Politika

Meta-Garibashvili: Shqipëri- Gjeorgji, bashkëpunim më të ngushtë në të ardhmen

Në kuadër të Konferencës Ndërkombëtare mbi transparencën parlamentare, që po zhvillohet këtë javë në Tbilisi, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, u prit në një takim të veçantë nga Kryeministri i Gjeorgjisë, Irakli Garibashvili, të cilit i rikonfirmoi mbështetjen e plotë të Shqipërisë për integritetin territorial dhe për aspiratat integruese euro-atlantike të Gjeorgjisë, të cilat i cilësoi si të drejta dhe të qarta.

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta shprehu kënaqësinë e kësaj vizite të parë në Tbilisi dhe vuri në dukje potencialin e madh të marrëdhënieve dypalëshe.

Meta theksoi se dy qeveritë duhet të punojnë së bashku për të plotësuar kuadrin ligjor në drejtim të marrëveshjeve për shmangien e taksimit të dyfishtë, atë të transportit detar dhe për krijimin e Komisionit të Përbashkët Ekonomik, përpjekje të cilat do të mbështeten nga të dy parlamentet.

Kryeministri i Gjeorgjisë, Irakli Garibashvili e falënderoi Metën për mbështetjen e Shqipërisë dhe e cilësoi këtë vizitë të parë të një Kryeparlamentari shqiptar në Gjeorgji si një mundësi të artë për hapjen e udhës së një bashkëpunimi më të ngushtë në të ardhmen, veçanërisht në drejtim të shkëmbimeve tregtare dhe njerëzore.Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta u prit në Tbilisi nga Kryeministri i Gjeorgjisë, z. Irakli Garibashvili

Meta dhe Garibashvili ndanë bindjen e përbashkët se të dy popujt bashkohen nga historia e turbullt e rajoneve reciproke dhe se gjeorgjianët ushqejnë ndjenja të forta simpatie për popullin shqiptar.

“Kjo është një bazë shumë e mirë për marrëdhëniet tona në të ardhmen”, u shpreh Kryeministri i Gjeorgjisë.

Në përfundim, Kryetari i Kuvendit Meta vlerësoi përqasjen konstruktive dhe pjekurinë e autoriteteve gjeorgjiane në drejtim të forcimit të dimensionit ndërkombëtar të vendit duke theksuar se rajoni i Kaukazit ka nevojë për më tepër stabilitet, më tepër paqe dhe më tepër zhvillim ekonomik e social

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button