Home / Kronika / Homazhe për Tonin Tërshanën në RTSH

Homazhe për Tonin Tërshanën në RTSH

Familjarë, miq, kolegë dhe artdashës të muzikës së Tonin Tërshanës, artistit që ndërroi jetë dy ditë më parë, u përkulën parpara arkëmortit të tij në homazhet e mbajtura në hollin e RTSH-së.

Tonin Tërshanën, kompozitori Aleksandër Lalo do ta kujtojë gjithnjë si këngëtarin e thjeshtë që këndonte çdo këngë që i jepej. Të thjeshtë dhe të vështirë Tërshana bëri dhe jetën si emigrantë, ndaj për vëmendjen ndaj artistëve Lalo do ta kishte dhe një apel.

“Është një këngëtar i lindur këngëtar, nuk u bë gjatë rrugës. Është një këngëtar i cili nuk ka pasur ndjenjën e karrierës në kuptimin e keq, ka kënduar këngët që i jepnin. Një nga sëmundjet e kombit tonë është se Tonin emigroi në Greqi dhe kam dëgjuar që mbante dhe thasë çimentoje. Shoqëria shqiptare, institucionet shqiptare janë të pandjeshme karshi artistëve. Mos të harrojmë që artistët e sportistët hyjnë tek njerëzit e rrallë dhe të çmuar të një kombi”, tha Lalo.

Për bashkëkohësit, Francesk Radi dhe Luan Zhegu, Tonin Tërshana thjesht ka ndërruar banesë, pasi puna e tij artistike ka lënë gjurmë të thella në fondin e muzikës shqiptare.

“Tonini ishte një nga shtyllat kryesore të intepretimit të këngës shqiptare. Ai së bashku me Vaçe Zelën janë këngëtarët më të mëdhenj të viteve ’60- ’80.Unë mendoj se me humbjen e Toninit muzika humbi një figurë të rëndësishme të saj”, tha Francesk Radi.

“Tonin Tërshana i përket asaj plejade artistësh që ka lënë gjurmë të thella në të gjithë artin shqiptar. Ai vetëm ka ndërruar banesë, zëri i tij, interpetimet e tij të mrekullueshme kanë hyrë në fondin e artë të muzikës së lehtë shqiptare”, shprehet Luan Zhegu.

Të pranishëm në homazhe në nder të artistit ishin dhe personalitete të politikës, mes tyre dhe kryetari i bashkisë së Tiranës, i cili këtë ditë e konsideroi të dhimbshme për një njeri që fali vetëm gëzim.

Tonin Tërshana ka marrë pjesë në më shumë se 20 festivale të RTSH, duke fituar 4 çmime të para. Ndërsa dalja e tij e fundit në publik ishte vetëm tre javë më parë, ku këngëtarit të njohur iu dorëzuan çelësat e shtëpisë si përfitues i banesave sociale pasi ishte i pastrehë. Tërshana ndërroi jetë pasi vuante nga një sëmundje e rëndë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.