Film

Ballkani përmes rrëfimeve të kinemasë

Ka nisur dje në qytetin e Pogradecit edicioni i pestë i Festivalit Ballkanit të Filmit dhe Kulinarisë / 100 filma dhe 60 autorë do të prezantohen përgjatë gjashtë ditëve të këtij evenimenti

Edicioni i pestë i Festivalit Ballkanik të Filmit dhe Artit Kulinar ka hapur siparin dje në mbrëmje në qytetin e Pogradecit. 100 filma dhe 60 autorë nga i gjithë rajoni do të jenë të pranishëm përgjatë 6 ditëve të festivalit, i cili do të zgjasë deri më 19 shtator. Ekrani i madh i kinemasë së qytetit të Pogradecit do të shndërrohet përgjatë kësaj jave në një skenë ku do të shihet ajo çfarë ndodh me kinemanë ballkanike. Prodhimet më të mira të viteve të fundit, vijnë përmes një seleksionimi të bërë me kujdes nga autorët e këtij festivali. Sllovenia, Kroacia, Serbia, Maqedonia, Bullgaria, Kosova, Turqia, Greqia apo Shqipëria do të vijnë përmes një prezantimi nga emra të njohur në skenën e artit. Këtë vit, si kategori më vete është shtuar dhe konkurrimi i filmave të studentëve nga shkollat e filmave të vendeve të Ballkanit. Po ashtu, gjatë ditëve të festivalit do të organizohen dy seminare mbi kinemanë ballkanike, si dhe një uorkshop me nxënës të qytetit të Pogradecit, në lidhje me filmin dhe teknikat e xhirimit. Festivali ka si qëllim bashkëpunimin dhe promovimin e vlerave të filmit artistik me metrazh të gjatë, filmit të shkurtër dhe atij dokumentar. Por java e filmit në Pogradec është shndërruar në këto vite dhe si një skenë ku takohen artistë dhe diskutohen ide mbi atë çfarë ndodh sot me artin e shtatë. Gjatë viteve të kaluara, filmat konkurrues kanë sjellë shpirtin ballkanik, i pashmangshëm në çdo ekranizim të shfaqur në ekranin e madh të festivalit. Ajo çfarë është interesante këtë vit është dhe xhirimi i filmave brenda ditëve të festivalit. Artistë të rinj angazhohen gjatë këtyre ditëve për t’i dhënë jetë një ideje. Ajola Daja është një prej tyre. Ajo ka zgjedhur të ekranizojë një film mbi filmat e viteve ’50 – ’60-të përmes jetës dhe këndvështrimit të Thomatit. Ruajtja e posterave, fotografive, letrave dhe korrespondencës me aktorët e huaj të atyre viteve janë një pasuri e rrallë. Regjisorja Nerta Veliu do të bëjë një tjetër xhirim. Ajo ka zgjedhur historinë e Enxhit, e cila është në prag të martesës dhe pavarësisht problemeve me partnerin vendos të ketë ditën më të veçantë të jetës së saj. Regjisori grek, Mary Marinopoulou, do të xhirojë një tjetër film gjatë ditëve të festivalit. Mehmet Selcuk Bilge do të xhirojë një film mbi historinë e një gruaje në moshë në momente dëshpërimi, e cila vendos të kryejë vetëvrasje. Litari këputet dhe asaj i duhet të vazhdojë ditën sikur asgjë nuk ka ndodhur. Me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Qendrës Kombëtare të Kinematografisë (QKK), ky festival shihet si “tryeza ballkanike me fqinjët tanë”, e përkufizuar edhe gjatë edicionit të kaluar si “një oborr ballkanik”. Festivalit të Filmit i shtohet edhe pjesa e kulinarisë, ku edhe këtë vit nuk do të mungojnë pjatat tradicionale. Vitin e kaluar ky festival u zhvillua gjatë javës së parë të shtatorit, ku nuk munguan filmat nga Shqipëria, Kosova, Bullgaria, Kroacia, Turqia, Rumania, Maqedonia, Serbia dhe Greqia etj. Për organizatorët e këtij festivali, i cili ka hyrë në vitin e pestë të jetës, Eno Milkani, Gerta Qurku dhe Fatos Baxhaku, slogani është një shprehje e vjetër mikpritjeje, e cila funksionon në të gjithë Ballkanin “e kam mik për kokë, kam ngrënë bukë me të”. Kjo është edhe lidhja që ata kanë gjetur mes kinematografisë dhe kulinarisë, ku pas shfaqjes së filmave pjesëmarrësit i bashkon tryeza me gatimet e shijshme.

Artistët turq ndalohen nga policia maqedonase

Regjisori turk, Rifat Erkek, dhe aktori Aladin Toy nuk kanë mundur të jenë të pranishëm ditën e parë të Festivalit Ballkanik të Filmit dhe Kulinarisë. Dy artistëve turq, të cilët ishin nisur me makinë për të mbërritur në Pogradec, u është refuzuar hyrja në shtetin maqedonas. Sapo mbërritën në Shkup, ata morën një vulë refuzimi në pasaportën e tyre vetëm 120 minuta larg nga Pogradeci. Lajmi u bë i ditur në faqen e “Facebook”-ut të regjisorit Eno Milkani i shoqëruar me diçiturën “Përsëri absurditete ballkanike. Ata janë dy artistë që duan t’i bashkohen aktivitetit tonë kulturor të armatosur vetëm me ftesën e festivalit”. Dy artistët turq prezantohen në BFF me filmin “Nata me shi”, që bën pjesë në konkurrimin e filmave me metrazh të shkurtër. I kontaktuar nga gazeta, Milkani u shpreh se dy artistët kanë mundur ta zgjidhin këtë incident dhe do të jenë të mërkurën pjesë e festivalit. “Dy artistët kanë konfirmuar pjesëmarrjen në ditën e tretë të festivalit, pasi ambasada maqedonase i ka kërkuar falje për këtë veprim të policisë”, thotë Milkani.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button