Kronika

Veliaj në Tropojë: Pensione më të larta për të gjithë

 Ministri-i-Mirëqenies-Sociale-dhe-Rinisë-Erion-Veliaj-gjate-vizitës-në-Tropoje-11-535x350Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, gjatë një vizitë sot në qytetin e Bajram Currit, u takua me Kryetarin e Bashkisë, Agron Demushi, ndërsa më pas zhvilloi një diskutim të hapur me qytetarë të Tropojës, ku u fol për disa nga reformat më të rëndësishme që ka ndërmarrë ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, si ajo e pensioneve dhe e mbrojtjes sociale.
Sipas zyrës së shtypit të MMSR-së, ministri Veliaj duke u fokusuar tek reforma e pensioneve, tha se është shumë e rëndësishme që brezi i ri të informohet për këtë reformë, duke qenë se të rinjtë janë ata që do të preken më shumë prej saj.
“Puna në të zezë nuk duhet të vazhdojë më dhe secili duhet të deklarojë rrogën e plotë për të pasur një pension më të lartë. Kurse, ata që janë në prag pensioni, kjo reformë i prek shumë pak, madje pensioni i tyre do të pësojë rritje”, theksoi Veliaj duke shtuar se me reformën e re të pensioneve të gjithë ata që dalin në pension nga janari 2015 do të marrin një pension më të lartë.
Në takimin me Kryetarin e Bashkisë së Bajram Currit, Veliaj tha se “pavarësisht bindjeve politike të secilit, brezi i ri duhet të bashkëpunojë sepse politika duhet të reflektohet në shërbim të qytetarëve”.
Nga ana tjetër, ai theksoi rëndësinë e efiçencës së shërbimeve sociale në qytet dhe për qytetarët në nevojë, si dhe rritjen e investimeve në zonat veriore të Shqipërisë, mbështetjen që mund të japë qeveria e biznesi për projekte në fushën e bujqësisë, turizmit apo infrastrukturë.
“Është e rëndësishme ta bëjmë biznesin të interesuar për Tropojën, për turizmin dhe për të hapur vende të reja pune. Duhet t’i kthejmë sytë nga kjo zonë që të sigurohemi që ky vend të mos mbetet një xhep i veçuar”, u shpreh ai.
Duke folur për arsimin dhe formimin profesional, Veliaj tha se të rinjtë e Bajram Currit apo të qarkut të Kukësit kanë një mundësi të ndjekin një kurs profesional në Gjakovë ose Prizren, me të cilat MMSR-ja ka lidhur marrëveshje bashkëpunimi në këtë fushë.

Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë,  Erion Veliaj gjate vizitës në Tropoje
“Do doja që shtatorin e ardhshëm të kemi mundësinë t’i shfrytëzojmë këto marrëveshje, që sa më shumë të rinj të ndjekin kurset e formimit profesional, ku kanë mundësi të marrin një zanat e të bëjnë diçka me duart e tyre”, shtoi ai.
Në fund të takimit, ministri Veliaj theksoi faktin se institucionet e shtetit duhet të ofrojnë një shërbim model për qytetarët shqiptarë, në mënyrë që edhe shteti të ketë një fytyrë dinjitoze përpara tyre. “Ne e shikojmë pushtetin si një mundësi për t’u shërbyer njerëzve. Prandaj, është e rëndësishme të kemi fytyrën e një shteti që u shërben të gjithëve pa përjashtim”, përfundoi ministri Veliaj

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button