Te ndryshme

Nga Siria vijnë edhe histori të tilla dashurie

Kur kishte nisur “Pranvera arabe” në 2011-n, producenti i dokumentarëve, Sean McAllister, doli në titujt kryesorë të gazetave, ndërsa u ndalua nga policia sekrete siriane. Andralla pasuan e çifti që ai po xhironte u desh të largohej nga vendi. Sidoqoftë, dokumentari u realizua

Nga qelia e tij e burgut, Sean McAllister mund të dëgjonte thirrjet e revolucionarëve të Sirisë. Ishte tetori i vitit 2011 dhe vendi i tij po hynte edhe më thellë në luftë. McAllister, një producent kinematografik, ishte rrëmbyer nga policia sekrete në Damask, i ishin lidhur sytë dhe më pas e kishin futur në burg, ku ai u bë dëshmitar i trajtimit brutal që regjimi u bënte protestuesve dhe aktivistëve.

“Të rinj 20-vjeçarë torturoheshin me tuba gome dhe kabllo. Ata fshikulloheshin pa pushim dhe mund të dëgjoje njerëz që bërtisnin nga dhoma të ndryshme”, risjell në mendje ai. “E bëjnë këtë për disa orë me radhë para se t’i fusin nëpër bodrume pa dritare, ku nuk ka vend as për t’u ulur përtokë.”

Kur u lirua, dëshmia e McAllister doli në faqet e para të të gjitha gazetave, por në atë kohë mendimet e tij ishin të përqendruara te familja që ai kishte filmuar për një dokumentar, e cila tashmë ndodhet në Mbretërinë e Bashkuar. “Një histori dashurie siriane” tregon jetën e dy aktivistëve të martuar, Amer Daoud dhe Raghda Hasan, dhe fëmijëve të tyre gjatë një periudhe pesëvjeçare.

Kur McAllister u ndalua në vitin 2011, autoritetet morën mjetet e tij të punës, ku ndodheshin edhe filmimet e çiftit që ngrinte zërin kundër regjimit dhe organizonte protesta. Por kur policia kërkoi të dinte se ku ishin ata, McAllister u dha atyre një adresë të gabuar, duke i dhënë kështu Daoudit dhe Hasanit kohën për t’ia mbathur në Liban.

“Në atë pikë u ndjeva shumë në faj, por vitin pasues ishte edhe më e tmerrshme, sepse atëherë ata po vuanin, të ngecur në Bejrut”, thotë McAllister.

Duke qenë se u bë pjesë e historisë, McAllister vazhdoi ta filmonte familjen dhe ata nuk bënë asgjë për ta ndaluar atë.

“Në fakt, mendova se Sean ishte një dritare shprese”, thotë Daoud. “Sepse ne jemi aktivistë politikë. Si aktivist politik ke një qëllim më të madh në jetë. Ke një mesazh që dëshiron t’ua përcjellësh dhe komunikosh të tjerëve.”

McAllister kishte mbërritur në Siri në vitin 2008, duke kërkuar të largohej paksa nga puna e tij në zonat e luftës dhe kureshtar për jetën në atë që ai e quan “një diktaturë funksionale”. Për tetë muaj me radhë, ai kërkoi një histori që do ta lejonte atë të shkonte përtej imazhit të bukur të Sirisë, që zyrtarët u paraqesin turistëve.

Atëherë, një natë, në një park në Damask, ai takoi Daoudin, i cili i tha atij: “Nëse dëshiron vërtet të bësh një film për Sirinë, eja dhe filmo me mua”. McAllister kishte gjetur historinë e tij për Sirinë dhe ishte një histori dashurie.

Një anëtar i Organizatës Çlirimtare të Palestinës, Daoud, kishte kaluar tre vjet në burg, ku ai kishte filluar një marrëdhënie me gruan në qelinë ngjitur. Prejardhja e Raghda Hasanit ishte shumë e ndryshme. Ajo vinte nga i njëjti sekt alevit si presidenti, por ishte gjithashtu një disidente, një revolucionare komuniste.

Të dy bënë një vrimë të vogël në murin që ndante qelitë e tyre dhe pas muajsh të tërë komunikimi, përmes asaj vrime në mur, ata ranë në dashuri. Kur u liruan nga burgu, ata u martuan dhe patën dy fëmijë bashkë.

“Dëshironim vetëm të ishim bashkë gjatë gjithë kohës dhe asgjë nuk do të na ndante dot. Madje, as vdekja”, risjell në mendje Daoud. Por në kohën që McAllister takoi atë dhe fëmijët e tij, Hasani u burgos përsëri për shkrimin e një novele bazuar në marrëdhënien e çiftit, ndër të tjera.

Ajo u lirua përsëri në vitin 2011 si pjesë e një amnistie, një nga përgjigjet e qeverisë siriane ndaj “Pranverës arabe”. Por jo shumë kohë pas kësaj, familja u desh të arratisej në Liban dhe ishte pikërisht atje që martesa e tyre filloi të prishej. Në pamundësi për të jetuar larg revolucionit që e dëshironte dhe për të cilin kishte punuar shumë, Hasan u kthye në Siri. Pa të, i shoqi dhe fëmijët nuk mund të kërkonin azil në Europë.

Familja përfundimisht u ribashkua dhe kërkoi strehim në Francë, por mërgimi, jeta e refugjatit, nuk solli lumturi. Në skenat e gjata dhe klaustrofobike të xhiruara në apartamentin e çiftit, Festivali i Dokumentarit Sheffield, i cili i dha filmit dokumentar çmimin e parë këtë vit, duke e krahasuar atë me punën e Ingmar Bergman, shikuesi është dëshmitar i mllefit dhe akuzave të ndërsjella. Ka një lidhje jashtëmartesore. Ka një tentativë vetëvrasjeje.

“Ishte e çuditshme”, thotë McAllister, “sepse ata ishin në Albi, një vend idilik dhe jashtëzakonisht i bukur në jug të Francës, që mendoj se është një ëndërr, dhe po mendoja për fillimin e këtij udhëtimi, kur ata ëndërronin lirinë dhe në këtë mënyrë të çuditshme, kjo ishte liri.

“Por gjatë rrugës së tyre drejt lirisë, ata kishin humbur shumë nga njëri-tjetri dhe nuk e kuptonin dot më veten apo ambientin se ku ndodheshin.”

Ata filluan t’i drejtoheshin McAllister-it për t’i dhënë kuptim gjithçkaje. Të dy i telefononin rregullisht, duke i kërkuar të shkonte në Francë dhe të shërbente si avokat mbrojtës ose gjykatës në zënkat e tyre. Në vend të kësaj, ai ishte një dëshmitar, edhe pse një që mund t’i merrte në pyetje.

“Kur ishe e burgosur, ai të donte”, risjell në mendje në një farë pike McAllister. “Të gjithë sirianët i duan të burgosurit”, përgjigjet ajo.

“Jo”, thotë McAllister, “ai e donte gruan e tij”.

Vazhdimisht shohim familjen që u rikthehet filmimeve të McAllister-it nga viti 2010 dhe 2011, një kujtim i jetës së hershme familjare që i shërbente për të kujtuar vendin që kishin lënë pas dhe miqtë dhe të afërmit që ishin vrarë.

Hasan tani jeton në Turqi, ku ajo ka një rol të rëndësishëm në qeverinë e opozitës siriane. Daoud jeton ende në Francë bashkë me fëmijët. Ai e pa skenën e fundit të filmit dokumentar të McAllister-it në laptop në një kafene.

“Kur e pashë filmin, mendova: ‘Ja ku jam unë, ime shoqe dhe fëmijët e mi’. Nuk i mbajta dot lotët”, thotë Daoud. “Qava me orë të tëra në vetmi, duke ndier keqardhje për veten dhe time shoqe, duke ndier keqardhje për fëmijët e mi, për Raghda-n. Si jemi tani dhe si mund të kishim qenë … Të gjitha këto mendime më kalonin në mendje për ditë me radhë pasi pashë filmin.”

Daoud beson se martesa e tij nuk do të kishte marrë fund nëse Siria do të kishte qenë në paqe. “Jam i sigurt, sepse ne kemi një histori të mrekullueshme dashurie”, thotë ai.

Kur McAllister filloi të filmonte në vitin 2010, ai nuk mund ta parashikonte “Pranverën arabe” apo luftën civile. Ai punoi për filmin “si një punë dashurie”, pa shpërblim nga ndonjë rrjet deri në vitin 2013. Më pas, gjatë javëve të fundit, pikërisht në kohë për prezantimin e filmit për publikun, ndodhi një tjetër zhvillim i papritur – rritja e papritur e interesit publik mbi gjendjen e refugjatëve sirianë.

*Burimi: BBC

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button