Te ndryshme

Louis Treumann, ylli i operetave gjermane, “vullnetar” në frontin shqiptar

Nga Armand Plaka

Emrin e tij e hasa për herë të parë në artikujt e diçiturat e fotove të revistave të ilustruara austro-hungareze të kohës së Luftës së Parë, me të cilat po merresha prej kohësh. Menjëherë ajo që më shkoi ndërmend, ishte fakti se për propagandën e makinerinë e luftës, ai duhej të ishte padyshim një “mall i mirë” për fushata mobilizimesh me frymëzim patriotik. Sidoqoftë, nuk rezulton të jetë lënë ndonjë vepër e shkruar prej tij dhe e botuar për periudhën e qëndrimit në Shqipëri. Por përpos një fotoje me diçiturën “Luis Treumann në Shqipëri. I vetmi aktor i operës komike vjeneze që braktisi skenat, që për të duhej të ishin vetë bota, duke preferuar të dalë më mirë në fushën e nderit” (shih “Wiener Illustrierte”, 16 dhjetor 1916, fq. 5), ai ka lënë pas albumin e tij privat, që gjendet tashmë në Bibliotekën e Vjenës, në arkivin e të cilit has në një kuti me copëza shënimesh e foto të nënshkruara prej vetë autorit, ku zë vend edhe “aventura shqiptare”. “Në fakt, nuk bëhet fjalë për fotoimazhe që vijnë nga rolet e tij të shumta. Si uniforma, ashtu dhe veshja e burrave, të cilët duken sikur kanë dalë nga romani i Karl May-it ‘Nëpër vendin e shqiptarëve’ (Durch das Land der Skipetaren, 1892) janë të vërteta”, theksohet diku në një përshkrim të albumit në lidhje me periudhën e qëndrimit të tij në Shqipëri.

Bëhet fjalë për një “star” të skenave të operetave në hapësirën gjermanike të kohës me emrin Louis Treumann (1872 – 1943), i cili më 1916 gjendej në Shkodër, si “vullnetar” tashmë njëvjeçar në ushtrinë perandorake austro-hungareze, i angazhuar në regjimentin e pushkatarëve Nr. 1.

E tekat e fatit e kishin sjellë yllin e famshëm të operetave papritur në një vend, në të cilin fjala “opera”, por edhe shumë fjalë apo forma arti të përhapura gjerësisht në kontinent, ishin fare të panjohura. E kishin sjellë në një vend ku prapambetja e skajshme ishte më se evidente, por që në të njëjtën kohë, mund të shërbente si një strehëz e mirë, kur e krahason me ashpërsinë e frontit lindor e perëndimor të ushtrive të Boshtit.

Në “vendin e skipëtarëve” në moshën e artë

Ai kishte ardhur në Shqipëri në moshën 43-vjeçare, në kulmin e karrierës. Që Treumann deri në atë kohë nuk ishte marrë parasysh nga autoritetet ushtarake për ta angazhuar në front, kjo i dedikohej në fakt vetë profesionit të tij e për më tepër statusit të tij prej VIP-i, në një kohë kur opera apo operetat, në mungesë të kinematografisë, renditeshin në krye të arteve më të dashura për publikun e kohës.

Në fund të vitit 1915, ai me ç’duket ishte përpjekur ndoshta t’i bënte bisht në fakt mobilizimit, falë edhe ndihmës së një shoqate me influencë për kohën, “Klubi i skenave gjermane” (Deutscher Bühnenverein). Përveç tyre, në të njëjtën kohë, siç dëshmojnë dokumentet e ofruara nga arkivi i Vjenës, shumë drejtorë teatrosh në Vjenë e Berlin ishin përpjekur ta mbanin të paprekur të preferuarin e tyre, nga i cili, siç rezulton nga këqyrja e letërkëmbimeve apo dhe hetimi i gazetave të kohës, nxirrnin me siguri edhe shumë përfitime.

Andrallat për t’i shpëtuar frontit

Kështu, sipas tyre, rezulton se një herë, për shembull, drejtori i teatrit “Carl”, u kishte kërkuar autoriteteve zyrtare heqjen nga lista për rekrutime në front të Louis Treumann, “në mënyrë që sipërmarrja ime të vijojë të mbijetojë artistikisht dhe financiarisht”, siç shkruante ai.

Drejtuesi i një tjetër skene të panjohur berlineze, e formulonte në mënyrë edhe më drastike gjendjen në letrën e datës 25 nëntor 1915 për stacionin e Policisë në Berlin, seksionin që mbulonte pikërisht teatrot:

Sikurse më ka siguruar vetë z. Treumann në mënyrë konfidenciale, ai për arsye të njoftimeve të bëra në gazetat vjeneze më 6 dhjetor 1915, duhet të paraqitet në kazermën ‘Perandori Franz-Josef’. Brenda mundësive, do ju luteshim që z. Treumann, me ndihmën e konsullatës së këtushme austro-hungareze, ta hiqnit nga lista. Nuk ka vlerë të shtoj këtu se nëse z. Treumann në fakt do ta ndërpriste shfaqjen e tij në datën e caktuar për ta kryer, teatri im pas pak do të detyrohej të mbyllej, duke vënë në lojë kështu edhe ekzistencën e rreth 120 njerëzve. Sikurse mund të ketë dijeni edhe autoriteti juaj i nderuar, z. Treumann gjendet në qendër të interesit publik berlinez dhe mua s’po më zë vendi nga shqetësimi që kam për të gjetur një zëvendësues për të.

Por në fund, të gjitha përpjekjet me ç’duket kishin shkuar kot, pasi “Lufta e Madhe” kërkonte mobilizim deri në asetin e fundit. Treumann shkoi më pas në një shkollë oficerësh. E sikurse pohojnë letrat në dosjen e tij ushtarake, sigurisht se profesioni “aktor”, shpesh theksohej me të madhe. Sidoqoftë, edhe pas këtyre fakteve, nuk mund të themi dot apriori se Treumann nuk ka dashur edhe vetë të mobilizohet si vullnetar.

Ndoshta për këtë mund të ketë pasur një marrëveshje mes dy palëve, Treumann dhe autoriteteve ushtarake austro-hungareze, të cilat ishin të ndërgjegjshme se ai ishte një aset i paçmuar, që nuk mund të sakrifikohej aq lehtësisht në “fushën e nderit”, e se thjesht prezenca e tij në front dhe theksimi i faktit “vullnetar”, do të mjaftonin për të përmbushur detyrimin që ai kishte ndaj atdheut.

E ndoshta pikërisht për këtë arsye, Shqipëria, e cila shihej me një ndjenjë thuajse ekzotike nga ushtarakët e Kajzerit, mund të jetë gjendur si një formë e mundshme kompensimi.

Duke ndjekur gjurmët e karrierës së tij, lehtësisht kupton se Treumann ishte mësuar të qëndronte në qendër të vëmendjes publike e i pëlqente të dilte shpesh në publik, të pozonte për atelietë e famshme të kohës, e madje të shkaktonte edhe skandale, por mediumi apo dhe arti në zhvillim e tepër i lakuar i kohës, fotografia, për të tashmë ishte kthyer edhe në një pasion, ku objekti dhe subjekti shpesh ndërronin rolet, pasi ai tashmë shihej të shkrepte aparatin kudo ku gjendej, për të dokumentuar më mirë jetën e vet.

Albumi prototip i Treumann

Albumi i tij i kohës së luftës vlerësohet nga specialistët si një “prototip” krahasuar me kontribute të tjera të ngjashme me karakter privat, në të cilat reflektohen pamje të autorit, ku ai gjendet kryesisht mes banorëve lokalë në zonat ku ka qëndruar apo ka qenë me shërbim.

Sido që të vinte puna me luftën, nuk kishte ndonjë shpresë për Treumann që ai të vinte e të jepte ndonjë shfaqje në një vend ku opera do të mund të duartrokitej shumë dekada më pas.

E pikërisht, në kuptimin më të gjerë të fjalës, fotografitë që ai ka realizuar kanë një konotacion turistik më shumë, shfaqin amatorizëm, megjithëse vihet re përkujdesja e tij që të ruante sa më mirë mbresat e veta, qoftë edhe në forma fare komike, në celuloid.

Treumann për një kohë të gjatë rezulton të ishte stacionuar me kompaninë e tretë të batalionit Nr. 33 të forcave të ushtrisë perandorake austro-hungareze në Shkodër, por duket se ai ka mundur të depërtojë më në jug të vendit, sikurse dëshmohet nga veshjet e banorëve e fshatarëve lokalë, me të cilët ai shihet të pozojë plot hare, madje edhe për revistën e ilustruar më të mirë të kohës.

Nëse ai është ndier në Shkodër sikur të ishte me pushime apo jo, kjo mbetet megjithatë ende për t’u diskutuar. Pasi për vuajtjet e frontit, luftimet dhe shkatërrimet, sidoqoftë nuk haset asnjë gjurmë në fotot e tij. Mos vallë ai, si një artist me shije të hollë, e ka bërë këtë me qëllim, për të harruar pikërisht dhembjet e luftës.

Qetësia që frymëzonte Shqipëria

Me gjithë praninë e shumë trupave nën uniformë, duket se jeta civile në qytet e rrethina, ka vijuar fare normalisht, çka e ka frymëzuar padyshim artistin e kalibrit ndërkombëtar të shijonte momentin.

Treumann i gëzohet pranisë në vendin e pushtuar nga Kajzeri në mënyrë të plotë. Edhe frika që mund ta ketë kapluar në fillim, sikurse mund të kuptohet nga foto, ishte zhdukur tashmë.

Kështu, albumi tij na ofron, sipas vlerësimeve të vetë ekspertëve austriakë, një thesar të vërtetë fotografik, me vlera dokumentare, që trajtuar më në detaj, paraqet në fakt më shumë jetën e përditshme të popullsisë shqiptare myslimane. Aty shihen rëndom rrugë dhe skena nga tregjet, njerëz që mbajnë veshur “kostume ekzotike” nga pikëpamja e atëhershme europiane, pleq e lypës, gra me perçe e shami, karroca të sëmurësh: e mes tyre gjendet gjithnjë Louis Treumann, i cili së bashku me një apo dy “shokë lufte”, përpiqet për shembull, në një rast, t’ia hipë një gomari të pabindur, e të vijojë udhëtimin sipas stilit tipik shqiptar të kohës.

Treumann, qysh prej vitit 1905, si pjesëmarrës në operetën me famë botërore të Franz Lehár, “Vejusha gazmore” (Die lustige Witwe) ku luante rolin e Danilos, princit malazez, që në atë kohë ishte shndërruar në magnetin më të madh të spektatorëve në Vjenë, kishte bërë që shumë femra të ëndërronin të ishin në krahët e tij e shumëkush ta njihte e adhuronte si një yll të artit. Ai njihej tashmë në të gjitha mjediset e hapësirës kulturore e artistike gjermanofone, gjerësisht në popull.

Nisur nga kjo, sigurisht se ai ka mundur të shijojë plotësisht “privatësinë” e tij në Shqipëri. Tek e fundit, kaq lehtë e i pangacmuar, “stari” operistik nuk mund të ecte dot as në rrugët e Vjenës e as në ato të Berlinit.

Edhe pse ajo “e huaja”, “ekzotikja”, “e ndryshmja” gjendej dukshëm në vështrimin e tij fotografik, imazhet e përcjella nga Treumann nuk ngjajnë si një “medium për t’i shërbyer luftës, nacionalizmit e racizmit”, siç shihej rëndom në fotot e tjera zyrtare të kohës, por realitete të pikturuara me plot nota shprese.

Ajo që fati do t’i rezervonte padrejtësisht atij në dekadën e fundit të jetës, padyshim se do ta kenë bërë artistin e kalibrit ndërkombëtar, ta kujtonte gjithnjë me nostalgji vendin e shqiptarëve.

Pasioni

Fati tragjik i njeriut që e adhuronte edhe Hitleri

Louis Treumann, emri real i të cilit ishte Ludwig Politzer, ishte një tenor i operës klasike e komike, i lindur më 01.03.1872 në Vjenë, nga një familje me prejardhje hebreje. Sipas traditës familjare, ai duhej të kishte bërë një karrierë prej tregtari, por pasioni tij për operën e bëri atë të shkonte më 1889-n drejt Lubjanës, në atë kohë pjesë e Perandorisë Austro-Hungareze. Në vitet 1890-’91, ai ishte pjesëtar i korit në teatrin “Carl Schultze” në Hamburg e më pas zuri vend si solist në Saksoni (1891 – ’93), në Bohemi (1895 – ’97), në Salcburg (1896 – ’97) dhe në Grac (1897 – ’98). Ndërsa ndodhej në Grac, në Austri, drejtori i teatrit vjenez “Carl”, e bëri pjesë të kësaj trupe në vitin 1899. Këtu ai deri më 1905-n korri sukseset e para të mëdha në një numër operetash në role bonvivantësh dhe karakteresh komike, e u adhurua shpesh për cilësitë e tij vokale. Pasi luajti në këtë periudhë shumë role të famshme, suksesi më i madh i tij renditet shfaqja e luajtur më 30.12.1905 në teatrin vjenez, “Vejusha gazmore” kompozuar nga Lehár si partner i Mizzi Günther, duke kënduar arien e Danilos, e cila, sipas biografëve të Hitlerit, kishte qenë ndër më të pëlqyerat e tij në rini. Më 1914-n, ai ishte drejtor i teatrit “Tivoli” në Bremen, e më 1916-n në Berlin. Pas përfundimit të luftës, Treumann vijoi më pas me sukses rrugën e operës, ndërsa fundi i viteve njëzet e gjeti të angazhuar tashmë edhe në kinematografi, ndër të cilët mund të veçohen rolet në filmat “Arratia drejt legjionit të të huajve” (1929), “Loja për burrin” (1929), “Katharina Knie” (1929) apo dhe “Kështjella e Varshavës” (1930). Por do të ishin vitet ’30 të shekullit të kaluar ato që do të sillnin edhe kthesën tragjike në jetën e Treumann. Si hebre që ishte, me ardhjen e nazistëve, atij iu vështirësuan e në fund iu ndaluan tërësisht shfaqjet në territorin e Rajhut të Tretë. Shfaqja e tij e fundit ishte në vitin 1935, “Maja”, e më pas ai nuk u pa më në asnjë skenë. Në vitin 1942, Treumann u arrestua e u deportua në një kamp pune. Miku i tij aktor, Theo Lingen, për pak kohë ia doli mbanë ta lironte. Por liria do të ishte e shkurtër. Pak kohë më pas, Louis Treumann u arrestua sërish. Ajo çka pasoi ishin vite ankthi e përpjekjesh të pashpresa. Miqtë e tij të moçëm u përpoqën disa herë ta shpëtonin nga kampet e përqendrimit. Edhe kompozitori Franz Lehár, veprat e të cilit ai i luajti me sukses, u përpoq disa herë të ushtronte ndikimin e vet tek autoritetet naziste, për të penguar një deportim përfundimtar të tij. Por më 28 korrik 1942, më në fund, 70-vjeçari Treumann dhe bashkëshortja, Stefanie, u deportuan drejt kampit nazist në Theresienstadt. E shoqja i vdiq atje pas dy muajsh dhe vdekja e saj e zhyti Louis Treumann në një depresion të thellë. Më 5 mars 1943, vdiq edhe ai në të njëjtin vend.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button