Home / Arte / Ekspozita / Nudot e lira të Maks Velos

Nudot e lira të Maks Velos

Maks Velo/ Artisti vjen me një ekspozitë “Retrospektivë” në Galerinë Kombëtare të Arteve në 80-vjetorin e lindjes. Një udhëtim në tri kohë.. që nga ngjizja e artit, burgu, djegia e pikturave dhe liria…

Velo: Dikur i digjnin veprat e mia, tani i kopjojnë

Ka një histori përtej çdo gruaje të zhveshur. Një histori të cilën ajo përpiqet ta harrojë teksa i buzëqesh pasqyrës të veshur me një kornizë të verdhë. Me flokët e kapur pas, reflektimi i saj në pasqyrë duket i bukur. “Nudo para pasqyrës”, një tablo të cilën Maks Velo e ka realizuar këtë vit, në studion e tij, qëndron bri 99 veprave që ai i bëri bashkë në ekspozitën e hapur dje në Galerinë Kombëtare të Arteve të quajtur “Retrospektivë”. Një udhëtim, në të shkuarën e një artisti i cili është protagonist i së shkuarës dhe të tashmes jo vetëm në fushën e arteve pamore, por edhe në publicistikë, letërsi apo arkitekturë. Një ekspozitë e kuruar nga Suzana Varvarica Kuka, vjen vetëm pak ditë pasi Velo mbushi 80 vjeç. Tablo të cilat të çojnë në tri kohë në jetën e artistit, atë para se të humbte lirinë, çfarë ishte në palirinë e tij dhe palirinë e shumë shqiptarëve, si dhe pas kësaj palirie. Cikli i vonë i nudove të bën të ndalesh për të parë një lirizëm që të prek në këtë udhëtim. Me sytë e mbyllur një tjetër femër qëndron e shtrirë me duart e vendosura në kokë bri një shtrati të purpurt. Ngjyrat janë një aromë që Velo i vendos butë, për të mbështjellë trishtimin që mund të fshihet në sytë e mbyllur. Me kokën e kthyer nga një hapësirë e gjelbër, një tjetër nudo kërkon të harrojë diçka. E realizuar në vitin 2013, artisti e ka quajtur “Nudo në plazh”. E gjelbra rrethon dhe “Nudon në pyll” realizuar në vitin 2014. Prej vitit 2010 e deri tashmë vonë, Velo ka realizuar një cikël nudosh, ku shprehet një përkryerje ngjyrash në lakuriqësi. Duket si një kthim në kohë të arta, për të kuptuar atë çfarë trupi femëror mbart, misterin e botës. Teksa ecën në hollin e Galerisë Kombëtare të Arteve, Velo duket sikur ecën në jetën e tij. “Parisi në shi”, një tablo e realizuar në 2011, është më shumë se një gjendje emocionale mbi kryeqytetin e arteve. I lindur më 31 gusht 1935 në Paris, dukej sikur jeta e djaloshit të vogël do të kryqëzohej përgjithmonë nga arti. Dhe pse u diplomua në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit në Tiranë më vitin 1957, piktura dhe shkrimi do ishin një pasion i heshtur, që do dilte shumë shpejt me forcë në horizont. Në vitet 1960-1973 nis të projektojë shkolla, hotele, banesa, parqe, apo kinema në kryeqytet, si dhe jep leksione të lëndës së perspektivës në ILA. Në vitin 1973 merr goditjen e parë nga sistemi. Kritikohet në Plenumin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve dhe në Konferencën e Partisë së Tiranës për artin dhe letërsinë. Më 1975 kritikohet nga Konferenca Kombëtare për Arkitekturën ku u akuzua për tendenca moderniste në projektet e tij. Në vitin 1978 ai arrestohet. Kalon gjashtë muaj në hetuesi dhe dënohet me 10 vjet heqje lirie në burgun e Spaçit, dhe me punë të rëndë të detyruar. Me vendim gjyqi i digjen 246 vepra dhe i konfiskohen të gjitha koleksionet dhe librat. Më vitet 1966-1986 thirret 6 herë për t’u bërë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, por refuzon. Dhe për këtë dënohet që pas burgut të punojë punëtor dhe të mos e ushtrojë profesionin e tij të arkitektit. Deri në vitin 1991, ai punoi në Uzinën Abrazive si punëtor i thjeshtë. Pas viteve ’90 fillon një kohë tjetër në jetën e Maks Velos, ku lidhja me artin bëhet më e fortë. Kjo ndihet në krijimtarinë e tij në këta 25 vjet, ku artisti ka prodhuar jo vetëm në gjininë e pikturës, por ka botuar dhe libra me tregime nga burgu, apo studime mbi arkitekturën. Më vitin 1992 me ftesë të Ministrisë së Kulturës dhe asaj të jashtme të Francës shkon në Paris në Qendrën Artistike Epfemere. Velo është autor i mbi 40 ekspozitave në Shqipëri, Francë, Poloni, SHBA. Ka botuar dhjetëra studime mbi artin popullor në revistat shkencore, artikuj mbi artin, kujtime ese. Kjo ekspozitë e hapur në Galerinë Kombëtare të Arteve është gjithë jeta e tij, e thënë përmes ndalesave në vite që kanë lënë ende gjurmë në kujtesë”. Është autobiografia ime me njolla, vija, figura të kuptueshme dhe të pakuptueshme. E nuk i kam zbërthyer dot as vetë. Kjo më kënaqte: misteri im i brendshëm i nxjerrë jashtë, në sajë të artit. Sa herë kam përfunduar një vepër doja të vija firmën, sikur kisha frikë se do ma rrëmbente njeri. Isha i lumtur si vija firmën. Por ajo lumturi ishte e dënueshme. Diktatura nuk të lejonte të gëzoheshe me veprën tënde. Kam punuar me gjithë teknikat, laps, tush, me kallam, Lavi, akuarel, pastel, tempera, akrilik, vaj, monotype…vitrazh. Më duket sikur eksploroja botën nga fillimet e saj. Se bota kështu edhe u zhvillua nëpërmjet artit”, thotë Velo. E zeza është një ngjyrë që nuk mungon në krijimet e artistit. Format e zeza dhe gri të shënuara në monotipin e tij “Marrëdhënie njerëzore në kohët primitive” 1994, sugjerojnë një fasho diagramesh aborigjene, me një kthesë të papërcaktueshme stili ballkanik. “Referencat drejt monumenteve të gurit të periudhës paleotike, kombinohen me figura grupimesh dyshe ose treshe njerëzish, të ngjashme me gdhendjet primitive në shkëmb, të gjetura anembanë botës. Distimimi i esencës së pasionit të luftës njerëzore nëpër shekuj e bën trashendencën, ciklonin veprues të Velos”, do të shprehej Douglas Max Utter, piktor amerikan. “Mbi të gjitha kam përdorur tushin e zi, atë që quhet bojë Kine. Në kundërshtim me të gjitha atributet negative që në jetë merr e ZEZA, në grafikë ajo e zeza, ka shënjuar rrugëtimin njerëzor. Ky është kontrasti më i bukur që ka krijuar njeriu. Bardhësia e letrës është mirësia njerëzore. Letra është çarçafi ku u projektuan të gjitha ëndrrat e njerëzimit. Edhe ëndrrat e mia, burgu im është projektuar në letër. Cikli me vizatimet abstrakte (Lavi) që fillova në 1964 është ai që më dha dimensionin e lirisë. Nëse arti ta dhuron lirinë, diktatura nuk ta merr dot. Sado që diktatura dogji qindra vepra të miat, u ngrita prapë të punoj”, thotë Velo, duke shtuar se kjo ekspozitë e cila shoqërohet nga një album është dëshmitare për këtë. “Kjo ekspozitë është shumë e rëndësishme për mua si artist, sepse unë nuk kam pasur mundësi të ekspozoja veprat. Nuk ka bërë asnjë ekspozitë Galeria për artistët e burgosur. Vazhdimisht na ka shoqëruar injoranca dhe keqdashësia,  veçanërisht keqdashësia e artistëve. Unë jetën e kam pasur shumë të vështirë dhe vazhdoj ta kem.  Asnjëherë nuk kanë dashur ta pranojnë vlerën e pikturës sime, por mjafton të shihni të gjitha veprat e mia që i kam bërë në vitin 1960, kush mund t’i bënte atëherë këto vepra. Ata i kanë djegur veprat e mia, është absurde. Edhe pse nuk i pëlqenin dhe nuk i ekspozonin, me ç’të drejtë i dogjën. Por nëse atëherë i dogjën, tani edhe i kopjojnë”, thotë Velo, duke shtuar se në këtë ekspozitë nuk janë të gjitha veprat e tij. “Për mua kjo ekspozitë është shumë e rëndësishme në këtë fazë të jetës së Maks Velos, sepse ekspozita nuk vjen thjesht për të treguar ata hapat apo vitet që kanë kaluar, por ajo tregon më së shumti shprehinë e lirë dhe personalitetin e përbërë të Maks Velos. Duke pasur një personalitet rebel për të sjellë vazhdimisht imazhe dhe gjëra të reja, të cilat mungonin asokohe në sistemin e artit shqiptar, Maksi është një nga perkursorët që solli imazhe dhe figura të reja dhe natyrisht ky lloj rebelizmi në mendime, ashtu edhe në kërkim, bëri që Maks Velo të jetonte mungesë lirie”, u shpreh kuratorja Suzana Varvarica. Drejtori i Galerisë, Artan Shabani, e quajti Velon një artist poliedrik i cili është përtej pikturës, përtej grafikës”. Kemi të bëjmë me një intelektual, me një arkitekt, me një artist të një mendimi të lirë dhe mbi të gjitha profesional. Kemi të bëjmë me një arketip të inteligjencës i cili nuk mposhtet nga vitet e burgut. Është një njeri i cili nuk është se ndihet i lirë, por ka lindur i lirë dhe këtë liri Maksi e mbron me gjestin intelektual, me gjestin artistik, me shprehjen e lirë. Ai është një artist i cili tenton në një shoqëri civile, në një shoqëri demokratike të ndërhyjë edhe pse shkakton mungesë komoditeti te shumë persona, por në fund të fundit ky është artisti, kjo është figura e plotë e Maks Velos. Jeta e Maks Velos është historia e Shqipërisë e shek. XX  dhe shek. XXI. Kjo evidentohet në të gjithë karrierën e tij artistike dhe në të gjitha qëndrimet e tij në shoqërinë shqiptare dhe jashtë saj. Është një ekspozitë për të cilën ftoj të vijnë dhe ta shohin të gjithë sidomos studentët dhe të rinjtë, për të njohur më nga afër këtë personalitet”,  tha Shabani. Nga 99 punët e ekspozuara në teknikat e pikturës – në vaj e akrilik; në teknikat e grafikës – në lavi dhe bojë Kine; në vizatim – laps e pastel; në skulpturë – bronz e allçi, 89 i përkasin koleksionit të artistit dhe 10 fondit të Galerisë.

Velo: Ne, vend islamik

Maks Velo ka folur dje dhe për ekspertizën e burgut, duke thënë se ajo u hartua nga tre njerëz, Kujtim Buza, Foto Stamo dhe Skënder Milori. Ai ka ironizuar, duke i quajtur policët e Spaçit më të mirë se ata të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, duke e quajtur kështu ish-Lidhjen si një vend të mbushur me intriga. Velo tha se ndihej i prekur që për shkak të lidhjes së tij me artin, familjarët e tij vuajtën. “Shkatërrova familjen time, nënën, babanë, sepse bëja vizatime. Nuk blija bomba, kurse sot mbajnë automatikë, një me leje dhe një pa leje. Këtu nuk është vend për të bërë art. Jemi një vend islamik, oriental, që nuk merr vesh nga arti”, tha ai.

Gjumi i ëmbël i Puzanovëve

Viktori Puzanova i ka përqendruar sytë diku, teksa i shoqi Vasili po humb  në leximin e një libri. Çifti i njohur rus ndodhet në shtrat, por Viktori nuk ndihet e qetë. Janë dy tablo që Maks Velo i ka kushtuar bizantologes ruse që ia kushtoi jetën studimit të artit bizantin në Shqipëri. Dy piktura ku ai ka shprehur gjithë fuqinë e kësaj gruaje të cilës i ka kushtuar edhe një libër. Tabloja e parë është realizuar në vitin 1961, dhe tjetra katër vjet më vonë më 1965. Dy tablo të forta psikologjike, për një nga kontribuueset në artin tonë bizantin.

Leave a Reply

Your email address will not be published.