Home / Opinion / Politikanët fodullë të tranzicionit

Politikanët fodullë të tranzicionit

Nga Artan Mullaj

“Fodullëku” është një fjalë turke dhe ndoshta një zakon i trashëguar nga pushtetarët osmanë që herët, shndërruar në veçori të liderëve të dobët, të vegjël e meskinë; më shumë se veçori është një ves dhe më shumë se te drejtuesit e shteteve të Ballkanit, ka spikatur dhe vazhdon ende të spikasë kryesisht te krerët shqiptarë të tranzicionit.

Ballkani nuk mund të kuptohet pa osmanizmin, për më shumë që historia moderne e gadishullit filloi në të njëjtën kohë me sundimin e gjatë të Turqisë. Gadishulli vazhdon të jetë ende një arenë ku përleshet e shkuara me të ardhmen, ndërkohë që popujt janë në një betejë të heshtur dhe të gjatë me vetveten, për të riparuar dëmet gjenetike që i shkaktoi muzgu i gjatë i Turqisë. Supozimi se disa tipare të liderëve të sotëm shqiptarë, mes të cilave spikat fodullëku dhe arroganca, u trashëguan në mënyrë të çuditshme nga sundimtarët osmanë, në çdo rast krijon paqartësi. Është i pashpjegueshëm fakti që ndërsa ligjet dhe artin e pushtetit do të duhej t’i kishin trashëguar nga prijësit fisnikë shqiptarë, paraardhës të tyre, ata bënë të kundërtën. Si të nxjerrë nga i njëjti kallëp allçie, liderët e rinj fodullë shqiptarë ngjajnë shumë me njëri-tjetrin në imitimin e arrogancës osmane. Fatkeqësisht ata imituan po atë mënyrë qeverisjeje, po atë vizion të pushtetit, po atë mënyrë sjelljeje, po atë fodullëk, po atë osmanllëk që u kultivua në Ballkan, nga sulltanatet me radhë, shekuj me radhë.

E pashpjegueshme, por edhe interesante është mënyra fodulle me të cilën liderët shqiptarë kanë krijuar dhe zhvilluar pushtetin e tyre dhe demokracinë në Shqipëri. Edhe këtu, besnikë dhe adhurues të pushtetit otoa, këta e ushqyen edhe më shumë vrazhdësinë e kësaj alternative gjatë gjithë tranzicionit, duke shkuar në drejtimin e kundërt të logjikës, sipas së cilës, normale do të ishte të edukoheshin me krenarinë e historisë së tyre dhe të frymëzoheshin nga heronjtë shqiptarë të së shkuarës, me Skënderbeun në krye, me patriotët dhe me rilindësit e vërtetë, me ata që luftuan kundër sundimit. Për fat të keq, mbetën larg tyre në drejtimin e kundërt. Asnjë koeficient amplifikimi, asnjë hiperbolë, asnjë teleskop i hapësirës nuk do të mund të arrinte të afronte ndonjërin nga liderët e kohës sonë, me heroin tonë legjendar, që hyri në histori me modesti dhe madhështi, por kurrsesi jo me fodullëk dhe kapardisje, për të mos dalë më që andej, i pakrahasueshëm me askënd, dhe i pakonkurrueshëm …

Kulturës fodulle të pushtetit dhe krenarisë sunduese të osmanëve, në njëfarë mënyre iu kundërvunë edhe rilindësit tanë, me thjeshtësinë e shenjtë të origjinës dhe shenjtërinë e vlerave që rrezatuan. Pavarësia e shpallur nga Ismail Qemali, veç firmëtarëve të saj, mbart si vlerë edhe thjeshtësinë e tyre, përulësinë e tyre ndaj interesit kombëtar, që sot, gjithnjë e më shpesh ngjan me një utopi. Historia jonë ka personalitete shyqyr Zotit, të cilët ishin liderë edhe për shkak se, në kushtet e sundimit osman, që impononte të kundërtën, ia dolën të mos binin në çarkun e ideologjisë së sundimit, që iu kultivonte në ndërgjegje arrogancën dhe kapardisjen …

Thjeshtësia ishte tipari profetik që shoqëroi kohët dhe liderët tanë, në udhëtimin e tyre përgjatë historisë. Thjeshtësia e Skënderbeut e shndërroi atë nga hero në një legjendë. Mungesa e fodullëkut dhe patriotizmi i thellë i vuri rilindësit në faqen e parë të historisë sonë. Ismail Qemali, Noli, Zogu, e mjaft figura të tjera, nuk u shquan për fodullëkun që u zhvillua brishtë në komunizëm, në diktaturë, dhe për zinë moderne të shqiptarëve, shpërtheu në demokraci – jo si një trashëgimi e vlerave dhe e madhështisë së etërve tanë, por si e kundërta e saj.

Mbas rënies së komunizmit, liderët e tranzicionit shpërfillën shkëlqimin e të parëve dhe u vunë në garën e mbrapshtë të babëzisë për pushtet, për ndikim dhe pasurim të shpejtë. Në këtë garë i dhanë rrugë të lirë fodullëkut dhe ngrefosjes, duke krijuar një imazh të pështirë sysh. Kjo ndodhi në Shqipëri, por edhe në Kosovë. Liderë fodullë, jo rrallë mediokër, të fryrë si kacek, prej teprisë së pushtetit, kapardisjes, parave të vjedhura publike, shkëmbyen rolet dhe vendet, duke bërë rokada pushteti, për ta mbajtur peng pushtetin: në vend të qeverisjes së mirë, krijuan anarki; në vend të vlerave, zhvilluan babëzinë e tyre dhe shkaktuan një lloj dëshpërimi kolektiv në shpirtrat e njerëzve të thjeshtë, duke u vrarë atyre shpresën se ky vend do t’i afrohet Europës ndonjëherë …

Sigurisht, vështirë që fodullëku të flejë në të njëjtin shtrat me moralin. Vështirë, shumë vështirë, për të mos thënë e pamundur, në 25 vjet tranzicion të gjesh një lider jo fodull me moral të kristaltë në trevat shqiptare. Shumica të përfolur, jo pak prej tyre të implikuar, ndonjëherë dhe kriminelë ordinerë, shpesh mendjevarfër dhe me një botë të ngushtë, ranë në kurthin e mediokritetit të tyre. Ranë si insekte në rrjetën e merimangës, që e patën thurur babëzitur vetë për përfitime të vetat. Kjo deri në pikën kur, jo se harruan, por nuk e kuptuan, as në një rast të vetëm, misionin që iu dha atyre historia: ndërtimin e një shoqërie ku njerëzit, bashkë me liderët e tyre, të jetonin të lirë dhe të barabartë në një shtet të drejtë, si qytetarë europianë përkushtuar vlerave dhe së bukurës.

Por, sigurisht, që nuk mund t’i përkushtohen vlerave shkatërruesit e tyre, dhe sigurisht nuk mund të krijonin të bukurën ata që prodhonin dhe prodhuan shëmtinë dhe varfërinë e shqiptarëve vite me radhë me veprën e tyre …

Ne kemi sot një tufë politikanësh të përfolur, me moral të ndotur, që njohin mirë artin e zhvatjes, koketërisë, abuzimit dhe të servilizmit. Një armatë e tërë njerëzish shpesh mediokër, herë në pushtet, herë në pritje të pushtetit, mbështetur nga mizëria e militantëve fanatikë, duke synuar parinë dhe hierarkinë, stërvitet në terrenin e ndotur të politikës shqiptare, ku në çdo kohë dominon injoranca dhe fodullëku apo në rastin më të mirë, imitimi i tij.

Dhe gjithë kjo stisje, kjo shpërfillje, ky abuzim e fodullëk ndodh në Shqipëri, që është njëri nga vendet më të varfra dhe më të vuajtura në planet. Të shikosh sjelljen e tyre, shpërfilljen e tyre, abuzimet e tyre, hordhitë e tyre, injorancën e tyre, bri betejës sublime të një populli për mbijetesë, kjo është arsye për të shkaktuar një brengë të thellë kolektive. Dhe çfarë kemi? Nga njëra anë politikanë pasanikë, të rinj e të vjetër, që nuk kanë provuar të nxjerrin ende lekun e parë me djersën e parë të prapanicës së tyre, që tallen dhe masturbohen me marifete që, për zinë e tyre, më shumë se madhështinë, nxjerrin në pah vogëlsinë dhe idiotësinë e tyre; nga ana tjetër njerëz të papunë, njerëz të pashpresë, njerëz të zhgënjyer më shumë se me liderët fodullë, me veten e tyre, që nuk arrijnë të zgjedhin, të veçojnë, të kuptojnë kush do të ishin udhëheqësit e duhur.

Sa më i vuajtur e fatkeq të jetë një popull, aq më e lartë duhet të jetë niveli i tij i përfaqësimit. Shembulli i vendeve europiane të pasluftës, që u përfaqësuan me liderët më të mirë kohërat e tyre më të vështira, do të duhej të kishin frymëzuar drejtuesit e sotëm të shqiptarëve, që ata t’i përgjigjeshin thirrjes së ndërgjegjes së tyre, por edhe thirrjes së popullit që përfaqësonin, për t’u përballur me nevojën emergjente të tij për t’u qeverisur me ndershmëri e thjeshtësi. Por kjo nuk ka ndodhur. Dhe nuk dihet a do të ndodhë ndonjëherë …

Leave a Reply

%d bloggers like this: