Te ndryshme

I lind djalë, e quan Autochthonous

Një “banner” që bëhet simbol, një emër që do të jehojë për shumë kohë!

Frrok Bardhi nuk e kishte menduar kurrë se, ngjarjet e ndeshjes Serbi-Shqipëri do të përcaktonin emrin e fëmijës së tij, që ende nuk kishte lindur. “Asokohe, nusja ka qenë dymuajshe shtatzënë. Që në atë moment e kisha ndarë mendjen dhe e kisha vendosur që do t’i vija këtë emër djalit tim”, thotë Frroku. Emocionet e 14 tetorit 2014 i përjeton ende në të njëjtën mënyrë, e sërish nuk mungojnë lotët. “Çdo shqiptar në botë, atë natë është bërë me zemër. Çdo shqiptar që është me të vërtetë patriot. Ai është flamuri më i bukur në botë”, tregon më tej me emocione Frroku. Frrok Bardhi, ndjenjën e atdhedashurisë e ka të trashëguar ndër breza në familje. Gjyshi i tij ishte pjesë e luftës italo-greke dhe e ka rritur me historitë, sesi është dëbuar me dhunë popullsia shqiptare e Çamërisë nga trojet etnike. Ideja që djalin e tij të dytë ta quajë Autochthonous i ka hapur jo pak probleme edhe në Gjendjen Civile. “Në fakt unë ia kam vënë këtë emër për qejfin tim. Kam pasur shumë probleme për t’ia vënë këtë emër, sepse nuk po pranonin punonjësit e Gjendjes Civile dhe kishte frikë se mos do t’i fliste dikush, apo do ta kritikonte. Mesa di unë, është interesuar deri edhe te drejtori i Përgjithshëm i Post-Telekomunikacionit, sepse nga ajo varen drejtoritë e Gjendjes Civile. Më pas u bind dhe ia regjistroi emrin ashtu siç doja unë”, thotë i ati. Etleva, bashkëshortja e Frrokut, kishte menduar tjetër emër. “Unë kisha dëshirë t’ia vija emrin Alean, e lexova në internet dhe kishte kuptimin e dhuratës nga Zoti. Frroku nuk donte të ma prishte qejfin, por kur lindi djali më tha se atij i pëlqente emri Autochthonous. U habita për pak, por e pashë që e kishte me shumë qejf dhe pranova, i thash ta gëzonte këtë emër”, thotë e ëma. Në shtëpinë e Frrokut, që në hyrje të shoqërojnë simbolet kombëtare. Në ambientet e brendshme mban të ekspozuar më shumë se 400 objekte me mesazhe patriotike. Për të nuk ka qenë aspak e vështirë edhe të përballet me reagimet e ndryshme, përse vendosi këtë emër për të birin. “Të them të drejtën e kanë pritur në mënyra të ndryshme dhe nga më të habitshmet. Ka pasur njerëz që ma njohin shpirtin dhe karakterin, dhe këta e kanë pritur me shumë gëzim e dashamirësi; por ka pasur edhe njerëz që më kanë provokuar në punë, në lagje apo në shoqëri”, rrëfen më tej Frroku. Të gjithë në familjen Bardhi janë të lumtur me Autochthonousin. Motra më e madhe, Arbëria, e po ashtu vëllai, Everesti, duan ta shohin futbollist më të voglin e familjes. “Dua të stërvisim për t’u bërë futbollist. Që në moshën 1-2-vjeçare do t’i blejmë kostum futbolli dhe do ta stërvis gjatë gjithë ditëve që të bëhet një futbollist”, shprehet djali tjetër i familjes, Everesti. Mjeku, me një ndjenjë të madhe patriotike, e ka menduar edhe sesi do t’i përgjigjet djalit të tij, nëse do t’i kërkojë arsyet se përse zgjodhi këtë emër. “Nuk besoj se do të ndodhë kjo, sepse unë do ta rris në frymën patriotike, për flamurin, kombin dhe atdheun. Ndaj besoj se ai do të jetë shumë krenar për këtë emër”, përfundon i ati.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button