Ekonomia

Pr/ligji për inspektimin financiar publik, Luçi: Synohet efiçencë më e lartë kundër korrupsionit

Zëvendësministri i Financave, Erjon Luçi, deklaroi të hënën se ligji “për inspektimin financiar publik”, synon të rrisë efektivitetin në luftën kundër keqmenaxhimit të rëndë financiar dhe korrupsionit.

Zv/ministri Luçi i cili prezantoi p/ligjin në komisioin parlamentar të Ligejve theksoi po ashtu se p/ligji, i hartuar nga ministria e Financave me mbështetjen e BE-së, paraqet një rëndësi të veçantë në reformat financiare me fokus intensifikimin e luftës kundër korrupsionit. Ai po ashtu, tha Luçi, inkurajon çdo subjekt publik dhe punonjës që të denoncojë këtë fenomen, me qëllim ndëshkimin e praktikave korruptive dhe vënien para përgjegjësisë të shkelësve të ligjit.

Nga vlerësimi i deritanishëm i procesit të inspektimit financiar publik, janë hasur një sërë problematikash duke e vlerësuar të nevojshëm rishikimin e ligjit aktual, sidomos në drejtim të rritjes së kapaciteteve inspektuese.
Objektivi i projektligjit është mbrojtja e interesave financiare të njësive publike kundrejt keqmenaxhimit të rëndë financiar, mashtrimit, vjedhjes, shkatërrimit të pronës, shpërdorimit të detyrës apo korrupsionit, si dhe konfirmimi i zbatimit të ligjshmërisë në përdorimin e fondeve publike dhe dhënia e ndihmës në përmirësimin e menaxhimit financiar publik.

Sipas Luçit, subjekt i inspektimeve financiare publike do të jenë njësitë e qeverisjes së përgjithshme; shoqëritë shtetërore, organizatat jofitimprurëse dhe autoritetet e përbashkëta që zotërohen, kontrollohen, financohen ose garantohen financiarisht nga një njësi e qeverisjes së përgjithshme, ose në të cilën, një njësi e qeverisjes së përgjithshme, zotëron apo kontrollon një pjesë të pasurisë. Kjo i jep të drejtën e kontrollit çdo personi fizik apo juridik, vetëm për fondet që përfiton nga buxheti i shtetit, Bashkimi Evropian apo fondet në bazë të një marrëveshjeje ndërkombëtare, ku përfitues është shteti shqiptar.

Deputeti i Partisë Socialiste Bashkim Fino, deklaroi se p/ligji sjell përplasje të kompentencave me Kontrollin e Lartë të Shtetit. Por, zv/ministri Luçi sqaroi se auditi ndryshon nga inspektimi, pasi KLSH kontrollon zbatimin në fund.

“Neni 7 përcakton veprimtarinë e inspektimit financiar publik, e cila realizohet pas faktit, për rregullshmërinë e transaksioneve dhe të veprimtarive të tjera të menaxhimit financiar, të kryera nën përgjegjësinë e njësive publike dhe individëve. Kjo veprimtari do të kryhet nga punonjësit e njësisë përgjegjëse për inspektimin financiar publik në Ministrinë e Financave”, sqaroi Luçi.

Në pr/ligj përcaktohet se fillimi i inspektimit financiar publik bazohet vetëm në kërkesat nga: institucionet shtetërore, nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe nga Prokurori i Përgjithshëm, nga informacionet për parregullsitë nga strukturat e auditimit të brendshëm apo të menaxhimit financiar dhe kontrollit, kërkesat nga Zyra Evropiane kundër Mashtrimit për fondet e Bashkimit Evropian, apo ankesat nga punonjës/persona fizikë/juridikë/individë, etj.

Në nenin 24 parashikohet që, nëse përfundimet e inspektimit financiar publik tregojnë dyshime të arsyeshme për ekzistencën e një vepre penale, nëpunësi autorizues informon ministrin e Financave dhe bën kallëzim me shkrim në prokurori. Neni 26 i pr/ligjit përcakton të drejtën e ankimimit gjyqësor të subjekteve ose individëve subjekte inspektimi, ndaj masave të marra nga ministri i Financave.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button