Politika

Dade: Asambleja Parlamentare e OSBE-së të promovojë paqen në Moldavi

Kryetarja e Komisionit të Jashtëm te Kuvendit, Arta Dade, në cilësinë e kryetares së Grupit Parlamentar për Moldavinë, raportoi gjatë Komitetit të Përhershëm të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së mbi punën e këtij grupi pune.
Gjatë ndërhyrjes së saj, Dade shprehu rëndësinë që Asambleja Parlamentare e OSBE-së të vazhdojë të promovojë paqen, stabilitetin dhe sundimin e ligjit në Moldavi, duke angazhuar partitë dhe organizatat e ndryshme që përfaqësojnë popullsinë moldave.
Ajo ritheksoi se do të ishte i domosdoshëm organizimi i një vizite të Grupit Parlamentar në Chisinau dhe Tiraspol për t’u angazhuar me palët e interesuara dhe për avancimin e masave për rritjen e besimit ndërmjet organeve legjislative në të dy anët e lumit Nistru, por duke marrë parasysh mjedisin e paqëndrueshëm politik në Chisinau dhe zgjedhjet e ardhshme në Transnistria, një vizitë konstruktive nuk mund të bëhet deri në pranverën e vitit 2016.
Në emër të grupit, Dade shprehu mundësinë e organizimit të një vizite të nivelit të lartë dhe se ata mbeten të hapur kundrejt çdo sugjerimi për të dhënë një kontribut sa më të vyer në zgjidhjen e këtij konflikti.

Dade në cilësinë e Kryetares së delegacionit të Kuvendit të Shqipërisë pranë Asamblesë Parlamentare të OSBE-se, po merr pjesë në Sesionin e Vjeshtës të kësaj Asambleje që këtë vit organizohet në kryeqytetin e Mongolisë, Ulaanbaatar, më 15-18 shtator.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button