Intervista

Spartak Ngjela: Byroja e Hetimit ka turbulluar Berishën dhe Llallën

spartak_ngjelaAvokati Spartak Ngjela, në një intervistë për gazetën “Sot”, ka sjellë në vëmendje vrasjen e biznesmenit Artan Santo, duke deklaruar se ekzekutimi i bankierit tregon qartazi se në Shqipëri nuk ka hetim dhe gjurmim. Avokati është ndalur gjithashtu dhe te Byroja Kombëtare e Hetimit duke theksuar se ngritja e kësaj byroje ka turbulluar Sali Berishën dhe kryeprokurorin Adriatik Llalla. Sa i përket përplasjes mazhorancë-KLD, avokati pohoi se ky institucion nuk përmbushi dot detyrën për të krijuar pavarësinë e pushtetit ligjor në funksion të krimit dhe korrupsionit. Sipas avokatit,  krimi në vendin tonë ka blerë prokurorinë dhe policinë, ndërsa sqaroi më tej, hallkat nga duhet të fillojë reforma në drejtësi. Në reformën e shkruar nga vetë Ngjela, pas një studimi 10-vjeçar, pushteti gjyqësor, që është kapitull i veçantë në Kushtetutë, duhet të rishikohet nga e para. Avokati tha se ekziston një marrëveshje mes politikës së lartë qeverisëse dhe gjykatës në funksion të korrupsionit dypalësh.

-A mendoni se Byroja Kombëtare e Hetimit i merr kompetencat Prokurorisë sa i takon objektit të hetimit dhe përgjimeve?
Byroja Kombëtare e Hetimit është ideja ime. Unë jam i pari që e kam dhënë si ide, por, ndërkohë kjo ka turbulluar të gjithë krimin në të gjitha aspektet shoqërore të tij, në gjykatë, në rrugë, në shtet. Krijimi i Byrosë Kombëtare të Hetimit është domosdoshmëri sot për Shqipërinë, sepse zbulimi i krimeve është në gjendje mizerabël aq sa mund të thuash se krimi e ka fituar luftën me shtetin. Sipas idesë sime dhe doktrinës sime të shkruar për reformën në sistemin legal dhe në pushtetin gjyqësor, ky institucion hetimor duhet të jetë në qendër të gravitetit për ndjekjen, gjurmimin, zbulimin dhe goditjen e krimit në Shqipëri. Asnjë gjë nuk i bën prokurorisë, se prokuroria në bazë të Kushtetutës, nuk merret me hetimin, nuk trajton hetimin por procedimin penal, sepse është hallka e dytë që formulon akuzën dhe e ngre atë në emër të shtetit përpara gjykatës. Të gjithë ata që janë ngritur kundër Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë frikë nga zbulimi i krimit sepse janë të implikuar, sepse Byroja e Hetimit është e ngjashme me FBI amerikane, ku brenda vetes duhet të strukturohen dhe konceptet e reja kundër krimit: direktivi, instituti i provës, ligji për provat dhe organi inteligjent (agjentura), pa një institucion të organizuar krimi nuk mund të luftohet dot, prandaj Byroja Kombëtare e Hetimit duhet të ngrihet kundër këtyre koncepteve sa më shpejt të jetë e mundur.
-Si e shikoni përplasjen e qeverisë me KLD? 
KLD nuk e përmbushi dot detyrën për të krijuar pavarësinë e pushtetit ligjor në funksion të krimit dhe korrupsionit. Sot gjykata është e dominuar nga korrupsioni material brenda vetes dhe korrupsioni moral jashtë saj. Reformë do të thotë të rishikohet sistemi, të preket Kushtetuta.
-Ju si e parashikoni në doktrinën tuaj përmirësimin e KLD?
Sipas pikëpamjes sime në reformën e shkruar prej meje në një studim 10-vjeçar, pushteti gjyqësor, që është kapitull i veçantë në Kushtetutë, duhet rishkruar nga e para. Janë disa aspekte që duhen përmirësuar si pasojë e ngërçit që tregoi praktika. Praktika e kthyer e 16 vjetëve pas daljes së Kushtetutës, provoi se në sistemin tonë gjyqësor u gjet e çara për të krijuar marrëveshjen midis politikës së lartë qeverisëse dhe gjykatës në funksion të korrupsionit dypalësh: gjykata nuk gjykon dhe dënon korrupsionin qeveritar, dhe qeveria nëpërmjet mazhorancës së vet lejon korrupsionin material të gjykatës në vënien e drejtësisë. Reformë do të thotë të mbyllet ky shtet, dhe unë në reformën time e kam mbyllur. Kur të vijë koha do ta lexojmë.
Z. Ngjela, janë hedhur shumë pista mbi vrasjen e biznesmenit Artan Santo? Cila mendoni ju se është pista e duhur?
Vrasja e Santos është prova për të gjitha ato që fola më lart: që nuk ka gjurmim, hetim, zbulim krimi, dhe që krimi bën vrasjen e një drejtori banke në Down Town (në qendër të qytetit). Sa i përket pistave për të cilat ju flisni, të shohim si do të shkojnë.
-Sipas mendimit tuaj, nga duhet të nisë reforma në drejtësi?
Një qeveri e korruptuar gjithmonë kërkon të ketë partner një pushtet gjyqësor të korruptuar. Ky është gjykimi absolut për çështjen e korrupsionit tërësor të një organizimi shtetëror. Atëherë, që të kemi shpresë se do rregullojmë çështjen e drejtësisë, duhet të kemi shpresë se do rregullohet ose do të bjerë korrupsioni i qeverisjes. Siç ka ardhur situata, reforma në drejtësi duhet të jetë para së gjithash brenda kësaj delize: Shqiptarët kanë nevojë për drejtësi, si do ta zgjidhim këtë çështje që ka 100 vjet që rri pezull, me forcë apo me arsye? Reforma në drejtësi ka vetëm një motiv: dhënia e drejtësisë. Si do ta arrijmë që gjykatat shqiptare duhet të japin drejtësi? Duhet t’i kthejmë ato nga qielli i korrupsionit në tokën e përgjegjësisë. Gjykatat aktualisht janë në qiellin e korrupsionit, sepse ky ka qenë fenomeni mbarëinstitucional në shoqërinë shqiptare. Reforma në drejtësi është reforma radikale për çrrënjosjen e gjithë korrupsionit ndërinstitucional në Shqipëri. Kur ministrat blihen; kur gjyqtarët blihen; dhe kur krimi blen policinë dhe prokurorinë, sistemi ynë ka rënë në pellgun e asaj që quhet abuzim. E shihni pra, se çdo të thotë reformë në drejtësi? Reformë në drejtësi do të thotë që nëpërmjet një pushteti gjyqësor të drejtë, profesional, konstitucional, dhe të barabartë do të detyrohen të gjitha institucionet e shtetit shqiptar të japin drejtësi. Ju garantoj se në funksion të shërbimit civil dhe përballë kërkesave të shoqërisë shqiptare, asnjë institucion shtetëror nuk jep sot drejtësi në Shqipëri. E kuptoni tani se çfarë dëmi kolosal i ka krijuar mbarëvajtjes demokratike së shoqërisë shqiptare mungesa e pushtetit gjyqësor, të drejtë, të pavarur dhe human?
A duhet të shembet monopoli i gjithë koncesioneve të Berishës të cilat kanë sjellë një dëm ekonomik?
Loja e koncesioneve ka qenë ndër pikat më korruptive që ka sjellë qeveria Berisha në Shqipëri. 70 përqind të koncesioneve janë dhënë brenda dy funksioneve: a) shitje individuale e pronës të shoqërisë shqiptare dhe b) shkatërrim i mundshëm i perspektivës ekonomike të Shqipërisë. Ky është një raport dëmtues të cilin byroja kombëtare e hetimit që pritet të strukturohet duhet ta hetojë me përparësi. Koncesionet Berisha janë abuzim kriminal mbi varfërinë e shqiptarëve. Kur të hetohet do ta shihni qartë raportin që shpreha më lart. Byroja e hetimit shqiptarë, duhet t’i shpëtojë shqiptarët nga kjo gjëmë e cila me koncesionet ka vetëm një aspekt; sepse aspektet e tjera siç janë energjia, minierat, rrugët, borxhi i madh, që të gjitha bashkë, ndërtojnë profilin e një kryeministri abuzues. Intervistoi Joana TAFA

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button