Film

Kur Enver Hoxha lavdëronte xha Sulon

Fehmi Hoshami ishte vetëm 30 vjeç kur nisi të projektonte në mendje personazhin e xha Sulos, sipas skenarit të Skënder Plasarit. Ai donte të demaskonte vesin e personazhit, dhe njëkohësisht ta bënte atë një figurë të dashur për publikun.

“Xha Suloja duhet të ishte i të tërëve, duhet t’u rrëmbente zemrën spektatorëve”, thotë ai, më shumë se 40 vjet më pas i ulur në një nga baret e Tiranës. Pas peripecive të zakonshme të asaj periudhe që skenari të miratohej nga bordi i ish-Kinostudios, regjisorit të ri i duhej të gjente aktorin që do të mishëronte këtë personazh që e kishte rrëmbyer. Aktori i ndjerë, Pandi Raidhi, i dukej se kishte gjithë karakteristikat që i duheshin një personazhi të tillë. “Pandi ishte një tip me humor, tipi i fshatarit babaxhan, që mund të hynte shumë lehtë nën lëkurën e këtij personazhi”, thotë Hoshami. Me këtë ide ai i drejtohet me një letër teatrit të Korçës, ku Raidhi ishte pjesë e trupës së aktorëve. Por me një përgjigje sërish pas një letre drejtori i këtij teatri i thotë se Raidhi nuk mund të jetë pjesë e filmit, pasi është i angazhuar në shfaqjet e trupës. Ishte regjisori Muharrem Fejzo ai që propozoi Albert Verrinë për këtë rol. Me humor, Hoshami thotë se ku takua me Verrinë, i thotë mikut Fejzo se “me këtë xha Sulo, unë /shkoi një vit në riedukim”. Albert Verria ishte vetëm 32 vjeç për të interpretuar një burrë në moshë që i ka kaluar të 70-tat. Por përtej moshës, ishin kinoprovat ato që nuk e bënin regjisorin të bindej se ky duhet të ishte vërtet Xha Suloja. “Më është dashur një punë e gjatë për t’i shpjeguar Bertit atëherë një aktor i ri, konceptin tim regjisorial. Xha Suloja ishte një plak që nuk i duronte gratë, emancipimin e tyre në shoqëri, dhe nga ana tjetër ai duhej të ishte i dashur për publikun, me natyrën e tij”, thotë Hoshami. Por aktori brenda regjisorit, pasi Hoshami para se të merrej me regjisurë ka interpretuar në Teatrin Kombëtar do ta ndihmonte për këtë rol. Atij iu desh të shndërrohej vetë në xha Sulon, për t’i demonstruar Bertit imazhin e tij për këtë rol. Pas shumë dublash, Berti u shndërrua në xha Sulon që Hoshami kishte menduar. Problemi i moshës do të zgjidhej shumë shpejt nga grimieri që me një palë mustaqe dhe pudër do ta shndërronte 32-vjeçarin në një burrë mbi të 70-tat. “Aktori i parë i këtij roli ka qenë Fehmi Hoshami”, thotë me humor regjisori, i bindur se falë talentit të një aktori si Verria përpjekja e tij do të kishte qenë e kotë. “Kapedani” duket se ka lënë shumë gjurmë në jetën e Hoshamit që sot i ka kaluar të 80-at. Kujton çdo detaj të ditëve të xhirimeve, punën e operatorit Ilia Terpini, të grupit të aktorëve pa të cilët nuk do të kishte mundur t’ia dilte. Tema e filmit ishte delikate, dhe xha Suloja nga një personazh që personifikonte mendimin e vjetër dhe jo përparimtar mund të shndërrohej në një personazh që mund t’i kushtonte karrierën regjisorit të ri. Ndaj çdo detaj në një kohë censure shihej me kujdes. Duke qenë se filmi trajtonte mënyrën sesi brezi i vjetër e shihte emancipimin e femrës, operatori Terpini i propozoi që përpara se filmin ta shfaqnin para bordit miratues të ish-Kinostudios, ta shfaqnin për gratë e tyre. Me syrin e një gruaje që di ta kapë teprimin, ato do të shihnin punën që kishin bërë burrat e tyre. Pasi panë filmin, të gjitha gratë filluan të flisnin me superlativa për filmin, përveç Sofisë, gruas së regjisorit. Kur Terpini e pyeti se si iu duk filmi ajo tha “çka”. Hoshami tregon se i mërzitur nga ky reagim i së shoqes, i thotë asaj kur mbetën vetëm se si mund t’i kthente këtë përgjigje Terpinit. Por krejt e qartë ajo i thotë “ti kujton se je më i mirë se xha Suloja”. Kohë më vonë ajo do t’i thoshte se gruaja në ëndrrën e xha Sulos, u ngjasonte mendimeve të saj. Pa dashur regjisori Hoshami kishte shprehur veten përmes këtij personazhi. “Aty kuptova se kisha injektuar te Xha Suloja, diçka nga karakteri im”, thotë ai. Shfaqja e filmit në ekranin e kinemasë do ta bënte atë menjëherë të dashur për publikun. Personazhi i xha Sulos do të kthehej në një figurë popullore duke shënuar dhe lindjen e kinekomedisë në kinematografinë shqiptare. Ishte viti 1972. Por entuziazmin e masës regjisori i ri pak do ta ndiente në ambientet e punës, ku suksesi do t’i kushtonte një vit riedukim më vonë. Kohë më vonë, Hoshami do të mësonte se dhe vetë ish-diktatori e kishte pëlqyer këtë personazh. “Një ditë takoj Albert Verrinë, i cili më thotë e ke lexuar një nga librat me kujtime të Enver Hoxhës. Në kapitullin ku tregon vizitën në familjen e Sulo Gradecit, Hoxha përshkruan takimin me babanë e tij të sëmurë. Kur Hoxha i jep dorën dhe i thotë si je, ai dhe kur i moshuari i thotë çka, ish-udhëheqësi komunist, i thotë se “je bërë më keq se xha Suloja”, tregon Hoshami. Më tej Hoxha vazhdon në kujtime duke i treguar babait të Sulo Gradecit mbi personazhin e Xha Sulos, një personazh popullor që kishte fituar zemrën e popullit, me karakterin e tij refuzues ndaj së resë. Për vite me radhë Hoshami nuk dinte asgjë ndaj këtij qëndrimi pozitiv që udhëheqja e kohës kishte pasur ndaj filmit. Por pas suksesit të “Kapedanit”, gjërat nuk do të shkonin mirë në karrierën e regjisorit. Ai e kujton ende ditën kur e thirrën për të realizuar një tjetër film të suksesshëm, por këtë herë për luftën kundër revizionizmit, sipas veprës “Sinjali i kuq” i Bashkim Kozelit. Por përgatitja e skenarit të këtij filmi do t’i kushtonte një vit riedukim në Shupal. Fehmi Hoshafi lindi në Tiranë më 28 shtator 1934. Filloi të punojë në kinematografi si asistent i regjisorëve veteranë Hakani dhe Dhamo, në filmat e tyre Toka jonë, 1964; Vitet e para, 1965; Oshtimë në bregdet, 1967; Gjurma, 1970. Në vitin 1968 realizoi vetë spektaklin Estrada në ekran, i cili u xhirua nga Kinostudio në formën e një filmi artistik. Prej suksesit që pati ky film, iu besua më vonë, në vitin 1972, regjia për kinokomedinë aq të dashur Kapedani, të cilin e realizoi së bashku me regjisorin Muharrem Fejzo. Më vonë ai realizoi filma si “Ëndërr për një karrige”, 1984 dhe “Zëvendësi i grave” 1987.
Në periudhën 1976 – 1990 realizon edhe filma të tjerë artistikë dhe dokumentarë, ndër të cilët, filmi “Shoku ynë Tili” nderohet me çmim në Festivalin Ndërkombëtar për Fëmijë e të Rinj, Giffoni, në Salerno, Itali. Por “Kapedani” vazhdon të mbetet filmi ku kthehet shpesh në kujtime, dhe ku nëpër tryeza kafenesh i vijnë natyrshëm batutat e tij.

Filmi

Në fshat në krye të kooperativës po komandon një grua dhe xha Sulo i ankohet për këtë shokut të tij, Beqo. Kështu fillojnë situatat komike. Ai vendos të kërkojë “të drejtat” e tij në Tiranë ku miku i tij, Ropi, punon në një post të rëndësishëm. Por xha Sulo gjen në Tiranë jo vetëm nusen e tij balerinë, por edhe Beqon bashkë me të cilin zbulon se është i rrethuar nga bota e grave. “Kapedani është njeriu më i sinqertë dhe i vërtetë i gjithë ngjarjes. Fill pas konstatimit të Tiranës “hipermoderne” ai nuk mbyll sytë, nuk thotë nuk di asgjë dhe as nuk kthehet në fshatin e tij nën hijen e kokës gjysmëulur, siç do vepronte një hipokrit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button