Home / Opinion / Si mund t’i ikim tollovisë ku po jetojmë?

Si mund t’i ikim tollovisë ku po jetojmë?

Nga Mustafa Nano

Ka veç një gjë, mendoj unë, për të cilën Kryeministri Rama duhet përgëzuar, dhe kjo gjë është përpjekja e tij për të mbjellë a imponuar mes shqiptarëve një kulturë të respektit ndaj rregullave, ligjit, institucioneve e në përgjithësi ndaj detyrimeve që kanë si shtetas. Është për të ardhur keq që nuk është mbështetur në këtë përpjekje. Po kjo e ka një shpjegim. Së pari, është refuzimi instiktiv i idesë orwell-iane se “të gjithë janë të barabartë përpara ligjit, por derrat janë më të barabartë se të tjerët”. Me fjalë të tjera, ka shumë që mendojnë se nuk është e drejtë, nuk ka kuptim, ndoshta nuk është e mundur, që një klasë politike që besohet se është e korruptuar dhe e papërgjegjshme, t’i imponojë shoqërisë një standard moral që ajo vetë ka refuzuar ta bëjë të sajin. Në Shqipëri nuk është se është vënë re ndonjë animozitet a mllefosje popullore, që do ta shkurajonte këtë reformë, por kredencialet e dobëta morale të klasës politike janë gjithsesi një problem. Kompleksi i fajit e ndërgjegjja e pistë nuk janë arma më e mirë në duart e atyre që duan të bëjnë reforma. Ja, më thoni, nuk krijon një kompleks faji fakti që një i këputur në mes nga pesha e halleve të mbijetesës çohet në burg ngaqë nuk ka paguar faturën e energjisë elektrike, në një kohë që për shpërdorimin e parave e të pasurisë publike, ndonëse ka prova të vazhdueshme se ky shpërdorim është kolosal dhe ndodh ditën me diell, nuk i janë vënë askujt prangat në duar?

Por, le ta themi qartë. Sa më sipër është pengesa më e vogël në morinë e pengesave që ka hasur ky vullnet i Ramës për të kryer këtë lloj reforme. Një pjesë të fajit për këtë e ka Rama vetë, pasi e ka komprometuar këtë ndërmarrje së pari me format e improvizuara që i ka dhënë. I është futur punës, pa i shkuar në mendje se po gabonte që këtë reformë të jashtëzakonshme po e aplikonte sikur të ishte fjala për një aksion a fushatë. Jo më kot ca e ca janë të prirur që ta emërtojnë si “aksion” këtë ndërhyrje komplekse. Dhe ky është një nga defektet e Ramës: do të bëjë gjëra të mëdha me frymën e një aksioni.

Së dyti, e ka komprometuar gjithçka me ligjërimin tepër të vrazhdë e irritues (refrenin “burg, burg, burg” e ka bërë të tijin, dhe si për inat të të gjithëve, e ka kënduar këtë avaz edhe kur ka marrë vesh se nuk ish duke rënë mirë në veshët e shqiptarëve; e nuk kish se si, e se pse, të binte mirë). Së treti, e ka komprometuar me një si zell, pasion, hov, entuziazëm që më shumë i janë marrë për një dalldi sesa për një plan të mirëmenduar. Së katërti – kjo temë, dihet, më vjen shumë për osh – ka qartazi një mospërputhje mes idesë se një shtet nuk mund të funksionojë pa rregulla e ligje dhe mes asaj që shqiptarët, për shkak të natyrës së tyre reaksionare, përtace e transgresive, janë të gatshëm të pranojnë e të mbështesin. Disave nuk u kish pëlqyer teza ime e artikullit të fundit në “Shqip”, ku mbështetjen elektorale e suksesin politik të disa gangsterëve nuk e lidhja veç me faktin që “politikanët shqiptarë, përfshirë Ramën, kanë qejf të bashkëpunojnë me tipa të tillë”, por edhe me faktin që shoqëria shqiptare, sidomos zgjedhësit, janë të korruptuar, të korruptueshëm e të gatshëm për të mirëkuptuar e mbështetur sojin e banditëve. Unë vijoj t’i mbahem kësaj ideje, sidoqë e di se, për sa i takon mbështetjes së vogël që u jepet përpjekjeve për të ndërtuar një botë e një shtet me rregulla, përgjegjësia bie në radhë të parë mbi Kryeministrin, i cili nuk ka ditur ta bëjë të ngjërueshme për shqiptarët gjellën e kësaj reforme. I ka hipur në kokë që ta bëjë këtë gjellë, ta bëjë ashtu si ai di e do ta bëjë, e më në fund t’ua japë me pahir shqiptarëve, duke mos e vrarë mendjen se shqiptarët mund ta vjellin me ta ngrënë këtë gjellë. Ose ka gjasa që të mos e vënë fare në gojë.

Një gjë është e sigurt. Njëzet e pesë vitet e shkuara kanë qenë 25 vite të një çorganizimi të organizuar në këtë vend. Doni një “detaj” të kësaj tollovie? Janë 350 mijë ndërtime pa leje. Përsëris: 350 mijë. Janë bërë nën hundën, madje me miratimin e inkurajimin, e qeverive, institucioneve, policisë, strukturave të tjera të sigurisë, medias etj. Dhe një nga arkitektët e kësaj rrumpalle ka qenë vetë Edi Rama. Nëse doni prova, shihni Tiranën, që është bërë një nga qytetet më të shpifura mbi faqe të dheut! Dhe Tirana është në një masë të madhe vepër e tij.

Tani, të paktën në këtë drejtim, Rama duket i ftilluar. Nuk është i ftilluar deri në fund; ndryshe nuk do të na kish provokuar me atë idenë për ta mbjellë me beton edhe hyrjen e parkut ngjitur me korpusin e universitetit, por edhe kështu, edhe kaq, sa i ka ardhur, është një frymëzim antirrumpallë. Aksionet për prishjen e ndërtimeve pa leje, mbylljen e universiteteve që shisnin diploma, çmontimin e fenomenit të Lazaratit (mbjellja e kanabisit vijon, megjithatë), ndalimin e vjedhjes së energjisë elektrike dhe të ujit, detyrimin e bizneseve për të lëshuar / marrë kupon tatimor për çdo shitje / blerje që bëjnë etj., etj., janë nisma që i kundërvihen kaosit.

Dhe prandaj është për të ardhur keq që nuk ka marrë mbështetje në këtë drejtim. Nga opozita as që mund të presë ndonjë gjë, e duhet thënë se kjo është një sëmundje që s’ka të bëjë veç me këtë opozitë. Ka qenë në stilin e sjelljes së çdo opozite nxirosja e çdo veprimi të qeverisë. Nga ana tjetër, shkrimet në gazetat e rëndësishme apo të autorëve të rëndësishëm, në favor të këtij aksioni numërohen me gishtat e njërës dorë. Madje, më e mira gjë që kanë mundur të bëjnë gazetat tona ka qenë fokusimi i bujshëm te rasti i njerëzve që, për shkak të varfërisë, nuk janë në gjendje të paguajnë fatura, taksa e detyrime të tjera ndaj shtetit. Por këtu u është bërë krah edhe vetë qeveria, e cila nuk ka dashur që ta shoqërojë këtë aksion me një paketë të mbrojtjes së shtresave në nevojë. Dhe habitet pastaj se pse mijëra njerëz duan të ikin në Gjermani. Po ku të shkojnë, nëse ekonomia në Shqipëri nuk ka shenja jete, nëse ata vetë janë të papunë e nëse nuk kanë fuqi të paguajnë as faturën e energjisë elektrike?

Kjo nismë apo reformë (le ta quajmë si të duam), që synon një marrëdhënie të re mes shtetasve e shtetit të tyre, është një gjë që nuk duhet lënë në mes të rrugës apo më keq akoma, të dështojë. Dështimi nuk do të ishte thjesht i Edi Ramës. Do të ishte edhe dështimi ynë. Por puna është se dështimi mund të vijë veç prej Ramës, i cili ka ende kohë që këtë reformë ta bëjë të tillë që edhe elita t’i japë mbështetje, edhe shqiptarët të mos e përjetojnë si një shock.

2 comments

  1. Zoti Mustafa,me habit fakti qe nga njera ane Rama eshte shkaktar I pjeses me te madhe te zullumeve,ne Shqiperi,por sidomos ne Tirane,,sikunder e vertetoni shume mire,por nga ana tjeter kerkoni qe populli ta mbeshtese ne aksionet e tij.Me pare pyeteni popullin nese I beson me Rames dhe rrumpallave qe ai krijon me shume mendjemadhesi (nje kapadaidhek I pa tolerueshem per nje kryeminister,por dhe I pa pranueshem nga nje I paafte,perdorues droge dhe psikopat) si dhe duke u perpjekur te genjeje ne cdo veprim,duke kujtuar se eshte zoti dhe mileti eshte nen kembet e tij.Keto,po mund te analizosh dhe te bindesh popullin per rrugen qe duhet te zgjedhe.

  2. KORUPSIONI GALOPANT I KA CUAR RRENJET SHUME THELLE e gjate-gjere ne terrenin e nje populli servil… VETEM REVOLUCIONI POPULLOR,ZGJIDHJA

Leave a Reply

%d bloggers like this: