarëve sirianë, çështjet ushtarake, rindërtimin dhe hartimin e një Kushtetute të re.

Edhe një grup kontakti me shtetet që kanë ndikim mbi Sirinë, duhet të formohet, sipas këtij plani. I dërguari i posaçëm i OKB-së, do t’i ketë të gjithë lojtarët në fushë, por sauditët që mbështesin kundërshtarët e Assadit, nuk duan të ulen me iranianët në një tavolinë. Dhe thuajse tërësisht e pazgjidhur mbetet sërish pyetja kryesore: Kur do të ikë Assad?

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button