Politika

Zgjedhjet lokale, Glover raporton në PE: Rekomandimet tona u injoruan

Shefja e misionit të vëzhguesve ndërkombëtarë për zgjedhjet lokale të 2015-s, Audrey Glover raportoi përpara Komitetit të Jashtëm të Parlamentit Europian konkluzionet e raportit përfundimtar për këtë proces elektoral.

“Është interesant fakti që PS, PD dhe LSI deklarojnë të gjithë se kanë vullnet dhe janë të gatshëm për të zbatuar rekomandimet, por duhet mbajtur shënim gjithashtu se shumë prej këtyre rekomandimeve janë shfaqur në raportet e zgjedhjeve të kaluara dhe nuk janë zbatuar deri më sot. Konkluzioni i raportit përfundimtar mbi zgjedhjet thotë siç po e citoj: Pavarësisht parregullësive, kuadri ligjor mund të ofronte bazën për zgjedhje demokratike. Megjithatë, partitë kryesore keqpërdorën shtrirjen e pushtetit dhe të përgjegjësisë së tyre brenda administratës zgjedhore dhe mungoi vullneti politik për ta zbatuar atë efektivisht”, deklaroi Glover.

Me një përvojë të mirë zgjedhjesh shqiptare që prej vitit 1996, ambasadorja Glover insistoi gjatë fjalës së saj mbi 3 çështje thelbësore: 1 – zbatimin e rekomandimeve në përgjithësi e veçanërisht ato më të përsëriturat në raport; 2 – që të bëhen ndryshimet e nevojshme ligjore të paktën një vit përpara zgjedhjeve të 2017, në mënyrë që elektorati të njihet me normat e reja në kohë; dhe 3- reforma e drejtësisë.

“Një punë impresionuese mund të arrihet vetëm nëse komuniteti ndërkombëtar punon së bashku për të plotësuar punën e vet, duke mënjanuar kështu dublikimet”, tha Glover.

Konkluzionet e raportit përfundimtar të vëzhguesve të huaj pritet të përfshihen plotësisht në raportin vjetor të Komisionit Europian për Shqipërinë.

“Kur bëhet fjalë për vlerësimin e zgjedhjeve ka vetëm një mision vëzhgues ndërkombëtar dhe ne e mbështesim të gjithë me aq sa mundemi. Unë theksoj se pajtohemi plotësisht me raportin, analizën e tij dhe rekomandimet e bëra”, tha ambasadorja e BE në Tiranë, Romana Vlahutin.

Ambasadorja e BE-së foli mbi fushatën sensibilizuese parazgjedhore, e përqëndruar enkas mbi votën familjare, dekriminalizimin e politikës dhe pjesëmarrjen aktive të shoqërisë civile në mbikqyrjen e zgjedhjeve. Sipas saj, depolitizimi i zgjedhjeve është parësor, por po kaq të rëndësishme në fjalën e saj ishin dhe reforma e drejtësisë, pavarësia editoriale e medias dhe transparenca e financimit të partive politike.

“Ky është një problem i madh. Ne ende nuk kemi raporte monitoruese mbi mënyrën se si u financuan partitë në këto zgjedhje. Së fundi, ne duhet të bëjmë më shumë përpjekje për t’u dhënë qytetarëve fuqi që të jenë pjesëmarrës më aktivë për të vëzhguar zgjedhjet”, nënvizoi më tej Vlahutin.

Siç pritej, seanca dëgjimore mbi zgjedhjet lokale në Shqipëri nuk pati shumë debat. Vetëm 4 eurodeputetë shprehën qëndrimet politike të grupeve kryesore.

“Zonja Glover dha një tablo të qartë për zgjedhjet lokale: pati hapa pozitivë, por dhe një sërë parregullësish si: akuzat për blerjen e votës, politizimi i administratës zgjedhore, mungesa e transparencës për financimin e partive politike e kështu me radhë. Këto janë anët negative të raportit dhe po kuptoj se rekomandimet që duhet të ishin zbatuar kohë më parë, nuk janë plotësuar ende. Prandaj mendoj se të dy palët, qeveria dhe Parlamenti shqiptar duhet të garantojnë se do punojnë mbi këto çështje për t’i zbatuar”, tha Knut Fleckenstein, raportues për Shqipërinë në PE.

“Këto janë probleme shumë serioze ku duhet të jetë e qartë përgjegjësia e marrë politike. Të gjitha këto çështje të mirëpërmendura në raport më japin përshtypjen se zgjedhjet e fundit lokale në Shqipëri nuk mund t’i përshkruajmë në të vërtetë si të lira e të ndershme. Personalisht jam shumë i shqetësuar edhe mbi një çështje tjetër në Shqipëri, dekriminalizimin e politikës. Megjithëse këto zgjedhje përbënin një shans për partitë politike që të merreshin me çështjen e dekriminalizimit, reagimi ishte shumë i mjegullt. Në fakt, unë nuk shoh ndonjë progres të qartë mbi këtë nga ana e qeverisë përgjatë 9 muajve të fundit”, tha Eduard Kukan, ndjekës-raportues për Shqipërinë, nga PPE.

“Zgjedhjet lokale ishin kyçe, sipas shumë analistëve, për të nxitur më tej ritmin e vendit drejt plotësimit të objektivit të Shqipërisë për nisjen e negociatave. Ashtu si dhe në zgjedhjet e kaluara, ato e plotësuan vetëm pjesërisht këtë dhe pati mjaft parregullësi”, u shpreh Ilhan Kyuchyuk, grupimi liberal ALDE.

“Unë isha në Shqipëri si pjesë e delegacionit këtë fillimviti, 6 muaj përpara zgjedhjeve dhe kujtoj se kishte mosmarrëveshje të vazhdueshme mes opozitës dhe partive në pushtet, shumë presione e madje dhe kërcënime, apo shprehje të dhunës, çfarë ishte një situatë tërësisht e papranueshme”, deklaroi Igor Soltes nga grupimi i të gjelbërve.

Ambasadorja e Delegacionit të BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin njoftoi eurodeputetët se gjatë këtij muaji nis dhe puna për përgatitjen e zgjedhjeve të ardhshme të 2017-s dhe se ajo priste ngritjen e një komisioni të posaçëm ad-hoc për këtë qëllim.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button