Opinion

E njihni Maks Velon si publicist? Ok, por si piktor është tjetër gjë

Nga Mustafa Nano

Është marrë vesh, tanimë, se çfarë Maks Velo e thotë si publicist është e destinuar të bjerë fort e me tërsëllëm në veshët e shumë njerëzve. Dhe qëllon që i thotë në një mënyrë të tillë sa, edhe ata që janë dakord me të, e kanë një çikë të vështirë t’i bëhen krah kur të tjerët i vërsulen. Por nuk duket se Maksi vetë e bën qejfin qeder prej kësaj situate. Madje, nuk është çudi që ta shijojë këtë tollovi e rrapëllimë që provokon me stilin e tij politikisht jo korrekt. Gjysma i japin munxët, më saktë nuk i lënë gjë pa thënë (hidhini një sy rrjeteve sociale e blogjeve sa herë që Maksi bëhet i gjallë, dhe do shihni se ç’bëhet), por ai ka gjysmën tjetër që e përshëndet (gjysma nuk duhet marrë në kuptimin aritmetik të fjalës).

Edhe këto ditë, teksa përuronte ekspozitën e jetës së tij si piktor, Velo nuk mundi të mos bënte nënvizimin mbi natyrën islamike të shoqërisë e të kombit tonë, me të cilën ai shpjegon prapambetjen endemike këtyre anëve. Më tej, ai s’e pati për gjë (e pritshme, apo jo?) të tregonte se e shihte me shqetësim dyndjen në dyert e hapura të Europës të dhjetëra e qindra mijë refugjatëve myslimanë, të cilët – po citoj Maksin në mënyrë të perifrazuar – “as që e dinë se ç’është piktura”. Në fakt, kjo frazë e fundit mund të trazojë shumë njerëz, pasi mund të merret, ashtu siç është, e bartur prej mllefit të Maksit ndaj myslimanëve që në këtë rrethanë janë thjesht viktima, por nuk ka asgjë që kërcet në këtë mes nëse e marrim si një pohim të ftohtë. Myslimanët janë të parët që e dinë këtë gjë. Sidomos ata myslimanë që i marrin seriozisht hadithet. Në Hadithin sipas Al-Bukharit thuhet, me gojën e engjëllit Xhebrail dhe të profetit Muhamet, se pikturat e qentë nuk duhen futur në shtëpi, dhe se “çdo piktor e ka vendin në ferr”. Prandaj, Maksin mund ta qortojnë sa të duan për ndonjë shfrim të tijin, por jo për ndonjë “keqkuptim apo pasaktësi doktrinore” të qëllimtë. Kjo sa për info.

Por po kthehem tek ekspozita, e cila mbeti në hije për shkak të faktit që gazetarët u ngutën të fokusohen tek tezat e mësipërme, të cilat Velo i ka bërë të njohura edhe më parë, dhe mezi gjetën arsye të thonë ndonjë gjë edhe për pikturat e tij. E duhet thënë se ishte Maksi që i punoi një rreng kësaj veprimtarie a ngjarjeje të lidhur posaçërisht me të. Ai mund të gjente një moment tjetër për të tërhequr vëmendjen me qëndrime që ai i ka shprehur faqe botës edhe më parë, dhe këtë herë do kish bërë mirë t’i linte reflektorët të binin mbi ekspozitën, e cila ishte, përveçse një ngjarje e lezetshme e jetës sonë kulturore, edhe një ngjarje shumë e rëndësishme e jetës së tij si piktor.

Unë shkova ta shihja këtë ekspozitë. Atje nuk ishte Maksi që ndan dynjanë në mes. Përkundrazi, atje ishte Maksi që, caso mai, i bën të gjithë për vete. Nuk është se ai, si piktor, nuk provokon. Jo, provokon që ç’ke me të (Maksi është provokator par excellence), por provokon në një mënyrë tjetër, më të thellë, më elegante, më meditative, më të përpunuar. Jam i prirur të besoj se dikujt që sheh për herë të parë pikturat e Maks Velos, e që nuk e njeh këtë të fundit, do t’i dukej e pabesueshme që i njëjti njeri parapëlqen forma të vrazhda e të drejtpërdrejta shprehjeje si intelektual publik. Shkurt, do t’i ngjante e pamundur të pajtonte Maksin luftarak në debatin publik me Maksin e stërholluar e nazik në artin e pikturës. Mirëpo nuk ka ndonjë gjë të çuditshme në këtë mes. Kjo është një gjë që ndodh. Madje, është kështu që duhet të ndodhë kur i bën të dyja. Të bësh intelektualin publik është si të marrësh pjesë në një betejë, ku lipset të nxjerrësh shpatën nga milli e të luftosh në mbrojtje të asaj që beson. Ndërsa të bësh artistin, sidomos piktorin, nuk ka lidhje me betejën; është thjesht një ushtrim mendor individual.

Dhe Maksi di ta bëjë këtë ushtrim. Ka ditur ta bëjë me kohë. Më pëlqyen shumë pikturat që Maksi ka bërë në të ritë e vet, atëherë kur përpjekja për të bërë art ishte një shtërzim i mundimshëm dhe rëndom i kotë, intelektual. Kohët e komunizmit janë dalluar, përveç të tjerash, edhe për një mjedis të topitur mendërisht, ku edhe artisti më trillan ishte i dënuar të mbetej, e të krijonte si një cliché lëvizëse. Dhe me këtë logjikë, piktura e Maksit e bërë atomote më kapi në befasi për dy arsye. Së pari, Maksi ka qenë (të paktën në pikturë) ky që është edhe sot e kësaj dite. Unë ia shihja pikturat, dhe e kapja veten duke qeshur, si shenjë e një rezonance fatlume mes meje si shikues e mes tij si krijues. Shihja pikturën e dirigjentit me orkestrën, të arixhofkës me kanistrat, peizazhet e viteve ’70, të Labërisë, por edhe piktura të tjera të bërë pas viteve ’90, si ajo çupa që shtyp kafe në gur, tregtarët e vegjël në pazar, çiftet labe, ajo që titullohet “Veriu” (ka të bëjë me Veriun e Shqipërisë), jeniçerët, Lufta e Vjenës (merret vesh, është fjala për luftën mes osmanëve e europianëve në fund të shekullit XVII, pas së cilës u mor vesh se osmanët nuk e merrnin dot Europën), atë të familjes, nudot që të ngjajnë me nudot e Gauguin-it, etj., etj., dhe duke e njohur Maksin e sotëm përpiqesha, si në një ushtrim mendor timin këtë herë, të rindiqja aposteriori e hap pas hapi procesin e të menduarit që ai vetë ka pasur në momentin e krijimit. Ndodh gjithnjë kjo gjë, besoj, teksa ti je duke parë një krijim të një miku. Së dyti, lidhur me pikturat e bëra në vitet ’60 e ’70 të bën shumë përshtypje fakti që Maksi ka ditur t’i përvidhet plogështisë mendore të kohëve të komunizmit, dhe në këtë pikë e ka ndihmuar me siguri vetëdija se ai kish ca gjëra për të thënë nëpërmjet pikturës; dhe jo nëpërmjet pikturës të bërë në një mënyrë dosido, apo të bërë siç e bënin të tjerët, por të bërë në mënyrën e stilin e vet, duke mos e çuar në mendje idenë e një kompromisi mes artit të tij, që ishte i tij, dhe artit të kohës, që ishte i kohës. Pikturat e tij të këtyre kohëve të fundit janë domosdo më të arrira e më të sofistikuara, por ato të kohëve të komunizmit janë shumë spontane e gjenuine, e prandaj të bëjnë që të ndalesh më shumë përpara tyre.

Të kuptohemi, këtu jemi në terrenin e rrëshqitshëm të shijeve. Dua të them se është kështu për mua, që nuk më rrihet, megjithatë, pa ju bërë sugjerimin të shkoni e ta shihni ekspozitën në Galerinë e Arteve. Kush i mban inat Maksit për motive jo artistike, ka rast të pajtohet me të. E kush lëviz në të njëjtën frekuencë vale me të si publicist, ka për të rezonuar me të, me siguri, edhe si piktor.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button