Muzike

Ndalet kënga e Tonin Tërshanës

Shuhet Tonin Tërshana / Këngëtari i njohur ndërroi jetë në moshën 66-vjeçare pas një sëmundjeje të rëndë

Kënga e Tonin Tërshanës ka ndalur përgjithmonë dje, për të mbetur në pentagramet e historisë së muzikës shqiptare. Këngëtari i njohur është ndarë nga jeta në moshën 66-vjeçare pas një sëmundjeje të rëndë. Vetëm dy javë më parë, këngëtari u gëzua me një banesë të re, të dhënë nga Bashkia e Tiranës, pasi për më shumë se 20 vite jetonte me qira. “Kam pasur një shtëpi timen, por u gënjeva nga firmat dhe mbeta pa gjë. Përveçse mbeta pa shtëpi, mbeta pa punë, pa para. Kam 20 vjet pa shtëpi. Prej 15 vitesh kam jetuar në Greqi, në emigracion. Prej 20 vitesh paguaj qira dhe më në fund m’u krijua mundësia të jetoj si gjithë të tjerët, të bëj një jetë normale me familjen time”, u shpreh artisti për gazetën “Shqip” dy javë më parë. Por fati nuk ishte me familjen Tërshana, që ta gëzonin këtë shtëpi ashtu si ai mendonte me një darkë të madhe me miq. Ndarja e tij nga jeta është një humbje për muzikën shqiptare, e cila humbi një nga zërat më të mirë të këtij gjysmëshekulli. Me një karrierë të pasur para viteve ’90, si një nga zërat më të spikatur të festivaleve të fundvitit, jeta e Tërshanës është e ngjashme me atë të shumë artistëve të tjerë, që në kushtet e një krize ekonomike u detyruan të largohen nga Shqipëria. Pas disa viteve në emigrim, ai kthehet sërish në Tiranë, por tashmë me probleme me shëndetin. I lindur në Shkodër më 1 qershor 1949, muzika duket se ishte destinancion për Tërshanën. Djaloshi i vogël që këndonte nëpër shtëpi, do të binte në sy të komshinjve artistë, të cilët i mësojnë dhe kitarën. Ishte vetëm 13 vjeç kur nisi të këndonte në Turizmin e qytetit të Shkodrës bashkë me Pac Martinin. Mark Kaftalli, dirigjent i Orkestrës së Estradës së Shkodrës, do të kompozonte për herë të parë për të këngën “Kthjelltësi, lumturi”. Më pas fati do të ishte gjithnjë me të përmes të tjerëve që kishin dëgjuar zërin e tij. Ja si e kujton artisti këtë periudhë. “Në një rast takoj një oficer, Mersin Maksuti, i cili më tha: ‘Kam biseduar me ata të Estradës së Tiranës dhe i kam thënë se sa bukur këndon një djalë i vogël në Shkodër. E ke rrugën e hapur të shkosh të punosh atje. Po të presin’. Në fakt, unë nuk shkova shpejt pas kësaj bisede, por në gusht të ’65-s (isha 16 vjeç). Shkoj të provohem në estradën ushtarake, por ata ishin nisur në turne. Mirëpo më thanë që një djalë nga Orkestra e Ushtrisë nuk kishte shkuar në turne, por i binte saksit në lulishten e Sahatit. Ky ishte Platon Mezini, i cili më vonë ka kompozuar disa këngë, të cilat unë i kam kënduar. E takova dhe më tha: ‘Ti je ai djali i vogël që këndon në Shkodër? Do të na këndosh ndonjë këngë?’ Këndova këngë romane, spanjolle. Që atë natë më erdhi përgjigjja për të kënduar në lokal. Më thanë të këndoja në verë e të paguhesha 250 lekë në natë”, do të shprehej në një intervistë Tërshana. Kënga do të ishte më pas e gjithë jeta e tij. Që me debutimin e parë në Festivalin e 4 në radio, me këngën “Kur vjen pranvera” (muzika Pjetër Gaci, teksti Fatos Arapi), merr çmimin e parë. Atëherë ishte vetëm 16 vjeç. Ka fituar çmimin e parë dhe në Festivalin e 11 të RTVSH-së. Ka marrë pjesë në mbi 20 festivale, duke fituar katër çmime të para dhe duke u bërë një ndër këngëtarët me më shumë trofe në festivale. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i ka dhënë titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”.

Çmimet

Festivali IV (1965) – Çmimi i parë me këngën “Të dua o det”. Kompozitor Tonin Harapi. Teksti: Mark Gurakuqi

Festivali X (1971) – “Kënga e nënës” (varianti tjetër i kënduar nga Sherif Merdani). Kompozitor Agim Prodani. Teksti: Agim Shehu

Festivali XI (1972) – “Kur vjen pranvera”. Kompozitor Pjetër Gaci. Teksti: Fatos Arapi

Festivali XXII (1983) – “Vajzë moj, lule moj”. Kompozitor Luan Zhegu. Teksti: Adelina Balashi

Dy çmime të para në Festivalet e Interpretuesve. Viti 1984 me “Këngë për Fato Berberin”, kompozitor Pjetër Gaci.

Viti 1985 “Kthjelltësi, lumturi”, kompozitor Pjetër Gaci

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button