Arte

Ikonat e vjedhura, ende pa shtëpi

Objektet e sekuestruara gati dy vjet më parë nën operacionin kundër trafikut të objekteve të trashëgimisë kulturore, vazhdojnë të qëndrojnë në Galerinë Kombëtare të Arteve

Ministria e Kulturës nuk e ka të qartë se ku do t’i vendosë këto objekte

Gati dy vjet nga sekuestrimi që iu bë rreth 1077 objekteve, si afreske, ikona kishtare murale, apo piktura bronzi që i përkasin kryesisht periudhës së mesjetës, ato vazhdojnë të qëndrojnë në Galerinë Kombëtare të Arteve. Dhe pse vendosja e tyre aty u quajt “e përkohshme”, duket se Ministria e Kulturës nuk ka ende një zgjedhje se ku do të prehet përfundimisht ky aset i rëndësishëm i kulturës. Ato u sekuestruan në operacionin kundër trafikimit të veprave të artit, një pjesë e të cilave u përkiste koleksionistit Gjergji Thimo, i cili sot vuan dënimin nën akuzën e vjedhjes së veprave të artit. Përgjatë këtyre dy viteve ato janë ruajtur në katin e tretë të Galerisë Kombëtare të Arteve, duke u kthyer në një shqetësim për vetë hapësirën e ngushtë që ka ky institucion. Specialistë të GKA-së janë shprehur vetëm pak javë më parë se ato kanë ndikuar në rritjen e rrezikut për objektet e fondit të Galerisë, për shkak të insekteve që mbartin. Tashmë që Galeria e Arteve realizoi procesin e dizinfektimit, pritet që këtyre objekteve t’u gjendet “një shtëpi”. Drejtori i GKA-së, Artan Shabani, thotë se shpërngulja e tyre nga Galeria është çështje ditësh, ndërsa nga Ministria e Kulturës thonë se “kjo çështje është në shqyrtim e sipër për të vendosur se ku do të vendosen”. Mbajtja e tyre në hapësirat e Galerisë shton sërish rrezikun për një sulm të insekteve ndaj veprave të fondit që posedon ky institucion. Por përtej këtij rreziku, mungesa e një hapësire për këto objekte, tregon dhe një vonesë në strategji nga ana e Ministrisë e cila ka pasur gati dy vjet kohë për t’u “gjetur vendin”. Sipas specialistëve të veprave të artit, ato mund të kthehen sërish në një problem serioz në bashkëjetesën me veprat e tjera të Galerisë, apo dhe për vetë parketin e institucionit. Ikonat apo veprat e tjera të artit të sekuestruara kanë nevojë për ndërhyrje restauruese, pasi prej vitesh në to nuk është vendosur dorë. Nën statusin “objekte nën hetim”, fati i tyre duket se do të jetë për një kohë të gjatë i papërcaktuar, dhe duke u kthyer në një kërcënim serioz për veprat me vlerë kombëtare në Galerinë Kombëtare të Arteve.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button