Home / Bota / Allen: Siria, zgjidhja politike i jep fund konfliktit

Allen: Siria, zgjidhja politike i jep fund konfliktit

Për të dërguarin e posaçëm të SHBA në koalicionin global në luftën kundër ISIS, gjenerali në pension i Marinës, John Allen, vetëm një zgjidhje politike dhe jo një fitore ushtarake mund t’i japë fund konfliktit pothuajse pesëvjeçar në Siri dhe krizës së refugjatëve.

Në një intervistë për rrjetin televiziv ABC, Allen tha se kur e ishte marrë postin aktual një vit më parë nuk ishte i sigurt që Iraku do t’i mbijetonte avancimit të Shtetit Islamik. Megjithatë, gjatë muajve pasues, siç u shpreh ai, ka pasur përparim të dukshëm në shumë aspekte.

“Por në thelb, pa një platformë dhe pa një zgjidhje politike të këtij konflikti, pavarësisht se çfarë do të bëjmë ushtarakisht, nuk do ta zgjidhim krizë”, citohet të ketë thënë Allen.

Ndërkohë, një tjetër njohës i mirë i problematikave në rajon, ish-ambasadori amerikan në Siri, Robert Ford, këmbënguli në një intervistë tjetër televizive se kriza humanitare nuk po vjen nga territoret që mbahen nga ISIS, por si rezultat i përdorimit të armëve kimike dhe bombave-fuçi nga regjimi i presidentit Bashar al-Assad.

“Pikërisht këto të fundit janë arsyeja e zbrazjes së qyteteve të tjera. Gjysma e Sirisë është zhvendosur. Gjysma e popullatës nuk jeton më në shtëpitë e saj”, kujtoi ai.

Ford tërhoqi vërejtjen se administrata e presidentit Barack Obama është përqendruar tek ISIS-i dhe jo tek fajtori i vërtetë i krizës, qeveria e Assadit. Në sytë e ish-diplomatit amerikan, brutaliteti i regjimit të Assad po nxit rekrutimet në radhët e Shtetit Islamik.

Raportet e shërbimeve amerikane të zbulimit tregojnë se ISIS-i i zëvendëson të gjithë luftëtarët e vrarë nga bombardimet e koalicionit me të rinj sirianë të zemëruar nga dhuna e regjimit.

Leave a Reply

%d bloggers like this: